Romani për Omerin

10 Qershor, 2023 - 12:15 pm

ROMANI PËR OMERIN

Nga Anita Behrami

(Adil Olluri: “Vdekja e Omerit”, Onufri, Tiranë, 2022)

Romani “Vdekja e Omerit” është romani më i ri i Adil Ollurit, të cilin e botoi në shtëpinë botuese “Onufri”. Romani hapet me një “udhëzim të shkurtër për një këndonjës kureshtar”, apo në vend të parathënies, siç e cilëson vetë autori.
Nga vetë titulli i romanit kuptojmë që aty flitet për vdekjen e një djaloshi, të cilin do ta njohim që në faqet e para të romanit.

Pra, kryetema e romanit është vrasja e një djaloshi, të ri të cilin thuhet se e vranë padrejtësisht dhe qëllimi kryesor i autorit është të zbulojë të vërtetën rreth vdekjes së tij. Prandaj, me një temë të mjaft prekëse lexuesit i bëhet me dije qysh në pjesën e parë të veprës që ata që nuk e ndjejnë dhembjen për këtë vdekje nuk do ta përjetojnë e as kuptojnë veprën.

Romani përfshin të fshehtat, dëshmitë dhe dyshimet rreth rastit, përfoljet dhe hamendësimet që ngjalli ky rast në atë qytet. Përmes ngjarjeve është bërë përpjekje që të krijohet dhe kujtohet imazhi i një të riu që vdes qysh në faqen e parë të librit dhe të babait të tij, i cili vdes në faqen e fundit të librit.

Ky roman shohim se përmban një ngjarje tragjike pasi që hapet dhe mbyllet me dhimbje.
Brenda romanit do të gjejmë personazhe të shumta, të cilët do të dëshmojnë rreth rastit të vrasjes, mirëpo pak nga ta do e thonë të vërtetën.Duke mos qenë roman policor ku zakonisht krimi që ndodh hetohet nga organet e hetimit shtetëror, d.m.th. ata interesohen fund e krye që ta zbardhin rastin, romani i Adil Ollurit anon kah zhanri i romanit psikologjik, ku d.m.th analizohet natyra e krimit dhe kriminelit, analizohet gjendja e tij psikike se çka e ka shtyrë ta kryej veprën me aq gjakftohtësi, pra më pak fjalë analizohen ato tipare, të cilat e shtyjnë njeriun të shndërrohet në vrasës.

Brenda këtij romani jo shumë të gjatë gjejmë ngjarje të kufizuara siç janë, vetë vrasja dhe pastaj hetimi i lënë në gjysmë për shkak kërcënimeve, duke vazhduar kështu me fjalët e njerëzve, të cilët diskutonin vrasjen pa pasur një perceptim të qartë.

Hetuesi brenda romanit nuk kishte arritur t’i gjente përgjigjet ende rreth rastit të vrasjes ,”Kush e vrau Omerin dhe pse” dhe pas kërcënimeve që merr ai heq dorë nga rasti, duke ia lënë kështu të gjitha dëshmitë që kishte mbledhur deri më tani rrëfyesit, i cili i përcjell ato ngjarje në roman.Pra, romani zë fill disa muaj pas vrasjes. Misteri i vdekjes nuk zgjidhet edhe pas dëshmive të shumta edhe pse çdo lexues pëlqen që romani të cilin e lexon ta ketë një fillim të qartë dhe fund të sqarueshëm.

Vrasja e Omerit e trondit të gjithè qytetin pasi që karakteri i Omerit me të cilin na njeh rrëfimtari nuk përputhet me karakterin e dikujt që të vritet papritmas një natë.

Omeri nga miqtë përshkruhet si një djalosh i pashëm i pasur i edukuar dhe i dashur me të gjithë. Pra, në bazë të këtyre virtyteve që autori ia vesh Omerit kuptojmë që ai ishte një djalosh i qetë që qëndron larg problemeve, andaj kjo e bën lexuesin shumë më kureshtar rreth pyetjes se kush dhe pse e vrau Omerin.

Autori na e përshkruan skenën e gjetjes së trupit të Omerit të shtrirë në një rrugicë pa drita në periferi të qytetit përballë një dyqani të vogël. Personi i cili kishte vrarë Omerin vërehet që ka qenë një njeri i ligë, pasi që plumbat që kishte hedhur mbi trupin e Omerit në bark dhe në gjoks, të cilin e rrëzuan në tokë duket se nuk i kishin mjaftuar. Kështu për të arritur qëllimin dhe të sigurohet që ka vdekur e hedhë plumbin final në ballin e Omerit.

I mjaftuan këta tre plumba të saktë që ta shuante një jetë, ai e kishte kryer veprën duke mos iu bërë vonë për frymën që po ndalte. Ai paraqitet si një vrasës gjakftohtë, i cili me siguri do të vazhdonte jetën e tij, sikur mos të kishte bërë gjë.

Numri tre, i cili përsëritet mjaft shumë brenda romanit nuk përdoret pa qëllim në krijimet e këtij autori, pasi që kemi një numër mitik, i cili haset shpesh edhe në letërsinë popullore. Andaj, autori e përdor vazhdimisht këtë numër për të specifikuar si tre dëshmitarë apo tre plumba.
Numri i tre plumbave nuk është karakteristik vetëm e këtij autori, por përmendet edhe te shumë autorë tjerë.

Tek pjesa me nëntitullin “Kush e vrau Omerin” , autori shprehet se kur vritet një i pafajshëm vritet një shoqëri e tërë dhe me këtë varg të vetëm e kuptojmë tundimin e autorit dhe tërë qytetit për këtë vdekje, e cila ngjalli dhimbje në shpirtin e çdo personi që kishte pas fatin ta njihte Omerin.
Por në krahasim me këta njerëz që e donin Omerin do të hasemi edhe me persona që nuk e kishin pëlqyer atë për arsye të ndryshme, ku shumica e këtyre arsyeve ishin pasuria dhe pushteti që kishte babai i Omerit.

Zakonisht kur ndodh një vrasje, aty duhet të ketë dëshmitarë e të dyshuar, pra do të ketë persona në gjendje gatishmërie t’i flasin ato që dinë e ato që kanë parë, mirëpo në rastin e vrasjes të gjithë ata stepeshin nga pak që të flisnin në fillim, për këtë shkak edhe rasti filloi të zbehet, ndërsa njerëzit kishin filluar të mos e përmendin më, pasi që edhe organet e hetimit nuk merreshin më shumë si në fillim me zbulimin e kësaj enigme.
Në fillim theksuam se romani mbyllet me vdekjen e Mujës, babai i Omerit, të cilit i kushtohen po ashtu disa pjesë të romanit. Pas vdekjes së këtij të fundit të vetmit që kujtonin Omerin ishin hetuesi Nehati dhe e ëma e Omerit, e cila i dërgonte lule në varreza.

Përpos pyetjës se kush e vrau Omerin padyshim që do shfaqet edhe pyetja rrjedhëse pas saj se pse e vranë. Autori i veprës ka dashur që ta mbajë kureshtjen e lexuesit aktive gjatë tërë rrëfimit, sepse vazhdimisht gjer në fund jep informacion të ri rreth gjetjes së enigmës.

Disa nga arsyet që dyshohej që se mund të ishte vrarë Omeri ishin shkaqet politike, xhelozia, apo edhe mund të ishte vrarë gabimisht, duke e ngatërruar me dikënd tjetër, mirëpo asnjëra nga këto aludime nuk mund të ishte e saktë.

Vepra përbëhet nga disa pjesë, të cilat cilësohen si kapituj, të cilat të gjitha së bashku krijojnë një kronologji të ngjarjes, por disa nga to mund edhe të qëndrojnë më vete, siç është p.sh pjesa e parafundit që mban nëntitullin “Monologu i Mujës tek varri i Omerit”, pasi aty kuptojmë që babi e vajton të birin e vrarë dhe paraqitet dhimbja e tij.
Ngjarjet ndjekin një rend logjik, mirëpo vërejmë që kemi rast kur autori dëshiron ta shkëpusë lexuesin nga tematika e vdekjes, andaj si digresion e ndërfut tregimin të cilin kinse Omeri student i letërsisë e kishte shkruar që mbante titullin “Gudulisja”

Të dyshuarit, dëshmitarët dhe paragjykuesit

Auori qysh në parathënien e librit na bën me dije që personazhet që flasin në veten e parë janë të huazuara nga materialet dhe shënimet e hetuesit, ndërsa në vetën e tretë flet vetë rrëfimtari.

I dyshuari i parë i vrasjes së Omerit kishte qenë punëtori i kafenesë, ku shkonte Omeri çdo ditë. Ai për shkak xhelozie e kishte kërcënuar edhe me vrasje, andaj ishin ngjallur dyshimet se ai mund ta kishte vrarë atë.

Me anë të të gjitha deklaratave të mbledhura të të dyshuarve, dëshmitarëve, familjarëve, paragjykuesve apo edhe shoqërisë autori na e paraqet karakterin e të gjithë këtyre personazheve, gjendjen psikologjike e emocionale të tyre në bazë të lidhjes së tyre me rastin e vrasjes.

Veçori e personazheve është fakti se si pas deklaratave të tyre të gjithë pësojnë ndryshime psikologjike, apo me pak fjalë ndryshojnë sjellje në krahasim me gjendjen se si kanë qenë më parë. Natyrisht se rrallëherë në botë ndodhin vrasje që nuk i sheh askush, sepse gjithmonë shfaqet dikush që ka parë diçka. Edhe në rasin e Omerit autori na paraqet tre dëshmitarë, të cilët e kishin parë krimin teksa bëhej. Që të tre vrasjen e Omerit e tregojnë në mënyrën e njëjtë, të cilën e kishin parë nga perspektiva të ndryshme.

Elemente të përbashkëta të tre dëshmitarëve e kishin faktin se të gjithë në fillim kan ndjerë frikë që të flasin për rastin pasi që kjo vdekje ishte më e ndjeshme.

Që të tre tregojnë se e kishin parë ftyrën e vrasësit dhe tregojnë se nuk ishte një fytyrë e panjohur për ta. Ai kishte kohë që dukej nëpër qytet dhe në bazë të kësaj kuptojmë se vrasësi kishte qenë duke përcjellur situatën prej kohësh dhe kjo padyshim është njëra nga karakteristikat që e bënte atë vrasës profesionist.

Njëri nga dëshmitarët kishte pohuar që e njihte mire atë dhe se ai disa muaj pas vdekjes së Omerit kishte vdekur nga helmimi. Nuk dihej nëse ai vërtet ishte helmuar rsatësisht dhe kishte marrë dënimin për veprën që kishte kryer apo helmimi i tij kishte ndodhur qëllimisht. Kjo gjë e bënte rastin edhe më të errët.

Aty ku deklaratat e dëshmitarëve e arritin pikën kulminante dhe ku autori arrin ta rrisë akoma kureshjen e lexuesit është momenti ku secili dëshmitar pas deklaratës së tij na shfaqet me një gjendje ndryshe nga ç’kishte qenë.

Dëshmitari i pare, i cili kishte qenë një person mjaft aktiv dhe kishte komentuar për çdo gjë që ndodhte tanimë ishtë më i qetë dhe përgjigjja e tij shumicën e kohë ishte “nuk e di”.

Dëshmitari i dytë ishte zhdukur, duke mos lënë asnjë gjurmë dhe pas një kohe ishte lajmëruar, duke kërkuar të mos e kërkojnë dhe se kjo ikje ishte zgjedhja më e mirë dhe e sigurtë për të.
Dëshmitari i tretë kishte luajtur të çmendurin dhe deklarata e tij në gjyq nuk ishte marrë më parasysh, dhe menjëherë pas pësaj kohe ai prapë ishte kthyer në gjendjen normale.

Pyetja e çdo kujt që lexon romanin padyshim që tashmë është se çfarë iu ndodhi tre dëshmitarëve, çka i dërgoi në atë pikë që të mbyllen në vetvete, a ishte arsye frika e tyre e vetvetishme apo ka ekzistuar diçka më shumë.
Këto janë disa nga pyetjet që autori nuk jep përgjigje përfundimtare, duke i lënë hapësirë lexuesit t’i gjejë përgjigjjet, duke e analizuar situatën në mënyrën e tij.

Krahas njerëzve që flisnin fjalë të mira për Omerin ishin edhe paragjykuesit, të cilët e gjykonin atë për mënyrën e jetesës që bënte, duke e akuzuar atë për përdorim të drogës apo edhe për punë tjera të pahijshme, mirëpo këto akuza i hidhnin poshtë miqtë e Omerit, duke e cilësuar atë si një djalë të edukuar e të shkolluar, i cili e kishte pëlqyer letërsinë.

Paragjykuesin Omerin e akuzonin për lidhje me vajza dhe gra të pandershme, për ngatrresa të ndryshme dhe madje e kishin zili se vrasja e tij diskutohej aq shumë.

Këto deklarata kanë qenë të nevojshme për rrëfyesin që ta shpalos një anë tjetër të kryepersonazhit, atë anë se si e kanë njohur njerëzit e tjerë, dhe këto të dhëna do ta ndihmonin më afër të së vërtetës.

Ngjashmëria e subjektit të romanit me ciklin e kreshnikëve

“Vdekja e Omerit” është një roman që mban të njëjtin titull si një ndër këngët më të njohura të ciklit të kreshnikëve. Është një roman që lexohet në formën e materialeve të hetimit nga vetë rrëfyesi. Ka një teknikë që i përshtatet një romani që rrëfen për një realitet, ku askush nuk guxon ta thotë të vërtetën. Ajo vetëm lexohet mes rreshtash.Titulli na kujtton me ciklin e kreshnikëve, aty ku Omeri i vogël në moshë, por i fuqishëm del në betejë me babain Mujën dhe sulmohet nga një numër i madhë serbësh dhe vritet aty.

Babai e varros në bjeshkë me duart e veta ku më pas ia kumton lajmin së ëmës Ajkunës, e cila kishte qenë kundër qe Omeri të dilte në betejë.
Në atë rast e shohim vajtimin dhe dhembjen e madhe të nënës për birin e vrarë.

Në roman nuk ka asgjë të njëjtë me vdekjen, pasi që Omeri i romanin tonë nuk vdes heroikisht e as babai Muja, i cili vdes disa muaj më vonë. I njëjë është vetëm “vajtimi i Ajkunës”.

Autori brenda romanit ka përfshirë edhe vargjet nga epika legjendare “Ajkuna kjan Omerin”. Ajo shpreh dhembjen për birin e vrarë në betejë, duke mallkuar hënën që iu shua jeta Omerit me vargjet
T’u shkimtë drita ty, o mori hanë-
qi s’ma çove at natë nji fjalë…

                        Mallkue kjosh o mori hanë,
                        qysh me e lane nanë t’pa djalë

Vuajtjet dhe lotët e nënave janë të njëjta si atëherë si sot, andaj autori e kishte parë të duhur që të mos ndryshojë asgjë në vajin e Ajkunës të kamotshme për Omerin e vrarë.Pra, nëna e Omerit në roman gjendet në zërin e një nëne vajtuese me zërin e Ajkunës së legjendave.
Në të dya rastet na paraqitet dhembja e njëjtë e nënës për të birin, e cila edhe pasi të tjerët kishin filluar ta harronin vdekjen e Omerit, ishte nëna ajo e cila e vizitonte akoma varrin e tij duke i dërguar lule.

Vdekja e Omerit te kreshnikët dhe e Omerit te Olluri është konsideruar edhe si mënyrë për të nxjerrë në pah karakteret e personazheve të tjera, p.sh. Muji i Kreshnikëve ka dalë si një burrë, i cili e nxjerrë fëmijën në betejë edhe pse e di se serbët do ta sulmonin, kurse Muji i kohës së autorit del po ashtu një burrë me karakter të fortë e mendjemadh, siç e konsideronin të tjerët pasi si armën e tij më të fortë i kishte paratë. Po ashtu, vdekja e Omerit në roman nxjerrë në pah edhe realitetin e kohës të përmbushur me korrupsion.

Arsye se pse autori vendosë t’i përfshijë pikërisht këto personazhe kreshnike është mbase ai çdo herë ka imagjinuar si mund të jetë Muja i kreshnikëve në një botë më moderne. Muja e Omeri mveshen me karakteristika të reja, ndërsa Ajkuna mbetet një vajtuese e përjetshme e Omerit të kreshnikëve dhe Omerit të Ollurit.

Omeri i kreshnikëve dihej se nga ishte vrarë, mirëpo misteri i vdekjes së Omerit në roman nuk ishte akoma i qartë.

Muja i romanit na kujton në shumë karakteristika me Mujën e kreshnikëve, pasi që të dy dalin si të pushtetshëm dhe të forte, edhe pse në mënyra të ndryshme.

Romani hapet dhe mbyllet me vdekje, por asnjëra heroike përkundër personazheve.

Dhimbja dhe reflektimi i babait pas humbjes së birit

Babai i Omerit luan një rol shumë të rëndësishëm në vdekjen e të birit. Ai paraqitet si një njeri, i cili kishte në dorë gjithë qytetin. Ai hynte e dilte kudo dhe askush nuk i bënte pyetje. Pasuria e tij sa vinte dhe rritej çdo ditë dhe çdo problem e zgjidhte me para. Ai ndjeu një dhembje të madhe për humbjen e birit sa që u dërmua i tëri.

Në fillim të veprës na bëhet e ditur se edhe ky ndërron jetë disa muaj pas Omerit, mirëpo para kësaj autori mundohet të na njohë me karakterin e tij dhe anën tjetër të tij, të cilën se kishin njohur të tjerët. Çdokush e përshkruante atë si një njeri arrogant, i cili se shihte askënd para vetes dhe para parave.

Muja i kishte pasur pesë fëmijë, 4 me gruan e parë dhe Omerin me gruan e dytë.

Përpos pjesës ku Muja shfaqet si njeri i mbushur me mllef për vrasjen e të birit arrijmë të shohim edhe anën e tij të ndjeshme, Mujë si familjar.

Tek pjesa e parafundit të romanit, të titulluar “Monologu i Mujës pranë varrit të Omerit”, ai shfaqet në gjendjen e tij më të rëndë, siç nuk ishte parë kurrë, pra e kishte lëshuar veten dhe nuk kujdesej më për veten. Dhimbja e tij tani kishte arritur kulmin. Ai zhvillon monolog pranë varrit, duke iu drejtuar Omerit sikur ai ta dëgjonte.

Ndjehej fajtor që nuk u treguar baba i denjtë dhe i kërkonte atij të zgjohej e t’i tregonte kush e vrau.
Muja u gjet i vdekur në shtratin e tij disa muaj pas vdekjes së Omerit. Ai duket se nuk e kishte përballuar vdekjen e të birit dhe dhimbja ia kishte mbuluar trupin dhe fjalët e tij të fundit kishin qenë: “Unë jam një i vdekur që ende eci dhe marrë frymë”. Përpjekjet për t’iu përgjigjur pyetjes se kush e vrau Omerin e Ollurit paraqesin një realitet të dhunshëm. Cila është e vërteta rreth këtij misteri duket se mbetet në duart e lexuesve të analizohet dhe secili ta gjejë përgjigjen e vet përmes fakteve që na solli rrëfyesi.

Përgjigjja e shumicës mund të jetë se Omeri u ndëshkua për të bëmat e të atit, për shkak të korrupsionit të asaj kohe. Mendohej se dikush nga armiqtë e Mujës mund ta ketë vrarë Omerin si lloj hakmarrje ndaj tij. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse babai nuk e përballoi dot atë dhimbje.

Arsyeja se pse autori i jep të gjitha këto dëshmi dhe po ashtu përfshin vrasjen e një njeriut të ligjit në rrëfimin për Omerin është për të shpalosur para botës një ambient të pasigurt për hetimin e së vërtetës.

Omeri vritet dhe dyshime të njëpasnjëshme e mbulojnë vdekjen e tij, misteri akoma vazhdon të mos zgjidhet edhe pas varianteve të shumta për motivet e vrasjes nga të gjithë.

Me anë të këtij romani autori ka pasur qëllim të shpjegojë dhe të jap faktet e mbledhura për të zgjedhur një mister, i cili sa shkonte dhe bëhej më i thellë.

Romani është si një tërësi copëzash të shkurtëra që janë kapituj më vete me tituj paralajmërues. Ajo që i mbetet lexuesit është t’i mbledhë copëzat e këtij rrëfimi dhe ta ndërtojë një përfytyrim të vetin rreth romanit në tërësi.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com

Të ngjajshme