12 Qershor, 2018 - 9:50 am
Bardhyl Londo “Nata e verbër”
Shkruan Besarta Beqiri.
Pas librit “Jeta që na dhanë” Bardhyl Londo vjen me një roman të ri “Nata e verbër”, po aq drithërues sa i pari, konsiderohet si përmbushje e trilogjisë, pasi libri i tretë që do të përfshijë periudhën komuniste do të shfaqet së shpejti në dritë. Titulli i veprës është i lidhur me anën e errët të kësaj periudhe, ajo simbolizon natën si kohë dhe verbërinë si gjendje! Të dyja të përshkruara nga errësira dhe vështirësitë për të ikur nga ajo gjendje e mjerueshme, nëse analizojmë edhe kopërtinat e librit edhe ato janë me pamje të errët, kjo shihet si një errësirë e tretë.
Londo me romanin e tij na kthen në shekullin e kaluar, tridhjetë vite pas duke na sjellë atmosferën e periudhës së fundit të regjimit komunist, i ndërtuar tërësisht nëpërmjet realitetit, ngjarjet që ndodhnin para sysh, vrajset e krimet e tjera s`kishin guxim t`i kundërshtonin, dora e pushtetit kishte gisht në to, ato shpejt zëvendësoheshin me ngjarje të tjera, por duke mos harruar as të shkuarat, të cilat do shërbenin si mësim për të tjerët.
Struktura e romanit është e thjeshtë, ai s`është i ndarë as në kapituj as në pjesë, ka një rrjedhë spontane të ngjarjeve, ndërsa narratori rrëfen ngjarjet në dy linja: në gjetjen e pandehmave dhe Monumentin e Udhëheqësit. E para që ishte si rezultat i jetës boshe të qytetit, kishte bërë që banorët e tij, në vend të një letërsie të vërtetë, të shkruanin pandehma. Preokupimi më i madh i tyre ishte zgjedhja e “kryepandehmës”, ndërsa prindërit uronin që për vajzat e tyre të gjenin burra që ishin të parët në gjetjen e pandehmave ose edhe autorë të tyre.
Pandehmat lindin si rrjedhojë e ngjarjeve në qytet, ngjarjet që bënin bujë të madhe merrnin epitetin e pandehmave dhe ai që gjente kryepandehmën sigurisht ishte më i zgjuari. Gjetja e pandehmave domosdoshmërish të asocion në veprën e Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”, po edhe më shumë autori na ndërlidh me këtë vepër atëherë kur Kici i Oshfeve bën përpjekje për gjetjen e kryeëndrrës, kjo ndoshta edhe për vetë faktin që të dy veprat flasin për periudhën komuniste dhe përpjekjet e tyre që nëpërmjet ëndrrave e pandehmave të tregonin një realitet të hidhur.
Pandehmat klasifikoheshin sipas rëndësisë dhe rolit që luanin në jetën e qytetit. Narratori na rrëfen për shumë pandehma, ndonëse tri pandehma i cilëson si kryesore: pandehma e parë dhe më kryesorja ishin zërat që do të rrëzohet Monumeti i Udhëheqësit nëpër të gjitha qytetet. Kjo qe pandehma që kishte trazuar qytetin dhe askush s`ishte inferior ndaj saj. Pandehma e dytë kishte të bënte me tapitë dhe pronat. Ilo Laminori ishte i pari që pandehmën e tij për rrëzimin e Monumentit e lidhi me rikthimin e tapive të zotëve të vërtetë, pra kjo na aludon që prona private gjatë kësaj kohe nuk ekzistonte, e gjitha ishte pronë shteti. Pandehma e tretë kishte të bënte me djaloshin nga qyteti që vinte çdo ditë me makinë në qytetin e tyre. Gjithsesi, kjo pandehmë nuk e kishte intensitetin e dy të parave. Nuk dihej sigurt se çfarë në të vërtetë ishte puna e tij, disa thonin se djaloshi vinte dhe mblidhte njerëz t`i dërgonte në Tiranë me rastin e rrëzimit të Monumentit, kurse të tjerët mendonin se ai dërgonte njërëzit më të holla në vaporët e Durrësit që shkonin jashtë vendit. Megjithëse asnjëri informacion nuk ishte i sigurt.
Ajo që është e lidhur ngushtë me pandehmat padyshim është shtatorja e diktatorit. Shtatorja gjigante ia kishte ngushtuar frymëmarrjen dhe shikimin këtij qytetit. Për të ishin krijuar kulte, ai ishte i veçantë dhe duhej respekuar. Shtatorja gjigante, nuk kishte të bënte vetëm me hapësirën që mbulonte dhe nuk i linte njerëzit të shihnin më tej, por me jetën apo vdekjen e tyre. Të rrëzohej Monumenti i Udhëheqësit ishte si të shihje ëndërr me sy hapur, ishin mësuar të jetonin në atë gjendje, thënë më saktë ishin të detyruar të jetonin me atë pushtet. Pika kulminante në roman është momenti i rrëzimit të Monumentit të Udhëheqësit, autori e përshkruan në mënyrë të detajuar këtë moment madhështor, atë e tërhiqnin zvarrë nëpër gjithë qytetin dhe gjithë banorët ishin mbledhur ta shikonin këtë akt të lartë. Nga gëzimi që ndjenin përqafoheshin me njërin tjetrin pa marrë parasysh a njiheshin apo jo. Rrëzimi i monumentit njëherësh shënon edhe përfundimin e periudhës komuniste dhe lindjen e epokës demokratike.
Karakteristikë e romanit janë edhe bashkëdyzimet që sjell autori, ato janë të shumta si: nofka me emrin, inidvidi e pushteti, personaliteti njerëzor, verbëria me katarsisin, na ofrojnë një pamje groteske mbresëlënëse.
Të veçantë janë edhe personazhet që autori i emërton me nga një mbiemër, që nuk është i vërteti, por që bazohet me anë të pamjes së jashtme, kështu duke i vënë epitete secilit prej tyre. Personazhet si : Hysen Zorra, Hysen Kokëlecka, Kici i Oshafeve, Zenel Mustaqe Stalini, Kike Nevriku e të tjerë, na sjellin jetën e varfër të qytetit dhe humbjen e identitetit të individit, fisit, madje dhe të vetë qytetit. Personazhet janë të shtresave të ndryshme, të pushtetit, intelektual, të varfër, të punësuar e të papunë. Po aq karakteristike janë edhe emërtimet e shesheve e vendeve ku frekuentoheshin nga qytetarët, si: Sheshi i Shurkalecit, Sheshi “Tek Derri”, “Tek Sheshi i Bufit” e të tjerë.
Romani i Londos është i ngritur mbi histori të shumta njerëzish, ku ngjarjet zhvilloheshin më së shumti rreth një sheshi, ku ishin të vendosura të gjitha institucionet e rëndësishme, që nga Komuniteti Ekzekutiv, Pallati i Kulturës që shërbente si sallë gjyqi e gjerë të kafenetë që frekuentoheshin nga intelektual e të varfër.
Pjesa më e madhe e personazheve kishin rënë në grackën e Monumentit të Udhëheqësit dhe ishin dënuar me burgim si: Ilo Lamninori, studentja e vitit të katër të anglishtës, Naze Mëllenja, fsesaxhiu i qytetit, Teki Rengalla e të tjerë.
Dy nga personazhet që i qëndrojnë besnik pushtetit Zydo Longori dhe Ndreci Bumbrecka. I pari, spiuni Zydo Longori i qëndronte besnik pushtetit dhe me raportimin e tij shumë njerëz përfundonin në shtëpinë me qëra, që simbolikisht autori e quan burgun. Ai është në çdo vend dhe përherë për t`i shërbyer pushtetit, por vetëm deri atëherë kur rrëzohet monumenti sepse pastaj qëndrimi i tij ndryshon duke menduar për të ardhmen e tij pa pushtetin.
Gjykatësi Ndreci Bumbrecka është i dyti që i qëndron përkah pushtetit, i gatshëm përherë të mbrojë Monumentin dhe të shqiptojë dënime që ishin kundër pushtetit. Vdekja e tij përkon pikërisht me ditën kur rrëzohet Monumenti i Udhëheqësit, ngase zemra e tij nuk i kishte duruar më dhe i kishte plasur.
Një figurë e realizuar në mënyrë të përkyer në roman është dhe kronikani ulok, Kiçi i Oshafeve. Ai është i paralizuar, puna e tij kryesore ishte të vrojtonte lëvizjet e njerëzve që i shikon nga dritarja e shtëpisë ku banon, por Monumenti i Udhëheqësit e pengon për t`i parë disa pjesë të qytetit, të cilat mbeten të panjohura për të. Është i detyruar që disa pamje t`i shoh nën harkun që krijohet nga këmbët e gjata të statujës. Vdekja e tij është e pashpjegueshme nuk dihej se a ishte vrasje e pastër apo vetëvrasje, ajo ndodh pikërisht në vendin, ku ishte hedhur nga dritarja vajza studente vite më parë. Ngjarja ishte përsëritur pikë për pikë, por që ishte vrasje apo vetëvrasje do të mbetej një mister i pazbërthyer në qytetin e pandehmave.
Të ndërtuar për të qenë të pandashëm është treshja fantastike që përbëhej nga Zenel Mustaqe Stalini, i cili e hiqte veten të pagabueshëm. Grupi i tij plotësohej nga Pilo Bajamka, cili u vetëshpall Knaç, sepse kishte lindur më 16 shtator, ditën e themelimit të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Tjetri ishte Kile Nevriku, të cilit i vunë pseudonimin Trocki. Të gjendur në kohën e fundit të sundimit të periudhës komuniste, ata ende kërkonin që dukuritë e ndodhura në qytet t`i shpjegonin sipas teorisë komuniste. Veprimet e tyre janë përtej realitetit. Ata marrin rrugën për t`u takuar me Kryetarin e tyre shpirtëror, vdekur vite më parë. Verbëria e natës bën që ata të bëjnë homazhe mbi varrin e një dervishi, duke kujtuar se bënin homazhe mbi varrin e një dëshmori. Por, absurditeti arrin në kufinjtë e vet, kur mendojnë se ndodheshin në një fshat që kishte qenë bazë e Luftës.
Verbëria si nocion përdoret në kontekste të ndryshme si: natë e verbër, motel verbëri, kthesa e të verbërit, shtëpitë e verbëra, i verbëri, të gjitha këto na dërgojnë në përfundim se ky nocion s`është gjë tjetër veçse një përshkrim i kësaj periudhe të errët, që aludon me të zezën, si simbol i zisë dhe zymtësisë.
Romani “Nata e verbër” i kushtohet periudhës totalitare të komunizmit, kohën e sundimit të diktatorit, periudhës më të errët të shekullit të kaluar. Të veshur me petk fanatastik janë pandehmat që krijohen për ngjarjet e qytetit, ato qëndrojnë të pandashme me Monumentin e Udhëheqësit, rrëzimin e tij dhe me akterët kryesorë të këtij romani. Me rrëzmin e komunizmit, lind epoka demokaratike dhe njëkohësisht kjo shënon edhe fundin e pandehmave.
Me këtë roman Bardhyl Londo na shfaqë një pjesë të realitetit, pjesë e të cilit ishte edhe vetë, të shprehur me një humor të lehtë dhe thumbues, me personazhe që hyjnë e dalin dhe me freskinë që sjellin ngjarjet e njëpasnjëshme e bëjnë këtë roman të lexohet me një frymë./ KultPlus.com