29 Mars, 2018 - 4:00 pm
Shkruan Gjon Keka.
Historia e populli arbëror dhe e shtetit të Arbërit kurdoherë ka ngjallur interesin e Europës, sidomos që prej shekullit XV. Kjo, për faktin se, pikërisht në këtë shekull, për nga veprat e ndërmarra e të kryera me mençuri e trimëri, ndriçoi strategu i saj i madh, vizionari dhe shpëtimtari i Europës. Ky burrë i mençur shteti, te mbarë Europa dhe te të gjitha kombet e mbretëritë, deri te Papati, tërhoqi vëmendjen dhe interesin diplomatik për ta pasur aleat, pasi ishte fitues i admirueshëm, i denjë për ta udhëhequr tërë Europën, ishte shpëtimtari dhe mbrojtësi i civilizimit europian. Pulsi i heronjve të vjetër të kombeve rrihte fort tek ai; nën shembullin e tyre ai u dha mësim princërve, mbretërve dhe gjithë pushtetarëve, duke u treguar me shembullin e vet se si duhet të luftohet, si mund të fitohet liria, si të ndërtohet shteti, të bëhet kuvendi, si të qeveriset shteti, si mbrohen vlerat, si të edukohet dashuria për atdheun, që ai të jetë gjithmonë në rend të parë, se si prej një ushtrie të vogël të mundet një pushtues me ushtri të madhe… Pra, nën shembullin e madh të ndeshjes së Davidit dhe Goliatit. Prandaj edhe te studimet e shumta mbi princat dhe mbretërit është nënvizuar vepra dhe heroizmi i pashoq i Gjergj Kastriot Skënderbeut kundër perandorisë barbare osmane. Ky gjeni është meteori i historisë së kombit arbëror, i cili e ndriçoi këtë komb të lashtë, por, njëkohësisht edhe gjithë kontinentin europian. Me forcën e tij të mendjes e të krahut ai i dha shtetit të Arbërit formën që kërkonte koha, e bëri atë referencë në politikën dhe diplomacinë vendimmarrëse ndërkombëtare, i dha begatinë dhe kushtetutën e kohës. Shkëlqimi i lavdisë që arbërorët e vërtetë edhe sot ia rikthejnë Gjergj Kastriotit qëndron te pastërtia e tij morale heroike, si dhe te shpirti i tij patriotik kombëtar, një lidership vizionar dhe i urtë. Madje, siç thotë Pouqueville, “shqiptarët ende mbajnë në ballin e tyre gjurmët e lavdisë së Skënderbeut”.
Shteti i Arbërit me në krye Gjergj Kastriotin kishte një ndikim të madh edhe në fatin e Europës, pasi me mburojën dhe pritën e trimave arbërorë nën komandën e Skënderbeut nuk u lejua të shkatërrohej civilizimi europian, të zhdukeshin vlerat dhe identiteti i kësaj familjeje të madhe të përbashkët. Për 25 vjet me radhë me në krye Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti shqiptarët sfiduan hordhitë barbare të sulltanëve dhe e injoruan perandorinë turke. Mbi supet arbërore dhe të prijësit të tyre Skënderbe rëndonte pesha e madhe e përgjegjësisë të shërbimit ndaj atdheut, por jo vetëm, edhe të shërbimit ndaj tërë familjes europiane. Ky është fakt real që e dëshmon historia: Skënderbeu u bë mburojë e familjes së madhe europiane!
Vetëm një strateg i sprovuar si biri i Kastriotëve dinte si t’ia këpuste zinxhirët e skllavërisë vendit të tij dhe ta bënte atë të lirë, të admiruar dhe zot të vetvetes. Me forcën e tij prej udhëheqësi të ushqyer me patriotizëm ai i dha vendit dritën e lirisë, e zhvilloi atë dhe e bëri të njohur anembanë botës; në shekullin XV shteti i Arbërit rrezatonte me plot fuqinë e tij në kontinentin europian, aty ku u prek edhe shpëtimi i madh i Europës dhe i civilizimit të saj.
Gjeniu i Arbërisë dhe i Europës e kurorëzoi vendin e tij me shumë suksese, duke e rritur entuziazmin e arbërorëve për të ecur përpara e për të korrur fitore të njëpasnjëshme. Edhe sulltanët u detyruan ta njohin lavdinë e këtij strategu në Arbëri, ndaj dhe u larguan të turpëruar pas betejave të shumta e të përgjakshme; madje, edhe iu lutën Skënderbeut për paqe, kur e panë se ishte e pamundur rezistenca e mëtejshme në ato troje arbërore dhe kur trupat e sulltanit ndodheshin tashmë të dërmuara. Emri i këtij trimi fisnik të Kastriotëve ia kishte kallur frikën jo vetëm sulltanit, por edhe gjithë perandorisë turke. Kudo nëpër fshatra, sapo përmendej emri i tij ushtria turke çmobilizohej dhe demoralizohej, pasi vetë Heroi ynë Kombëtar ishte kthyer në terror të turqve.
Skënderbeu iu përkushtua edukimit dhe ndërgjegjësimit të popullit, pasi te figura e tij shihej çliruesi. Me këtë besim ai e pastroi ndërgjegjen e këtij popullit nga ideologjia e osmanlinjve barbarë, të cilët e kishin infektuar keqas atë. Heroi ynë i pajtoi kështu arbërorët me Perëndinë. Me të hyrë në Krujë, shpalli mesazhin e lirisë dhe të paqes, si dhe rikthimin e vlerave të etërve. Kështu veproi dhe qeverisi ai përgjatë gjithë jetës së tij, për të përmbushur detyrimet ndaj shtetit të Arbërit. Nëpërmjet vullnetit politik dhe fuqisë së vet shpirtërore, Skënderbeu arriti të realizonte bashkimin e prijësve të përçarë, duke u prirë atyre si kryeprijës i madh, burrë i urtë dhe vizionar i Arbërisë europiane. Me dijet dhe përgatitjen e tij ai solli në drejtim kulturën e duhur mendore, disiplinën dhe edukatën shpirtërore, kombëtare e morale arbërore, duke e institucionalizuar brenda shtetit të Arbërit në mënyrë të shëndetshëm. Ndaj dhe, jo rastësisht, marrëdhëniet e shtetit të Arbërit ishin shumë të fuqishme me shtetin e Vatikanit dhe Papët e kohës. Papa Piu II i dha atij pozitën e meritueshme të kryekomandantit suprem të ushtrisë europiane, sepse ai e njihte mjaft mirë Gjergjin, si dhe e çmonte talentin dhe vizionin e tij. Porse projekti i përbashkët i Papa Piu II nuk u realizua, për shkak të vdekjes së tij, edhe pse Gjergj Kastrioti e vazhdoi pa u ndalur luftën kundër pushtuesit osman deri në vdekje. Por, për fat të keq, pas vdekjes së tij Shqipëria u shpërbë dhe u kthye në arenë gjakderdhjeje (Albanien ward ein Schauplatz von Blutvergiessen). Shqipëria jo vetëm që u pushtua nga barbarët osmanë, por edhe u largua nga familja europiane, duke u fshirë kështu nga harta e natyrshme e Ilirikut dhe Europës.
Megjithëkëtë, për sa i përket Gjergj Kastriotit, ai tashmë gëzon respektin e mbarë botës; emri i tij ka mbetur në histori, si një nga strategët më të mëdhenj të kohës kur jetoi e veproi, e bashkë me nderin e tij është njohur edhe Shqipëria e shekullit të tij. Fatkeqësisht, pas ikjes së tij askush nuk mundi ta ndjekë vizionin e këtij burri, si dhe rrugën që ai përçoi. Nisur nga bëmat e Heroit tonë Kombëtar, me të drejtë Giuseppe Shiro shkruante në vitin 1901: “Madje, unë do të them edhe më tepër, se kombi shqiptar dhe lavdia e padiskutueshme e Skënderbeut do të fitojnë simpatinë e Europës më tepër sesa kujtimet e historisë së lashtë”. Për të mbajtur gjallë kohën e lavdishme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, lipset një studim i thellë dhe i vërtetë i historisë arbërore dhe asaj europiane, për ta pasqyruar sa më të plotë epokën e tij.
Gjon KEKA – Roli politik dhe ushtarak ,i shtetit të Arbërit – Qeverisja e urtë e Gjergj Kastriotit ,Botart,Tiranë 2015