31 Janar, 2023 - 1:09 pm
Një intervistë dhe ndonjë problem.
Nga Dashnor Kokonozi
Në rrjetet sociale po qarkullon një intervistë e Ben Blushit me Ismail Kadarenë.
Flet më shumë për intervistuesin se sa të intervistuarin.
As që e shoh të arsyeshme të them se jo vetëm një personalitet i tillë si Kadareja, por kushdo, kur arrin në një moshë që mund të cilësohet madhore e të brishtë, ka nevojë për mbrojtje edhe nga ata që i afrohen e kërkojnë mendimin e tij.
Kjo pavarësisht opinionit që mund të ketë secili për veprën e tij. As futem fare aty!
Unë të paktën këtë parim e kam ruajtur me rreptësi në intervistat që i bëja që herët edhe prof. Dhimitër Shuteriqit.
Më ka qëlluar më se një herë të ngjitem në pallatin diku më poshtë se ish kinema Partizani dhe ta intervistoj në atë studion e tij të vogël, me dritaren nga pas pallatit. Shpesh mbaroja punë, lija mënjanë magnetofonin dhe bisedonim për orë të tëra. Ato biseda të lira e të jashtëzakonshme më të më kanë ndihmuar të kuptoj përmasën e dramës së vërtetë të intelektualëve dhe artistëve të atij brezi që nuk e kishin menduar ashtu periudhën e pasluftës.
Ndonjë ditë mbase do t’I hedh në letër. Por kurrë nuk do t’I lejoj vetes të nxjerr në pah ndonjë inkoherencë, brishtêsi a konfuzion të çastit.
Nuk është ky qëllimi I atij që interviston personalitete të tilla. Poshtrimi përjashtohet kategorikisht.
Një djalë i talentuar si Ben Blushi nuk ka nevojë të rikonfirmojë pozicionin e tij në letrat shqipe ndërmjet pyetjesh të kithta dhe zellit të tepruar për të regjistruar menjëherë ndonjë inkoherencë apo problem kujtese të Kadaresë.
Më tej, besoj se nuk eshtë më shumë faji i këtij të fundit se sa i shoqëruesve të Kadaresë. Kam përshtypjen se e nxjerrin rrugëve të Tiranës si dikur ato që quheshin llaxoret e motit, për t’ua treguar kamalajve me shpresën se do të bjerë një shi i mirë.
Eshtë e papërgjegjshme mënyra se si po ekspozohet ai! Si një talisman për ta prekur idolatristët dhe si një pre që nxirret në shteg për ta shqyer qentë!
Shprehje elokuente e natyrës sonë si komb! / KultPlus.com