4 Shkurt, 2018 - 10:34 am
Ndue Ukaj
Michel Houellebecq është shkrimtar francez, prozator, poet dhe kritik i letërsisë. Autorë i shumë librave, që kanë përftuar lexues të shumtë anë e kënd botës, ai ka fituar çmime të ndryshme dhe famë ndërkombëtare, duke u vlerësuar si njëri nga shkrimtarët më të mirë, dhe njëkohësisht, njëri nga zërat më intrigues të prozës bashkëkohore. Houellebecqu, në shumë libra, ka dëshmuar mjeshtëri artistike dhe talent narrativ, duke shkruar letërsi imagjinare, për tema e personazhe të jetës konkrete.
Rrëfimet e tij letrare janë dridhmuese dhe mbresëlënëse, dhe i përshkon një ton kritik e komik, që të bën të jetosh gjatë me to. Pa dyshim, tekstet e tij letrare janë prekëse, të frikshme, shporuese- dhe njëkohësisht, janë të shkruara me një stil tërheqës. Kësisoj, letërsia e tij, ka forcë artistike, dhe të rrëmben, dukë të futë në përsiatje e dilema pafund, me çka autori sikundër dëshiron të mos heqë dorë nga fuqia e sipërore e letërsisë në civilizimin tonë perëndimor.
Romani që Houllebecq-ut i dha emër më shumë se çdo libër tjetër, është “Nënshtrimi.” Ky roman është botuar në një kohë thyerjesh e përplasjesh të mëdha globale, në një kohë kur lëvizjet identitare, forcat ekstremiste dhe ato dogmatike dhe fetare, kanë çuar krye si asnjëherë më parë. Në një atmosferë plot nerva, mosdurim e debate të tendosura, libri, ende pa dalë nga shtypi, ngjalli kërshërinë e lexuesve të shumtë, dhe u shoqërua me vlerësime, habi, kritika, reagime, vrer, mllef. Thjesht, me përplasje të pazakonta. Kështu, romani u bë pjesë e debateve letrare dhe joletrare. Vlen të përsëritet se, pikërisht në ditën kur romani po shihte dritën, terroristët islamikë, sulmuan gazetën satirike Charlie Hebdosë, dhe arsyet e proklamuara lidheshin pikërisht me këtë roman, sepse revista në fjalë në kopertinë kishte botimin e romanit .
Si për çdo libër për të cilin flitet shumë, edhe mua, më mbërtheu euforia dhe histeria e debatit që vlonte rreth këtij libri. Dhe, romanin e lexova dy herë. Vetë fakti se romani më grishi që t’i rikthehesha- për mua- është dëshmi se në vetëdijen time letrare, kishte ushtruar ndikim. Një ndikim të shoqëruar me ndjenja të përziera: politike e letrare. Dhe, nëse e marrim si të këshillueshme atë që thotë shkrimtari i madh italian, Italo Calvionio, për librat klasikë, ky roman, për të cilin, mund të them se e kam rilexuar dhe jo lexuar, hyn në kategorinë e librave klasikë.
Kur e lexova herën e parë, mu duk një roman politik, me ngjyra dhe intencë politike, dhe mbresat letrare, i kisha të fashitura nën trysninë e ngjarjes që projekton shkrimtari, pra, nga rrëmbimi që më shkaktoi tema e romanit.
Këto ditë, romanit iu riktheva dhe e rilexova. Tani me qëllimin tjetër, më shumë letrare.
Herën e parë, i ndikuar nga zhurma dhe debati, histeria dhe euforia për të, romanin e lexova me ndjenja të përziera: letrare dhe joletrare. Mirëpo, “Nënshtrimi” është roman i jashtëzakonshëm, ku autori dëshmon erudicion e kulturë letrare të nivelit sipëror, dhe ku tensioni artistike dhe habia letrare të përcjellin deri në fund. E ku, erudicioni i shkrimtarit shkrihet mrekullueshëm me përshkrime të holla, stilizime të lakmueshme dhe figuracion të gjetur; elemente këto që lexuesin e mbajnë pezull gjatë gjithë rrëfimit.
Në këtë roman, Houellebecq-u rrëfen për Francën, ku njerëzit kanë humbur ndjenjën e veprimit dhe kuptimit njerëzor, ndaj edhe ai bën politikë me letërsinë, jo si veprim për fuqi, por si kambanë për ndërgjegjësim. Sepse, ai beson se “letërsia është diçka serioze.” Në përkim me këtë, shkrimtari përsiat për rolin e pazëvendësueshëm të letërsisë në Francë dhe Europë. Ai flet me mallëngjim për pushtetin e letërsisë, por nuk mund ta le anash pushtetin e politikës, në atdheun e tij që tronditët nga zhvillime të paparashikuara. Por, këto dyja, ai i sheh fort të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Houellebecq-u, nëpërmjet protagonistit, të romanit, profesorit të letërsisë Fransuas, flet me një guxim të pashoq për gjitha rrjedhat sociale e politike të Francës dhe të Europës, për multikulturalizmin, kulturën e relativizmit, fuqinë sipërore të letërsisë, emrat e mëdhenj të saj, politikat socialiste dhe liberale, për ateizmin dhe besimin, te kaluarën mesjetare, dhe gjithkund, tekstin e laton me një erudicion të jashtëzakonshëm dhe me kulturë letrare mahnitëse.
Autori nuk shkruan art për hir të artit, por një roman, ku gdhend fytyrën reale të Francës dhe të Europës, nëpërmjet një klithme të përhershme, që sforcohet sidomos kur ai ndahet nga e dashura izraelite, e cila e braktis Francën për shkak të zhvillimeve politike, dhe asaj i duhet ta paketojë jetën e vet në 30 kg bagazhe.
Në fakt, vetë titulli i romanit është intrigues dhe tundues. Sepse, autori lexuesin e vë përballë një dileme të makthshme, duke ia hapë sytë e mbyllur. Çfarë po ndodh me Francën dhe kush po nënshtrohet? A po pranon ajo nënshtrimin dhe poshtërimin? Këto dy pyetje esenciale, shkrimtari i shqipton që në titull, dhe i shtjellon përgjatë zhvillimit të tekstit letrar, duke dhënë tablo komike e satirike të Francës së politikës, kulturës, arsimit, religjionit, emigracionit; një France që endet ndërmjet lavdisë së dikurshme dhe molepsjes bashkëkohore; një Francë që përballë lëvizjeve identitare, duket e plogësht dhe pa shtegdalje.
Protagonisti i romanit, Francua, një profesor letërsie në Universitetin e Sorubonës, “ai që beson te veçoria e letërsie, arti madhor i një perëndimi që po jep shpirt në sytë tanë” ndodhet ndërmjet mallëngjimit për të kaluarën dhe sfidave të kohës. Protagonisti sapo ka përfunduar doktoratën, por ndërkohë, në vendin e tij, ndodh një tronditje politike, një metamorfozë, e cila e godet pamëshirshëm gjithë shoqërinë. Zgjedhjet presidenciale, përplasin ashpër dy alternativa: të djathtën ekstreme të Mara Le Penit, dhe atë të dogmës fetare islamike, të përfaqësuar nga emigranti, Muhamed Ben Abesi. Me ndihmën e socialdemokratëve, këtij sistemi të kalbur, siç thotë autori, zgjedhjet i fiton ky i fundit, dhe Franca zgjohet e shokuar. Sistemi i ri dhe politikat e Ben Abesit dizajnojnë një Francë tjetër, ku feja përcakton stilin e ri të jetës dhe luan rolin parësor në gjithë organizmin shoqëror, dhe ku qytetërimi perëndimor nuk është më ai i njëjti, i shtrirë në kufijtë e tij të caktuar, por rrëmbehet nga euforia e një synimi ta hibridizuar dhe me shumë deformime, sidomos në raport me femrën, konceptet sekulare, seksin.
Profesori i Sorbonës, i pasionuar pas letërsisë, në këtë metamorfozë politike është i çorientuar dhe i tronditur.
Ndarja nga izraelitja, atij i krijon një boshllëk të madh në jetë. Në rrëmujën e këtyre ndryshimeve, ai përjeton dramën e vërtetë të ikjes nga vetvetja, të tkurrjes, një krizë identitare që e sorollat pa shtegdalje. Shkon me prostituta, ndërkohë që nuk ndien asnjë emocion kur e kupton se i ka vdekur e ëma, dhe i është varrosur në varrezat e komunës.
Në këto kushte, ai tkurret në një hiçgjë, derisa një ditë i kërkohet të kthehet në punë, dhe të përshtatet me rregullat islame të jetës.
Profesori i mëdyshur, nuk i shpëtoi tundimin dhe joshjes, kështu që shpejt përshtatet me rregullat e reja që vë sistemi, në raport me gjithçka, që nga normat e sjelljes, të drejtat e njeriut, seksi, familja, shkolla, por përpara lexuesit shtron shumë dilema e pyetje, që mbesin pezull përherë.
Në sfondin e këtij romani, protagonisti Fransua, ndonëse kritik i vetmuar, ka një besim te forca e epërme e letërsisë, për të cilën ndien mallëngjim. Prandaj edhe pohon: “vetëm letërsia mund t’ju japë atë ndjesi të bashkimit me një shpirt tjetër njerëzor, me tërësinë e këtij shpirti, me dobësitë dhe madhështitë, kufizimet, vogëlsinë, fiksimet, besimet, me gjithçka që e mallëngjen, i intereson, e ngacmon ose e neverit. Vetëm letërsia mund t’ju lejojë të hyni në kontakt me shpirtin e një të vdekuri, në mënyrë me të drejtpërdrejtë, më të plotë dhe më të thellë se ç ’do të bënte biseda me një mik -sado e thellë, sado e fortë që të jetë ajo miqësi, është e pamundur të hapemi në një bisedë, ashtu siç bëjmë para një flete të bardhë, kur i drejtohemi një bashkëbiseduesi të panjohur.”
Vetë zgjedhja që bën autorit për të rrëfyer, tregon për mallëngjimin që ka ai për letërsinë, kohën e shkëlqimit të saj dhe idealit intelektual. Në rrëmujën politike dhe sociale, protagonisti i romanit nuk e kërkon prehjen te e tashmja, por noton në të kaluarën, te letërsia e madhe e Hysmanit, të cilin e ka udhërrëfyes dhe ngushëllim.
Romani është i shkruar me një përpikëri letrare. Atë e karakterizon qartësia
narrative, si dimension esencial, ku përshkrimet janë të realizuara me detaje. Përgjatë gjithë rrëfimit, autori lexuesin e fut në labirinte magjike, duke e shëtitë me imagjinatën e tij të pasur nëpër kohë e vende të ndryshme. Lexuesi, lundron thellë në ujërat e turbullta të politikës europiane e botërore, ballafaqohet me krizat psikologjike të shoqërisë bashkëkohore, ku tuhajësimi, vetmia, janë të shkallës së padurueshme. Veç tjerash, lexuesi ndesh me pasuese të pasura letrare, ku autori përshkruan mjeshtërisht ndikimin e madh të librit të letërsisë në Paris, Francë, dhe gjetiu.
Por, nën bukurinë e magjisë së këtij qyteti të artit dhe të kulturës, shihen dritëhijet e një krize, që autori e skalit mjeshtrisht. Autori di të shëtisë lexuesin në të kaluarën: si kujtesë, në religjionin, si kulturë, dhe ta sfidojë me një pyetje të përhershme: qytetërimet nuk duhet të vetëmjaftohen, sepse kështu u ndodh nënshtrimi.
Ai e trajton me shkathtësi artistike tipologjitë e njeriut bashkëkohore: atë të tuhajsuar dhe në tundime identitare, dhe atë të verbuar nga dogma dhe ideologjia.
Pa dyshim, Houellebecq-u është një nga shkrimtarët më erudit të kohës, dhe erudiconi i tij është i shtirë me finesë e kulturë të jashtëzakonshme në romanin “Nënshtrimi.”
Romani “Nënshtrimi” është një kambanë e fortë kundër dekadencës së qytetërimit europian, kundër apatisë dhe kulturës së relativizmit të gjithçkaje. Këtë aspekt, ai e realizon mjeshtërisht, duke e provokuar lexuesin nëpër labirinte të sikletshme, në të cilat ai ndeshet me gjithfarë lemerish e situatash komike. Nëpërmjet protagonistit, autori i përshkruan të gjitha të këqijat që e kanë goditë këtë qytetërim: ikja nga thelbi i shoqërisë, familja, kriza e besimit.
Ngjashëm si të shkrimtari i madh, Albert Camy, edhe te ky roman, ka situata absurde, siç është telegrami që merr protagonisti për vdekjen e nënës, me dy javë vonesë. Indiferenca ndaj këtij lajmi, kumbon si një kamçikë në ndërgjegjen e njeriut të venitur shpirtërisht.
Personazhet e romanit janë politikanë, shkrimtarë, klerikë, profesorë, prostituta. Pra, ai rrëfen për karaktere të shumta, që janë pjesë e mozaikut të jetës bashkëkohore. Personazhet e këtij romani nuk kanë tipare heronjsh, por janë karaktere të katandisur në hollin e ndryshimeve të shpejta, ata shfaqen të venitur dhe në absurditetin e një kohë pa qëllime sublime, ku tkurrja shpirtërore e njeriut ka tejkaluar caqet normale. Kështu, ai qesëndiset me dritëhijet e njeriut bashkëkohore francez dhe europian, që vërtitet në kriza të pafundme identitare. Ai shkruan për zhvillimet e hovshme në Francën e tij, dhe gjetiu, por gjithnjë me një gjuhë të epërme letrare, me një diskurs mbarështues të admirueshëm që të habit me fuqinë artistike dhe kompetencën narrative. Shkrimtari imagjinatën e përdorë për zhbiruar me sytë prej eruditi në pikën nevralgjike të problemeve bashkëkohore. Kështu, ai ka arritë t’i skalit problemet bashkëkohore, me një gjuhë të paparë gjer me tani. Kështu, letërsia e tij, edhe njëherë, rikthen debatin e përhershëm rreth funksionit të saj në shoqëri, me çka i del hapur kundër dekadencës së këtij qytetërimi.
Houellebecq-u, duke e projektuar një situatë të çuditshme letrare, ardhjen e një myslimani si president të Francës, për të penguar ekstremisten e djathtë Marine Le Pen, ai nuk i drejton shigjetat kundër askujt, por troket në ndërgjegjen e fjetur të perëndimit, që i futur në hollitë e vetëmjaftueshmërisë, po rrëshqet ka dekadenca.
Romani i Houellebecq-ut, ndonëse u bë çështje botërore letrare dhe politike, autori zgjodhi një rrugë pa shumë ekuivokë, kur pohoi se nuk dinte prej kujt kishte më shumë frikë, nga francezët e çmendur pas identitetit apo nga myslimanët. Ai këtë e pohoi për gazetën “Le Journal de Dimanche.” Por, ai e pohoi me siguri të plotë se: “Të jesh islamofob nuk është formë e racizmit”.
Romani “Nënshtrimi” është një satirë e fortë drejtuar drejt klasave intelektuale, te të cilat çdo ditë e më pak shihen gjurmët e idealizmit. Ai del hapur kundër pragmatizmit të pastër që shfaqin elitat intelektuale. Ai ndien mallëngjim për një elitë intelektuale të dikurshme.
Opinioni letrar, por jo vetëm ky, autorit i ka kërkuar përgjegjësi për këtë libër, ndonëse askush nuk flet për përgjegjësinë që kanë lexuesit përballë këtij libri. Kritikët, ata që gjykojnë kuturu, duke dhënë vlerësime të paqëndrueshme.
Romani “Nënshtrimi” i sfidon lexuesit e kultivuar të letërsisë, profesionistët, me pyetjen e përhershme: si duhet të lexohet letërsia? A janë të mjaftueshme argumentet jashtaletrare, për të gjykuar tërësinë e veçorive artistike që ka një tekst letrar.
Unë mendoj se ky roman, përtej zhurmës dhe debateve që ka nxitë, do të mbetet si një roman epokal i kohës, përkundër faktit se, opinioni letrar, është i ndarë në vlerësimin e këtij romani: disa e vlerësojnë autorin si paralajmërues dhe shpëtues, dhe të tjerët, e akuzojnë se po hedh benzinë zjarrit për migrimin dhe integrimin.
Pavarësisht këtyre debateve dhe gjykimeve kundërthënëse, ky roman u ngjan kambanave të forta që bien pa pushim. Kambanave që thërrasin për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim.
Romani është përkthyer në shqip mjeshtërisht nga Edit Dibra dhe është botuar nga Skanderbeg Books.