Regjisori Apolloni: Ligji për teatrot është diskriminues, duhet të ndryshohet

31 Korrik, 2020 - 12:29 pm

Regjisori Ben Apolloni ka reaguar sot në lidhje me ligjin për teatrot në Republikën e Kosovës që sipas tij është ligj diskriminues, përcjellë KultPlus.

Apolloni shkruan se ligji ka gabime dhe duhet të ndryshohet, në të kundërtën do të dëmtohet teatri dhe do të pengohet zhvillimi i artistëve.

Ky është postimi i tij i plotë:

Ligji për Teatrot, i Republikës së Kosovës, është Ligj diskriminues. Ai diskriminon shumicën e artistëve të teatrit. Sipas tij, në ansamblet rezidente të teatrove duhet të punësohen vetëm aktorët, kurse artistët tjerë, si: regjisorët, dramaturgët, skenografët, kostumografët, kompozitorët, koreografët, dizajnerët, make up artistët, … as që i bën hesap.
Duket se ata që kanë hartuar Ligjin, nuk e kanë idenë se si funksionon teatri, si realizohet një shfaqje. Ata shohin vetëm aktorët në skenë ( edhe pse dyshoj se disa as që kanë parë ndonjëherë shfaqje) dhe mendojnë se aktorët janë ata që bëjnë shfaqjet. Por nuk kanë idenë se regjisori, dramaturgu, dhe artistët tjerë “të padukshëm”, janë në të vërtetë truri i teatrit, i shfaqjes.
Ligji ka gabime, duhet të ndryshohet. Nëse nuk ndryshohet, do të dëmtohet teatri në Kosovë, do të pengohen artistët që të zhvillohen si duhet. / KultPlus.com

Të ngjajshme