13 Shtator, 2019 - 11:30 am
Nga Fatmir Terziu
Rrahman Dedaj është një nga penat shqiptare që do të mbahet mend gjatë. Në strukturën e letrave shqiptare në Kosovë, emri i tij është i pranishëm në tërë aspektin global të fushës letrare. Që nga skicimet e deri tek rrëfimet me vlera, që nga artikujt e deri tek drejtimi i revistave. Kështu emri i tij shfaqet edhe në drejtimin e revistës “Jeta e Re”, Rrahman Dedaj në vitin 1973, ishte përpos emrave si Esad Mekuli, Rexhep Qosja, Hasan Mekuli, Ali Jasiqi etj. Por ai është mbi të gjitha poeti që ndikoi bashkë me një grup tjetër poetësh në modernizimin e letërsisë shqipe pas luftës. Bashkë me poetët e tjerë, si Ali Podrimja, Din Mehmeti, ai solli risi të reja. Por a ishte vetëm poet Rrahman Dedaj?
Dedaj jo vetëm poet
Shkrimtarin dhe poetin e shquar shqiptar, Rrahman Dedaj, jemi mësuar t’a quajmë poet. Poetin më në zë të Kosovës. Jemi mësuar t’a vlerësojmë për poezinë e tij. Kanë shkruar dhe e kanë cilësuar sit ë tillë mjaft studiues, kolegë e kritikë. Por, atij në fakt nuk i është dhënë kurrë e drejta, kurrë nuk i është thënë se vepra e tij për fëmijë e rendit në majat e letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, pse jo edhe në piedestalin e letërsisë kontemporane për fëmijë në Botë. Pse e themi këtë me bindjen tonë duke lexuar dhe analizuar krijimtarinë e tij në përgjithësi e sidomos në këtë aspekt. Në analizën tonë do të argumentojmë me fakte dhe me detaje.
Në një nga njoftimet tejet dashamirëse të stacionit televiziv RTK veç lajmit tejet pozitiv “U promovua kompleti i veprave letrare të Rrahman Dedajt” thuhet: “Rrahman Dedaj, e ka filluar, vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike, duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare.” Edhe kur u promovua vepra e tij letrare thuajse ishte e njëjta rrjedhë. Në promovimin e kompletit të veprave letrare të Rrahman Dedajt, të botuara nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” dhe e përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës, thuhej se pena e tij ishte edhe rrëfimtare e ndjeshme. Kështu mjaftojnë vetëm pak fakte të ndalim hovin tonë për ta kanalizuar krijimtarinë e tij thjesht si të ‘poetit Dedaj’. Vërtet ai ishte dhe mbetet një poet i veçantë, por ai ndërtoi mjaft bukur dhe këndshëm edhe në prozë.
Shkrimtari Rrahman Dedaj krijimtarinë letrare e filloi herët, në kohën kur në Kosovë ishin të paktë njerëzit që merreshin me të. Të gjitha veprat me poezi për të rritur dhe për fëmijë, janë përfshirë në botimin e tplotë të veprës letrare në katër vëllime.
Rexhep Qosja: përvojat që përmbanin historia dhe metodologjia kombëtare, krijimtaria gojore e popullit, përmblidhen në poezinë e Dedajt
Duke shtuar më tej lexohet: “Akademik Rexhep Qosja, tha se përvojat që përmbanin historia dhe metodologjia kombëtare, krijimtaria gojore e popullit, përmblidhen në poezinë e Dedajt, me një thellësi kuptimore dhe me një figurshmëri, pothuajse të paprovuar më parë në poezinë shqipe.” (po aty). Dhe më tej ndriçohet duke cituar, Qosen, që shprehet: “Rrahman Dedaj është poeti, i cili me thellësi dhe figurshmëri të veçantë e ka kënduar fatin e Kosovës, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj. E ka filluar, vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe më në fund të gjitha trojeve shqiptare” (Qosja, po aty).
Në tërë këtë kuptohet qartë e harruara ose e anashkaluara e arritjeve dhe vlerave të Dedajt në fushën e krijimtarisë prozaike për fëmijë. Po të marrim si shkas vetëm njërin nga tregimet e tij për fëmijë, pikërisht tregimin “Si lindi tregimi” shohim qartë se shkrimtari Rrahman Dedaj, nuk është vetëm poeti që këndon bukur dhe rrjedhshëm, por edhe shkrimtari që vë këngën e tij të mrekullueshme të fjalës shqipe në gjuhën e moshave të ‘urritura’ për stilin e tij. Ja se si shkruan ai në këtë tregim: “Na ishte njëherë një përrallë, e në përrallë një princeshë e vogël. Princesha kishte në kokë një kurorë të argjendë e në gisht një unazë të artë. Thesari i saj më i madh ishte fjala. Fjala e saj ishte e ëmbël. Në këtë përrallë dëshiruan të hynin të gjithë fëmijët e botës. Prandaj s’ka pasur fëmijë që nuk e dinte përmendësh. Secili prej tyre dëshironte të ketë kurorë të argjendë mbi kokë, unazë të artë në gisht dhe të qeshte ëmbël. Por, një ditë ngjau diçka e papritur. Fëmijët më nuk deshën të mendonin për përrallën. E harruan shumë shpejt. Kush ishte fajtor për këtë? A thua, fëmijët i hidhëroi princesha e bukur, apo këta ia kishin zili?! Jo as njëra as tjetra. Por ngjau diçka fare e çuditshme. Në përrallë hynë njerëzit e këqinj-kusarët. Ata deshën t’ian marrin princeshës kurorën e argjendë dhe unazën e artë. Atëherë princesha iku prej përrrallës. Në përrallë mbetën vetëm kusarët…”
Vlerat e Dedajt
Duke vazhduar sërrish me vlerësimin ndaj veprës së Rrahman Dedajt, paharruar idetë e reja që përshkojnë poezinë e Dedajt, duhet shtuar dhe vlerësuar se ai e ka sjellë Evropën në poezinë tonë shqipe. Akademiku Sabri Hamiti, shprehet se poezia e Rrahman Dedajt, e shkruar për një gjysmë shekulli, ‘nuk ka ndërrime të mëdha.”. Hamiti shton më tej se “Ajo plotësohet e zgjerohet nëpërmjet varianteve për të dëshmuar një origjinalitet.” Ky identitet poetik përbëhet nga shprehja spontane, ndjeshmëria e figura e parë elementare. Nënvizojmë që poezia e Dedajt nga fillimi deri në fund e ruan karakterin e vet themelor, flet qetë duke figuruar, thotë më thellë duke sugjeruar, kërkon afri e dashuri, e cila kalon nga niveli i mallit në nivelin e mallëngjimit.
Por edhe pse nuk është lënë pa u përmendur edhe krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Dedaj, pjesëmarrësit janë mjaftuar të shprehen, se “Rrahman Dedaj është një nga shkrimtarët serioz të brezit të dytë të shkrimtarëve tanë për fëmijë, brez që bëri përpjekje që krijimtarinë tonë letrare për fëmijë ta barazojnë me atë të letërsive më të zhvilluara moderne për fëmijë.” Dhe këtë nuk mund t’a themi thjesht si një përpjekje të Dedajt. Vepra e tij është arritje dhe vlerë. Ajo flet qartë. Tregimi i cituar në vazhdim përshkon pa dorashka këto vlera, këto arritje në zbukurimin e tij filozofik. Ai është mjeshtër në gatimin e filozofisë që flet bukur edhe për këtë moshë: “Kështu këtë përrallë e harruan fëmijët, por tregimi për princeshën nuk mori fund.
Ajo doli në breg të detit dhe takoi peshkatarët. Ata ishin njerëz të mirë. Ia dhanë një barkë me margaritarë dhe i thanë të jetëojë në mesin e tyre dhe bashkë të shëtisnin në det.
“Ju jeni shumë të mirë. Puna juaj është e ëmbël, rrjetat tuaja janë të dashura, por mua më duhet të shkoj dhe të hyj në përrallën e bukur, që e duan fëmijët”, tha princesha.
Atëherë e mori barkën me margaritarë dhe u nis nëpër detin e kaltër. Peshkatarët e përshëndetën prej bregut të detit me shamia të blerta dhe i uruan lundrim të këndshëm.
Ajo largohej e prej së largu i shkëlqente kurora e argjendtë dhe unaza e artë. Rrezet që binin mbi të, shndërroheshin në ylbera.
Para se të arrinte në bregun tjetër, princesha dëgjoi një këngë. Ajo ishte kënga e tre vocërrakëve të mirë dhe, të armatosur me harqe dhe me shigjeta. Kishin dalë për t’i vrarë kusarët dhe për të shpëtuar princeshën. Kur barka iu afrua bregut të detit dhe zbriti princesha e vogël, vovërrakët i këndonin dhe i buzëqeshnin. Ajo zu të shpërndajë margaritarë dhe t’u flasë me ëmbëlsi:
“Do t’i thërrasim gjithë vocërrakët e botës!”
“Të gjithë do të flasim ëmbël!”, thanë fëmijët.
“Dhe do të këndojnë si ju”, shtoi princesha.
“Kjo do të ishte më mirë se në përrrallë. Ky do të sihte tregimi më i bukur që është shkruar deri më tash”, buzëqeshën fëmijët.
“Në tregimin tonë s’kanë për të hyrë më kusarët, as njerëzit e këqij”, – shtuan fëmijët.
Dhe kështu në vend të përrallës, lindi tregimi i bukur për tre fëmijët e mirë dhe për princeshën me kurorë të argjendtë dhe me unazë të artë. (Dedaj).
Kështu duke u ndikuar dhe mahnitur fuqimisht me leximin e Rrahman Dedajt në këtë fushë, natyrshëm fjala është për vendin e merituar të krijimtarisë së tij. Pra, vepra e tij, më saktë letërsia për fëmijë nuk duhet të jetë shkak për “etërit e letërsisë sonë didaktike”. Ne jetojmë me letërsinë e tij për fëmijë dhe më tej…Jo më kot e kam përfshirë edhe në Antologjinë e vetme poetike në Gjuhën Angleze, “Eagles Voices”, që ndodhet edhe në British Library, këtë figurë të nderuar të krijimtarisë shqiptare.
Figura dhe jeta e krijuesit
Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penduhe, afër Podujeves, Kosovë. Shkollën fillore e kreu ne Podujeve, shkollën normale dhe fakultetin filozofik ne Prishtine. Me letërsi filloi te merret qysh ne bankat e shkollës. Ka botuar keto vepra: “Zogu dhe Kulla”, “Me sy kenge”, “Simfonia e fjales”, “Balada fshehur”, “Etje”, “Fatkeqesia e urtise”, “Kryqezim hijesh”, (poezi per te rritur). Pastaj përmbledhje të tregimeve “Fshehtësia” dhe “Medaljoni” si dhe përmbledhjen e vjershave për fëmijë “Dy liqej”. Ai është edhe autor i disa tregimeve për fëmijë. Me tregimi për fëmijë “Si lindi tregimi” ai ka kristalizuar edhe një të pathënë për krijimtarinë e tij, duke e rradhitur atë mes emrave të shquar, jo vetëm nëmesin e poetëve shqiptarë, pore dhe në mesin e një mjeshtri të letërsisë për fëmijë. Është parathënë në një nga studimet e Nehas Sopajt se “është vështirë të emërtohen të gjithë, por më të njohur janë M. Kuteli, R. Hoxha, O. Grillo, A. Islami, Rr. Dedaj, I. Kadriu etj, të cilët e kanë pasur horizontin e letërsisë shqipe me përrallat e ritreguara dhe fëmijët i lexojnë me kurreshtje” (Sopaj, 2007:70). (Lexo: Letërsia për fëmijë, Nehas Sopaj, 2007, botim i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Shkupit) /KultPlus.com