‘Rruga drejt muzikës është vet muzika’

6 Prill, 2019 - 4:30 pm

Rafet Rudi

Muzika – kudo që të shfaqet dhe në cilëndo formë – mbetet vetëm muzikë dhe asgjë tjetër

———————

Në qenien e vet, muzika kryen funksionin imanent të fisnikërimit të njeriut, dhe në këtë mënyrë e ndryshon atë dhe qëndrimin e tij ndaj saj, dhe kështu edhe ajo vetë evoluon, duke ruajtur mundësitë dhe mënyrën e ekzistimit të vet.

Në ç’mënyrë jeton muzika?

Ekzistimin e vet ajo e manifeston me tinguj, të cilët i janë nënshtruar më parë vullnetit të njeriut (kompozitorit) në kombinime të panumërta, duke u shërbyer me elementet e veta themelore të ekzistimit: melodi, ritëm, harmoni, tempo etj. Mirëpo, a ishte kurdoher njeriu korrekt dhe objektiv ndaj saj, kur janë në pyetje mundësitë e saj. Sepse është e vërtet se gjatë historisë (e këtë do ta sqarojmë më poshtë) prej muzikës është kërkuar shumë më tepër nga ajo që mund të ofrojë realisht ky art.

Një gjë dihet me siguri – muzika ka luajtur rol me rëndësi në proçesin e zhvillimit shoqëror të çdo civilizimi. Le të na kujtohet Greqia antike, që muzikës i bënte vend prioritar në mesin e arteve të tjera. Krahas matematikës, poezisë dhe filozofisë, muzika ishte lëmi kyqe për zhvillimin e shtetit. Në filozofinë e Platonit e të Aristotelit, bie fjala, ajo u tregua si një objekt shumë i rëndësishëm pedagogjik e politik. Edhe në qytetërime tjera, në Egjiptin e vjetër, në Kinë, në Mesopotami etj., muzika ka pasur poashtu rol me rëndësi. Më së shpeshti, në të kaluarën, muzika është shfaqur e sinkretizuar me lloje të tjera artesh, posaqërisht me poezinë, me ç’rast janë bërë përpjekje për të paraqitur diçka, për të shprehur, për të sqaruar apo për të kërkuar diçka. Në këtë lloj sinteze, muzika mundet edhe të ndihmojë edhe të jetë e ndihmuar. Mirëpo, kur prej saj është kërkuar që, në mënyrë të pavarur, të shpreh diçka apo të paraqes diçka (në Greqinë e vjetër, bie fjala, në shekullin VI para erës sonë, Skadasi përpiqej ta përshkruaj luftën e Apolonit me kulçedrën, jo ndryshe por duke i rënë aluosit ), të shpjegojë a të kërkojë diçka konkrete (lë të na kultohet magjitë në bashkësitë primitive), atëherë kanë filluar të behën përpjekje që muzikës t’i jepet një dimension tjetër i ri, që në kohë më të reja, ku më shumë e ku më pak, kishte mjaftë ithtarë, sa që në shekullin XIX të arrijë kulmin, me ç’rast edhe u quajt me emrin e vete të vërtet – muzikë programore.

Mundësitë reale të muzikës

Ndryshe nga letërsia, bie fjala, muzika nuk posedon koncepte, përkatësisht, lënda e saj nuk përmban ndonjë përcaktim të veçantë konceptual. Materia e saj e vetme e ekzistimit është tingulli – e dihet se tingulli është vetëm një fenomen akustik, i cili këtu paraqet atë që paraqet fjala në letërësi, guri në skulpturë, ngjyra në pikturë etj. Nëse nga muzika kërkohet t’i kapërcej mundësitë e veta objektive, që determinohen nga natyra e mjeteve të veta shprehëse, atëherë llojin e till të muzikës e quajmë muzikë programore. Dhe ansjelltas, nëse muzika nuk shkon më larg se ajo që mund të ofrojë objektivisht, nëse ajo nuk aspiron që nga fenomenet të thata akustike të kërkojë koncepte precise, atë e quajmë muzikë absolute.

Fillet e muzikës programore, apo më mirë thënë, të programit në muzikë, i përmedëm më lart. Synime të njejta paraqiten edhe gjatë historisë së mëtejshme. Ta përmendim muzikën vokale të J. des Pres-it, të L. Marenzio-s, të O. di Lasso-s, të G. Gabrielit, të J. Gallus-it e të tjerëve, tek të cilët ishte i pranishëm synimi që të bëhen përshkrime me anë të muzikës. E njejta gjë paraqitet edhe në barok e në klasicizëm, madje duke aplikuar pragramin përmes formave të muzikës absolute: përmes simfonisë, kocertit, sonatës etj. Ta marrim një shembull të muzikës programore – te Simfonia VI e quajtur “Pastorale” e Beethovenit, pesë kohët e saj kanë nëntituj, si “Zgjimi i ndjenjave të hareshme në të hyrë të fshatit”, “Skena te përroi”, “Tubimi i hareshëm i fshatarëve”, “Shtrëngata”, “Kënga e bariut”.

Në këtë mënyrë arrijmë të romantizmi dhe tek përfaqësuesit e saj më tipik – Hektor Berliozi dhe Franc Listi. Njëra nga arsyet që ata instistonin me aq ngulm në muzikën programore pamëdyshje është evoluimi i vetë formës muzikore, përkatësisht “shtjerrja” e formave të muzikës absolute (të formës së sonatës, rondos etj.). Duke aplikuar programin në muzikë, ata u përpoqën ta rrënojnë “statizmin” e strukturës formale dhe arkitektonikën e fortë kompozicionale, të cilën deri më atëherë klasikët e kishin ngritur në kulminacion, e që ndonjëher linte përshtypjen e koncepcionit të klishetizuar. Duhet thënë se Berliozi, thuaja ithtar fanatik i muzikës programore, përkundër përpjekjeve të shumta nuk arriti që formën t’ia nënshtrojë përmbajtjes. Ai veçse zgjëroi suazat formale ekzistuese dhe në këtë kontekst aplikoi edhe programin. Ndërkaq, format ekzistuese te Berliozi mbeten të njejta. Ato do t’i lëkundë vetëm përfaqësuesi i dytë i madh i muzikës programore – Franc Listi. “Ai do të përpiqet”, siq thot Albert, “që poemat dhe mitet më të mëdha të njerëzimit t’i përkthejë në gjuhë të orkestrës” (lexo: të muzikës).

Po kështu, edhe përfaqësuesit e impresionizmit, gjatë krijimtarisë së tyre janë lidhur ngusht me programin, por me një program që është më i afërt pikturës sesa letërsisë. Nëse Berliozi dhe Listi synuan që muzikën ta shndërojnë në një lloj poezie, atëherë mund të thuhet se impresionistët përpiqen që muzikës t’i japin një frymë të re, një process të ri jetësor që është karakteristik për pikturën. Zgjidhje të re, Debysi (përfaqësues më tipik i impresionizmit), gjen tek imitimi i pikturës, duke u përpjekur që përmes muzikës ta përsërisë hapin e madh të Manesë e të Renoarit, duke u shprehur ekskluzivisht me anë të ngjyrave…

Muzika e shekullit XX, dhe kompozitorët modern, thuase janë më pragmatike dhe më objektiv karshi karakterit dhe natyrës së këtij arti. Në muzikën moderne dëgjuesi mund të përjetojë muzikën drejtëpërdrejti, me tërë fuqinë që ajo ka, e liruar nga cilido element i jashtëm (jashtëmuzikor), me të cilat janë të ngarkuara artet e tjera dhe të cilat te muzika paraqesin pikërisht përparësinë e saj. Tashmë ajo nuk do të paraqes gjë, por as të shprehë gjë, sepse edhe në rast të tillë, njëfarë objekti bëhet i rëndësishëm, qoftë edhe në pikëpamje psikike, objekt për të cilin shprehemi; ajo do që të bëjë. Ajo paraqet dhe shprehë direkt vetëvetën. Në pajtim me këtë, do të thoshim se më në fund, me këtë pikëpamje, muzika ka siguruar autonomi të plotë. Është me interes pozicioni i Stravinskit lidhur me këtë temë. Ai me një rast thot: mendoj se muzika, përkah esenca e vet, nuk është e aftë të shpreh çkado: një ndjenjë, një qëndrim, një gjendje psikike, një fenomen natyror e të tjera… SHPREHJA nuk ka qenë kur cilësi imanente e muzikës. Raison d’etre i muzikës (arsyeja e ekzistimit të saj) nuk kushtëzohet në asnjë mënyrë nga shprehja. Nëse ngjanë që muzika të shprehë diçka, siq ngjanë rëndomë, është ky vetëm një oluzion e jo edhe realitet. Është ky thjeshtë një element i rastësishëm që ne, me njëfarë konvencioni të heshtur po të rrenjosur, ia kemi dhënë hua muzikës, ia kemi imponuar si etiketë, si protokol, shkurt, si qëndrim, të cilin – në saje të shprehisë apo edhe në mënyrë të pavetëdishme – kemi zënë ta ngatërojmë me esencën e muzikës”.

Por pyetje për një pikëpamje të till edhe më tutje mbetet se nëse muzika nuk po paraqitka, nuk po shprehka, pasi nuk u shërbyeka me “ide”, atehërë si ekziston muzika si art.

Metafizikja në muzikë

Të nisemi nga elementarja. Vepra muzikore, përkah genusi i vet, i takon një forme të posaçme të qenies shpirtërore, i takon “frymës objektive”, që pushon në materie (ligji i objektivizimit i Hartmanit, sipas të cilit shpirti shndërohet në materie). Meqë muzika, pra, nuk mund të shprehë ndonjë ide, siq bën letërsia bie fjala, atëherë, si objektivizohet ajo? Filozofi polak Roman Ingarden ka vërejtur mirë se edhe prapa ideve duhet të ekzistojë ndonjë dimension në të cilin ajo do të mund të sëndërtohet shpirtërisht, e kjo “prapavijë” është – metafizikja.

Metafizikja është dhënë këtu (në muzikë) në relacionet mes toneve, pra në raporte të tyre reciproke, pikërisht aty ku konstituohet vetë muzika. Dhe, pikërisht për këtë arsye mund të thuhet se muzika është, për dallim nga të gjitha artet e tjera, arti më i drejtëpërdrejt, sepse, shpirtësia në të jepet përmes lidhjeve në mes toneve që dëgjuesi i përcepton drejtëpërdrejt me anë të shqisës së të dëgjuarit. Ideja muzikale është mbrenda muzikës e jo jashtë saj. Një kompozitor Italian, me një rast, thot “Muzika kudo që të shfaqet dhe në cilëndo formë – mbetet vetëm muzikë, dhe asgjë tjetër. Ajo mund të hyjë në një kategori tjetër të posaçme (psh. si “muzikë revolucionare, “muzikë kishtare” etj.) vetëm e vetëm në saje të përfytyrimit dhe të titullit apo emrit, në saje të tekstit të shënuar përbri si dhe në saje të situatës në të cilën e vendosim e jo për shkak të strukturës së posaçme dhe specifike.

E gjithë kjo, në realitet, është një qasje ontologjike artit që veprën artistike e konsideron qenie në vete, e cila nuk ka nevojë për argumentim e shpjegim, sepse ajo argumentohet vetë me ekzistencën e vet, sikundër njeriu që nuk mund të argumentojë konceptualisht ekzistimin e vet. Ai mund vetëm të përjetohet nga tjetri apo të ndjehet drejtëpërdrejti. Andaj edhe muzika nuk duhet të spjegojë të shprehë dhe të transmetojë diçka konkrete për t’u “kuptuar”. Rruga drejt saj është e hapur. Në muzikë mund të arrihet vetëm e vetëm me anë të muzikës./ KultPlus.com

Të ngjajshme