22 Shkurt, 2025 - 6:29 pm
Rreth pikturës së Blerta Bervenikut
Shkruan: Ballsor Hoxha
Në esenë e tij, Maurice Blanchot, për inspirimin dhe mitin e Orfeut, ai thotë se Orfeu e braktisë edhe të dashurën e tij për të cilën hyn në shpellën e vdekjes. Sepse, nuk mund ta braktisë inspirimin e tij. Nuk mund ta braktisë jo vetëm dëlirin e frymëzimit, por edhe dëlirin e helmit nga inspirimi. Epo, kjo është arti, ai – thrill – i çarjes tutje, përtej vdekjes dhe përtej dashurisë, pa ndonjë cak as qëllim.
Çka ka të bëj, në të vërtetë, vdekja me artin? Apo, inspirimi me artin? Apo vdekja me kufijtë?!
Ndoshta, është edhe fuqia edhe pafuqia e njeriut që të bie thellë në shpellën e fundme, një obsesion për të gjetur atë që është prapa perdes së artit, prapa pëlhurës së artit, prapa fletës së bardhë të letërsisë. Apo, është varësia nga helmi i inspirimit/frymëzimit.
Ka një këngë të Thom Yorke – Hearing Damage, që i kushtohet skizofrenëve në masën më të madhe, etj, e që në refren përsëritet vargu “you can do no wrong… in my eyes”, gjë që pjesa e dytë e këtij vargu (in my eyes) është thënie identike me një nga pikturat e Blertës. Por, thënë shkurt, identikja në mes këtyre dy veprave të artit, muzikë e pikturë, është një konfuzion krejtësisht i ardhur nga gjuha, në pafuqinë e saj për të depërtuar në thellësi të pikturës, dhe aq më shumë, në fuqinë e saj për të riorientuar përshtypjen si dhe shprehjen e pikturës, nga vetëm një titull. Që do të thotë është riorientim apo edhe konfuzion për shkak të gjuhës, nëse ajo që shohim në këtë pikturë të Bervenikut, është menduar si shikim prej syve të autores, apo nëse Berveniku e ka menduar të njëjtën sikur edhe kënga, pra një thënie (së paku)mbrojtëse për atë që është përballë pikturës. Diçka si “të shoh me sytë e mi, të një shoqeje, nëne, motre, bashkëshorte etj.
Kjo që u tha është në një mënyrë edhe droja përballë pikturave të Bervenikut për t’i bërë ato të thëna, por edhe bukuria e shthurjes së kufijve të gjuhës për të marrë përshtypje të papërkufizueshmeprej saj. Dhe, aq më shumë, është saktë, kodi i zanafillës sëpërjetimit të tyre. Që në të vërtetë, është lufta e Bervenikut me kornizën e pikturës. Piktura e Bervenikut është luftë e vazhdueshme me kornizën e pikturave të saj, e që do të thotë luftë me kapërthimin dhe ngulitjen e një të bukure në kornizë, e që është vetë realiteti.
Pastaj, piktura e Bervenikut është edhe përpjekje e vazhdueshme për të gjetur një baraspeshë të emocionit dhe të inspirimit të saj, që nuk e lë të përfundojë vetë veprën e saj, dhe nuk e lë të etiketojë po këtë bukuri/estetikë. Kjo karakteristikë e pikturave të Bervenikut do të thotë dy gjëra, edhe naivitet si autore, që do të thotë se pavarësisht dhembjes dhe absurdit të përfundimit të një emocioni me inspirim aq të thellë skema është e paikshme, apo po i njëjti emocion/inspirim bie në një skemë, që është e paikshme nga realiteti/korniza.
Në të vërtetë, duke u nisur pikërisht nga një prej pikturave të para të publikuara të saj, pra “In my eyes”, dhe ndonjë përshkrimi aty këtu nga vetë piktorja për pikturat e saj, gjejmë përpjekjen e saj për të elevuar (ngritur) hapësirën dhe për të lënë artin e saj të bie në zonat e asaj që në anglishte quhet “hue”, e që në një përkthim të lirë mund të jetë – nuancë, ton e tonalitet.
Por me gjetjen e nuancës së emocionit që ajo merr përsipër ta prezantojë në pikturën e saj, ajo, si Junky (e varur nga Heroina), për të mirën tonë, nuk di të shkëputet prej kësaj nuance. Duke krijuar dhe fshehur, duke krijuar dhe duke u përpjekur që të lirojë latenten e saj, dhe duke krijuar dhe duke ikur nga forma, për të mbetur vetëm me shpërfaqjen, hapjen dhe rezonimin e këtij inspirimi. Është sikur piktorja kalon në nimfë të zbulimit, shpërfaqjes dhe kumtit që ajo e sheh të notojë në pikturat e saj mu sikur peshqit në po të njëjtat piktura, dhe si një motiv i përhershëm në këto piktura.
Por me të cekurit e motivit (jo vetëm lajtmotiv) të peshqve, me të pas zbuluarit të kësaj, le ta quajmë latente të saj, zbulohen edhe shumë simbolika, apo edhe metafora, apo t’i quajmë strehë të këtij inspirimi/emocioni, siç janë rezonancat dhe spiralet me kah për thellësitë, si dhe gruan në shumë prej pikturave të saj, që më së shumti i afrohet koncepteve brenda po të njëjtave.
Kisha thënë se këto së bashku, katër fenomene në të cilat Blerta është tejet e shquar në pikturat e saj, pra: rënia e saj në hue(tone, nuanca), notimi i thellë i saj në këto; rezonancat që si strehë hapin dhe mbyllin dyer për inspirimet/emocionin e saj të pikturës, të gjithave, e që në të vërtetë janë sikur strehë të fshehta për të strehuar dhe për të liruar më tutje po këtë inspirim, apo edhe vetë psiken e saj; pastaj spiralet me kah për thellësitë më të mëdha që janë sikur reflekse të saj psikike për të gjurmuar, eksploruar dhe të gjahut të saj, që gjithmonë mbesin të hapura për thellësi më të mëdha; si dhe gruaja si zanafillë e konceptit të saj, apo edhe të depersonalizimit të saj artistik në këto fenomene që shfaqen në pikturën e saj, ngjajnë sikur të jenë gjuhë femërore (megjithëse për mua ndarjet: gjuhë femërore dhe mashkullore janë absurde).
Dhe, ne do të ishim ndalur pikërisht në këtë kyç të pikturës së Blerta Bervenikut: nëse Jacques Lacan është i saktë në thënien e tij, se gjuha femërore nuk ekziston, dhe se ka vetëm një gjuhë ajo mashkullore e cila është rrënjosur në njerëzim në fillet e saj, kur mashkulli ishte superior ndaj femrës (supozuar kështu) dhe deri më tani, të gjitha fenomenet që shfaqen në pikturën e saj, janë në të vërtetë ajo gjuha kurrë e pazhvilluar femërore, kurrë e pa fjalëzuar, kurrë e pa sublimuar (sipas Freud, edhe Jung), gjuha e habisë filozofike e piktores Blerta.
Sepse, nëse njerëzimi flet të vetmen gjuhë, atë të mashkullit, kjo do të thotë se femra/t flasin të druajtura, në tërësinë e gjuhës, dhe duke iu nënshtruar kësaj gjuhe të mashkullit (Lacan).
Atëherë, gjuha që gjen personalisht në artin e saj Blertës, kalon në gjuhë çudibërëse, dhe gjuhë të habisë filozofike të piktores të cilën as nuk e lejon konteksti, dhe as nuk e ka fjalën për të përshkruar këtë shpërfaqje në pikturën e saj, qoftë përmes formave apo teknikave të tjera skematike të pikturës.
Po të marrim për shembull pikturat e Blertës, nga perspektiva psikanalitike, duke e subjektivizuar veten përballë këtyre pikturave në vetë Bervenikun, gjejmë, pikë së pari, habinë e saj, ardhur nga forma më e pastër e inspirimit, duke kaluar në druajtje të vetë saj (shih paragrafin e dytë në fillim) ndaj ngjyrës, ngjyra duke asocuar në jetë, e jeta në, saktë, mungesën njerëzore (Lacan). Pastaj gjejmë edhe natyrën e Anime sipas Freud, që është forma e parë, dhe ndoshta e vetme e, së pari, lojës me habinë ndaj jetës dhe universit, e pastaj edhe të shprehjes, apo bërit të thënë të inspirimit.
Në të vërtetë, në tërë këtë tekst inspirimi është fjala më e përdorur, por jo edhe shpërdorur, sepse, jo vetëm që piktorja në fjalë është në këtë fazë të saj (sipas përshtypjes sime të druajtur), që do të thotë do të na japë edhe shumë më shumë në të ardhmen cilido që të jetë prezantimi i tij; por inspirimi është, sipas Maurice Blanchot (The Gaze of Orpheus, ese i shkurtë i tij për inspirimin), dhe sipas kësaj që u tha më lartë, ajo ndjesi, ai helm, ajo bukuri që vazhdon të na fascinoj (habisë) jo vetëm pasi që kemi zgjuar të dashurën tonë (pra gjithnjë si gjuhë mashkullore), por edhe kur e dimë dhe edhe me vullnet tonin vazhdojmë tutje të dashurës së ringjallur si motiv, për të ndjekur inspirimin tutje e tej vdekjes.
Blanchot e thotë, duke u përpjekur të shpjegojë natyrën e gjuhës (së folur dhe të shkruar, e tutje), (në esenë e tij The TwoVersions of the Imaginary) se qoftë gjuha, qoftë piktura, apo vetëm një guri i transformuar në objekt estetik, në cilëndo formë të tij, me automatizëm ai, pra guri është i vjedhur nga realiteti, me ç’rast, prodhojmë së paku dy kuptime të realitetit, prodhojmë/krijojmë një pafundësi të fjalëve (apo gurëve të prezantuar me gjuhë të pikturës apo të letërsisë) që në të vërtetë e zhvleftësojnë vetë realitetin, apo krijojmë një gurrë të interpretimeve për të njëjtin send.
Thënë këtë, Blerta është tërësisht e habitur (fascinuar) nga perspektiva nga ku pikturon. Është Anime e Freud, faza fillestare e njerëzimit, pas të të qenit me Omnipotencë të Olimpit paraprakisht, apo edhe pas.
Dhe, duke iu kthyer fillimit të këtij teksti, po nuk arritëm të zbresim në këtë shpellë, në këtë thellësi të asaj që e bartim në çdo gjë që shikojmë dhe përjetojmë, e që është zanafilla e përjetimit të njeriut, ne do të mbesim përballë disa ngjyrave bukur të sajuara dhe teknikisht të arritura, por kurrë të para si zbulim i një gjuhe personale femre që respekton inspirimin e saj përtej pushtetit të njerëzimit, e që është kjo gjuhë mashkulli.
Por ku është Blerta artistja, në këtë mes, në qoftë se nuk është e frymëzuar, përtej gjuhës së burrit, përtej gjuhës së sistemit, në ato honet ku buron naivja, të cilën Blerta e njeh aq mirë, e që nuk të lejon të dalësh jashtë kësaj shpelle, në tërë të vërtetën e saj të botës, e të panjohurës nxënë nga ankthi ynë nga vdekja./ KultPlus.com