Romani i identitetit të shpërfytyruar

5 Prill, 2018 - 1:30 pm

(Ibrahim Kadriu: “Të vdekurit e gjallë”, “Koha”, Prishtinë, 2017)

Shkruan Elda Elezkurtaj.

“Të vdekurit e gjallë”, është një roman mjaft kompleks brenda së cilit ngërthehen tematika të ndryshme, sikurse lufta, vrasjet, krimi, dhunimet, tradhëtia, mashtrimi, etj. Përmes një mjeshtërie të madhe thuren të gjitha së bashku duke e përçuar idenë e dhimbjes dhe të vuajtjes njerëzore.

Një roman që përmes një retrospektive, kthimit në kohë, ngulfat dhe prek shpirtin e secilit lexues duke e ringjallur ndjenjën e tmerrit, atë të luftës. Ndërmjet botës së brendshme të individëve, Kadriu shpalos binomin e dy botëve, atë të të vuajturve, tek të cilët implikohet inferioriteti i botës tjetër duke shkaktuar viktimizimin e popullit shqiptar në përgjithësi.

Kadriu, preokupimin, dhimbjen e së kaluarës, gënjeshtrën, tendencën e drejtësisë, i ndërlidh së bashku, duke shpërfaqur një botë reale brenda së cilës jetojnë të drejtët si humbës dhe të marrët si fitimtarë.

Jo rastësisht, romani fillon me një citat të Hygoit: “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat” si një ndër idetë kyçe të potencuara e të ritheksuara, prej nga demaskohet realiteti dhe humbja e idealistëve si njerëz parimor, ndërsa, si fitimtarë dalin gënjeshtarët dhe egoistët, ku interesat vetjake vihen mbi interesat shoqërore.

Konotimi i titullit, asocion me vetë fatin e karaktereve ku jeta shihej si mosekzistencë. Parimisht titulli aludon me karakteret që dihen si të vdekur, por ekzistojnë të gjallë e të humbur njëkohësisht. Dikush me ndërrim identiteti, si fokalizator,i heshtur e vrojtues, shfaq dëshirën e moskthimit e ikjen drej një bote mendimtare. E në anën tjetër, dikush del si zbulues i origjinës, duke u kthyer në atë realitet, ku ai kthim pas shumë viteve dhe ai takim me prindërit e me familjarët krijon një emocion të papërshkruar dhe një lumturi të kërkuar. Pasyrohet një botë ireale, ku njerëzit ekzistojnë brenda një sistemi apo shoqërie të rreme, qoftë me një identitet të rremë apo qoftë me një jetesë ku vlerësohet jomeritori e nënvlerësohet i duhuri. Vdekja e gjallë mpleks brenda vetes edhe vuajtjen shpirtërore, varfërinë e skajshme, urinë e mbi të gjitha vetminë.

“Vdekja” si ekzistencë ose “Të vdekurit që frymojnë”

Triadën e të vdekurve që frymojnë e përbëjnë: Bledar Prushi, David Petriq dhe Adem Vrajolli. Edhe pse dy të parët janë protagonistë, ndërsa i treti si antagonist, megjithatë që të tre përçojnë të njëjtën ide, atë të ikjes dhe të humbjes se origjinës e të identitetit.

Adem Vrajolli dezerton nga ushtria serbe dhe jeton në Rumani, pranon nënshtetësinë rumune ku martohet e krijon një rreth shoqëror. Pas pesëdhjetë vjetësh shkruan një letër dhe e dërgon në fshatin e tij, përmbajtja e së cilës tregon se i vdekuri është i gjallë. Takimi me kushërinjtë ringjall ndjenjën e mëhershme. Fjalia e Vrajollit “Këto rroba e këpucë i kam blerë për ju, sepse kujtoja se do të vini të leckosur, me opinga që i kishim dikur” trajton të kaluarën, gjendjen sociale të një populli të varfër. Vrajolli, rikthehet në vendlindje për tu takuar me motrën, ritakimi i tillë apo rinjohja e Vrajollit me motrën si dhe lotët e përhershëm të së motrës janë elemente tipike popullore të letërsisë shqipe, ku për shkaqe të ndryshme personazhi detyrohet të largohet e pas një periudhe të gjatë rikthehet në vendlindje. Mirela me krenari rrëfen dhe shpërfaq origjinën shqiptare të gjyshit të saj duke e universalizuar vuajtjen e të gjithë shqiptarëve si totalitet.

Origjina shqiptare shihej si një pikëtakim mes Mirelës, Davidit e Bledar Prushit, prej nga edhe kontakti i tyre bëhej më i shpeshtë e më i dashur.

Në anën tjetër Davidi, i lindur shqiptar jeton jetën me identitet serb, pasi që ishte adoptuar nga Radomir Petriq dhe Viktoria. Jeta që Davidi bën, shpalos varfërinë, vuajtjen dhe dhimbjen shpirtërore si ngulfatje të vazhdueshme. Nofka nënçmuese “derr shqiptari” krijon një tendencë të Davidit për hulumtimin e shqiptarëve dhe për portretizmin e karaktereve të tyre.

“Ai kishte vdekur atëherë kur i ishin mbyllur të gjitha dyert, mbase edhe rrugët”

Davidi që në fillim shfaqet si i lodhur nga jeta, i papërshtashëm për atë rreth shoqëror e mbi të gjitha i fyer nga i “quajturi baba”. Fyerja e shpeshtë e bën veprues Davidin (Diellorin), prej nga gjurmon dhe zbulon identitetin e tij. Përkatësia shqiptare e ringjall krejt në fund atë, duke përjetuar dashurinë familjare e duke jetuar me “një bark të ngopur”. Haset një kalueshmëri prej një jete të hidhur, të varfër e nënçmuese, konkretisht prej një jetese të vdekur në një lumturi, në një ritakim e në një gjallëri me plotë kuptimin e fjalës.

Për dallim prej Davidit, i cili del si veprues, karakteri tjetër shihet si i humbur në botën mendimtare. Safet Proja i dikurshëm, me emrin e rimarrë si Bledar Prushi, përpos se dihej si i vdekur ai bënte edhe një jetë të tillë duke e ngulfatur veten në atë bodrum të errët dhe vetmitar. Ai del si hetues i heshtur i çdo gjëje, prej nga heshtja del si rezignacion, si pajtim me fatin, me indiferencë të plotë e me njëfarë dorëzimi. Refuzon të jetë pjesë e asaj udhëheqësie të padrejtë. Ai nuk kthehet për ta rrënuar idenë e gënjeshtrës e për ta demantuar atë, por ai vazhdon ikjen drejt një vendi tjetër, drejt

Rumanisë për ta vazhduar kontaktin me Mirelën e për ta lënë shoqërinë brenda asaj dogme gënjeshtruese.

Lufta si dhimbje e përhershme

Vrasjet, torturat, krimet, dhunimet të rikthejnë në të kaluarën, në atë kohë lufte, ku çdo detaj i shpalosur në roman shfaq po atë emocionalitet dhe atë vuajtje të dikurshme.

Temat e tilla vazhdojnë ta krijojnë atë mllef ndaj serbëve dhe ndaj krimeve të tyre.

Një theks të veçantë zë edhe mohimi i propagandës serbe se gjoja shqiptarët ishin ata që kishin vrarë, dhunuar e masakruar.

Torturat e të burgosurve në burgun e Dubravës, dhunimet e femrave para familjarëve gjatë ‘99-ës, krimet e shumta makabre të tyre, krijojnë një temë në vete dhe mjaft sensibile ku prekin shpirtin e secilit lexues.

Dhuna e shtruar mbi Bledar Prushin, akuzimi i tij për terrorizëm me të vetmen arsye se kishte mbrojtur veten dhe familjarët ishte një absurd i okupatorit prej nga e detyruan në pohimin e vrasjeve të pavërteta duke e dënuar me burgim katër vjeçar. Dhuna e pamëshirshme shkakton ofshamën e brendësisë “Oh, nënë bre” dhe del si portretizim i dhimbjes së të gjithë të burgosurve. Imazhet e vetëvrasjeve artikulojnë idenë e humbjes së shpresës, ndërsa heroi ynë i mbushur më një stoicizëm vështron ato sekuenca tmerri.

Tre kriminelët: Zoran Mariq, Gojko Bazhdareviq dhe Nikola Gavela identifikojnë shumësinë kriminale serbe dhe krimet makabre që kishin bërë në luftën e Kosovës. Vrasja për ata horra ishte kënaqësi. Sa më i madh të ishte numri i të vrarëve aq më e madhe ishte lumturia e tyre. Krimet godisnin shpirtin e Radomirit dhe të kamarierit të asaj kafeneje, ku më vonë shërbejnë si dëshmitarë në gjykatë.

Egoizmi i Radomirit dhe ofendimi i tij ndaj birit të adoptuar del në premisa kolektive, ku përmes individit pretendohet të thumbohet, të nënçmohet kolektiviteti, në rastin konkret tërë shoqëria shqiptare.

Një lloj metamorfoze pëson karakteri Radomir Petriq, ku prej një njeriu egoist, të varur prej alkoolit kalon në një denoncues dhe në një shpalosës të akteve kriminale të shokëve të kafenesë. Ky lloj shndërrimi pozitiv i karakterit të tij shpërfaq një lloj dashurie të vetme tek i biri ndaj “të quajturit baba” dhe një dënim të merituar ndaj aktakuzës së kriminelëve.

Personazhi brenda një bote filozofike

Filozofia e heronjëve kryesorë shihet si një epiqendër e romanit, njëri ofendohet rëndë nga “i quajturi baba” prej nga ai ofendim e shpie drejt një bote mendimtare e drejt një zbulimi identitar, ndërsa tjetri vrojton padrejtësinë, shpalljen si hero pa meritë dhe nuk shpreh fuqi veprimi ndaj atij akti.

Davidi gjendej përballë një sfondi dilemash, ku herë kishte dëshirë për gjetjen e prindërve të tij e herë kaplohej nga frika e braktisjes. Humbja e tij si personalitet i lënduar ndërlidhej me dëshirën për zbulim dhe me urrejtjen për atë përbuzje. “Çfarë fatkeqësie do t’u sillja sikur të isha në gjirin e tyre, sikur të thithja sisën e nënës, sikur t’i lagia buzët me atë qumësht që kurrë s’e shijova?” S’gjente dot shpjegim se pse vallë e kishin lënë prindërit! Futej brenda mendimit prej nga ndihej i vetmuar dhe i huaj.

Të menduarit në liri dhe jetesa në një bodrum e shpiejnë Bledar Prushin drej botës së asgjësë. E vetmja mënyrë e te jetuarit ishte mendimi i shqetësuar ndaj një realiteti dhe qëndrimi indiferent i tij ndaj asaj vrazhdësie. Tragjikja familjare ndikoi në jetën e mëtutjeshme të tij, pikërisht atëherë pas vrasjes së familjarëve, Safet Proja shpallej i vdekur e njëkohësisht i gjallë si kult e si hero në Kosovë. Tragjedia familjare kishte ndikuar edhe në ndërrimin e identiteti të tij, ku emrin e ri e shihte si perspektivë të re. Me emërtimin Bledar Prushi ekzistonte si një i kotë dhe i humbur, ndërsa si Safet Proja ishte hero i ngritur në përmendore, veç pse e kishin parë të veshur me rroba ushtrie e duke mos ditur fare për heroizmin e tij. Kjo ide artikulon sistemin aktual të hiperbolizimit të të bëmave të heronjve pa bërë asgjë.

Vetmia, e cila do të ndikojë në shkatërrimin psikik të njeriut e detyron atë të mos kthehet në atdhe dhe të mos e përmbys tezën e një gënjeshtreje të madhe dhe duke lënë gjithçka jo të vërtetë te dukej si e vërtetë. I vetmuar vendos të jetojë në Novi – Sad e më vonë largohet drejt Rumanisë.

Imagjinata e të menduarit ekziston edhe në izolimin e quajtur burg, por edhe në lirinë e izoluar të quajtur bodrum.

Jeta, glorifikohet përmes simbolikës së errësirës, qoftë ajo e burgut apo e asaj dhome bodrumi. Binomi i dy dritarëve, ajo e qelisë dhe ajo e asaj dhome, shpërfaq izolimin shpirtëror të Bledarit. Përtej dritarës së bodrumit shihte jetën, ku përmes hapave identifikonte njerëzit. Nga dritarja e qelisë shihte shpresën të asocuar me gjethin e mbirë tek një e çarë muri.

“Ai e shikonte dhe kënaqej, sepse në atë mes të vdekur shihte diçka të gjallë” . Imazhin e asaj bime të quajtur jetë e vret gardiani, njëkohësisht vret dhe shuan edhe shpresën e heroit tonë.

Një linjë të rëndësishme krijon edhe raporti Bledar, Mirelë e David, ku fillimisht që të dy shprehin interesim ndaj Mirelës, të cilën e konsideronin si një mike të afërt. Lumturia e

Bledarit për mosinteresimin e Davidit ndaj Mirelës, shpreh troç ndjenjën e tij ndaj asaj vajze.

Sa i përket strukturës, romani është i ndarë në njëzetë krerë, ngjarja zhvillohet përmes një rendi kronologjik, ku e tashmja ndërlidhet me një të kaluar shumëvjeçare.

Secili titull ndërlidhet me atë paraprak. Sinteza e këtyre dy kohëve, Bledari si simbolikë e së tashmes, ndërsa Safet Proja e së kaluarës, fuqizon edhe më shumë tematikat, duke i universalizuar ato e duke konkluduar tek një didaktizëm.

Jipet një tablo e qartë e realitetit, kalimi i një heroi të paqenë në mit dhe ajo tendenca e çmitizimit të tij. Tradhëtarët e dikurshëm rreshtoheshin si patriotë të sotëm, prej nga flisnin për herozimin duke mos qenë asnjëherë heronj.

Kadriu me krijimin e një mozaiku tematik, riaktualizon ide të ndryshme që evidentohen edhe në ditët e sotme, prej nga devalvon sistemin dhe tërë shoqërinë.

(Autorja është studente e nivelit Master në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe. Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë)./ KultPlus.com

Të ngjajshme