Rreth librit “Strehë Dashnie” nga Besnik Camaj

18 Janar, 2019 - 3:26 pm

(Besnik Camaj: “Strehë Dashnie”, “OM”, Prishtinë, 2018)
Shkruan Vlora Ademi

Në kohën kur poezia po shpërfytyrohet gjithnjë e më shumë, Strehë Dashnie na vjen si vlerë e padeformuar, duke e ruajtur thelbin e mirëfilltë të poezisë, me një shije të stërholluar estetike. Përderisa erotika në poezinë shqipe është trajtuar si ankth dhe ka vërshuar si liri e munguar, në Strehën e autorit Besnik Camaj, atë e ndjen si ndjenjë fisnike, si përjetim hyjnor, me një thelb plot filozofi.

Mes faqeve të librit, lexuesi jo vetëm strehohet në ngrohtësinë e vargut, por takon edhe ndjenjën më të bukur njerëzore, dashurinë. Dhe kjo ndjenjë është e kultivuar në mënyrë shumë të çiltër nga autori. Aq natyrshëm përjetohet kjo ndjesi mes rreshtash, sa që vetvetiu kuptohet se i vetmi synim i autorit është, ta ndajë dhe ta përçojë tek lexuesit këtë ndjenjë.

Në vargjet e Strehës, përpos që janë shkrirë dy muza të poezisë, euterpa dhe errata, në poemat e saj Republika dhe Art-i, është shkrirë edhe muza epike, kaliopa, që i jep përmasa shumëdimensionale veprës dhe një diskurs lirik me botë të thellë përceptimi. 

Para së gjithash, tek Streha nuk mund të mos e vërejmë edhe dialektin e poetit, si simbolikë e veçantë që tashmë i karakterizon ligjërimet e tija dhe e bën poezinë e tij shumë më semantike duke ndërtuar një stil thuajse origjinal.

Libri fillon me poemën e Republikës, totemit të veprës siç e quan prof. Zija Vukaj, dhe vazhdon me pjesën e parë Brigjeve, ku autori ndërton raportin e tij me “mëkatin”, por që, në të njejtën kohë ec brigjeve përkrahë tij:

heret-a-vonë

kam qejf me ba dashni me ty

le të marr’ n’thu edhe Toka

ndoshta kthehet në krah t’duhun

e ia sheh t’mirën tanë bota

f.28

Tek pjesa e dytë Shtigjeve, autori i bënë lexuesit shtegës të imagjinatës dhe përjetimeve të vargëzuara me delikatesë të spikatur, duke shpërfaqur dellin e mprehtë të penës dhe të lirikës:

Kurrë nuk u bëmë bashkë

sa i ngushtë ky shteg

për t’u ça

sa e shkurtë kjo jetë

për t’u nda

f.49

Gjuha metaforike e poetit, shpeshherë e futë në grackë të një mendimi më të thellë lexuesin, për ta kuptuar thelbin e vargut.

Në pjesën e tretë Majave, vargjet bëhen më të mprehta dhe thumbuese, sikur është poezia Pa dashtë (f.67),  megjithatë, në këtë pjesë, poeti i ka trajtuar majat në dy dimensione. Në rastin e parë, si element “thumbues”, ndërsa në të dytin si element kulmor, duke ndërtuar një antitezë kuptimore:

Si

shi sigjim

kacavaresha

ujvarës së qiellit

f.79

Dhe si ndodh rëndom, në pjesën e fundit, Qiejve, gjithmonë takojmë të pazakonshmen, atë më të veçantën, më të bukurën, njashtu sikur poemën ART-it, që kuptohet se jorastësiht i takon kësaj pjese të librit. Kjo poemë vjen me porosi të posaçme, si testament për lexuesit, tipike e stilit të Redyard Kipling, por jo edhe e zhveshur poetikisht. Nuk është poemë që lexohet vetëm njëherë. Është poemë që lexuesi do ta mbartë me vete dhe do t’ia përsëris vetes dhe të tjerëve paprajshëm. Është poemë që ka mesazh kuptimplotë me refleksione dhe ide që vijnë e shtresohen tek lexuesi, sa herë që të rilexohet. Vramendja estetike krijohet vetvetiu, ngase porositë kanë rrënjë të kahmotshme, por që janë sjellë me shembuj konkret nga subjektiviteti i autorit dhe me një gjuhë të bukur figurative. Pa dashur të bëhen dallime mes vargjeve, mesazhin më kuptimplotë të kësaj poeme e gjejmë tek pjesa e katërt e saj, saktësisht në faqen 86.

Art nuk asht

përçapja e arrës gojëhapun

po thyemja e saj me një t’rame dore

kur ke shumë kokrra

që vijnë nga trupa të ndryshëm

e ti me një t’prekun t’gëzhojës

me mollëzat e gishtave

ia gjen masën e goditjes secilës

e i then pa i shkallmue

për me ua nxjerrë thelbin e plotë

f.86

Kam përshtypjen që hijeshia e gjithë mozaikut të poezive përmblidhet në këtë strofë. Përmes këtij kombinimi kaq domethënës të realitetit me nuanca arti, poeti Bes Camaj, na jep një mesazh të skalitur me thekshmëri dhe këmbëngulësi poetike. Në këtë strofë, përqëndrimi i autorit është tek masa, por të përmblidhet ky koncept në këtë formë të bukur letrare, kjo po që është dhunti artistike. Për ta ditur dhe kuptuar vlerën e masës së gjërave dhe pastaj të veprosh drejtë me to, pa i dëmtuar, pa i ngatërruar, pa i keqpërdorur është ndjenjë fisnike, madje dhe hyjnore.  Aq më shumë kur me kaq mprehtësi artistike, duke ndërtuar një kocept filozofik, e pasqyron idenë e tij përmes frutit të arrës të cilën e ngrit në kuptimin e një simboli, të rrallë në poezinë tonë. Në këtë pikë qëndron gjithë fuqia poetike e fjalës, për t’i sjellë lexuesit dhe letërsisë një vepër të plotë arti, siç është vepra Strehë Dashnie.

Të ngjajshme