18 Nëntor, 2020 - 3:33 pm
Shkruan Hivzi Muharremi
Me rastin e ekspozitës personale të piktorit, Akademikut Rexhep Ferri hapur kohë më parë në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë, e cila akoma qëndron e hapur.
Piktori Rexhep Ferri në bazë të kësaj ekspozite dëshmon që në asnjë çast nuk e ka ndërprerë punën e vet kreative me të cilën që nga përfundimi i studimeve është duke u marr aktivisht. I takon brezit të vjetër të krijuesve të arteve, brez i cili i vuri themelet e artit modern në Kosovë veçanërisht pas viteve të 60 – dhjeta kur vien në shprehje karakteristikat parësore të çdo krijuesi, të cilët lirisht mund t’i quajmë brezi i artë të arteve figurative në Kosovë, ndonëse elementet e para moderniste të drejtimeve pas impresionizmit do shpërfaqen në veprat e krijusve, duke filluar nga Muslim Mulliqi, Tahir Emra, Xhevdet Xhafa, Nusret Salihamixhiqi, Gjelosh Gjokaj, Agim Cavdarbasha, Fatmir Krypa e shumë e shumë të tjerëve të cilët me veprat e tyre ndikuan në zhvillimin e rrjedhave të ndryshme artistike. Këtë rrugë të artit gjithnjë, përkatësisht deri me sot, në vijimësi është duke e vazhduar piktori Rexhep Ferri edhe përmes ekspozitave personale si dhe me ato kolektive. Trajtimi i figuracionit të tij jo vetëm që e vazhdon ritmin vijues të tij, por gjithnjë e më shumë shpërfaqë përmbajtjen historike të mitit dhe vetëqenies ekzistuese që nga periudhat të hershme kohore të antikitetit ilir e deri me sot, që mund të venerohen në ekspozitën personale hapur për artdashësit të kryeqendrës dhe më gjerë, në ambientet ekspozuese të galerisë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Prishtinë. Pra, që nga kjo periudhë kur Rexhep Ferri filloi t’i trajtojë figurat e veta kompozicionale gjithnjë në lëvizje, edhe pse në shikim të parë dukën të ndërlidhura me bazamentin e trollit të stërgjyshërve iliro-pellazg. Çdo kompozim në çdo tablo ngërthen në vete një ngjarje, një skenë të një drame jetësore, të një fabule, të një filozofie apo të një vërtetësie kohore ku u ballafaquan dhe përjetësuan kalvarin shekullor gjatë periudhave të ndryshme kohore-historike. Në të shumtën e rasteve kompozicionale figurat trajtohen pa koka, duo kompozime. Në këtë dikitomi vazhdojnë skenat tjera figurale të cilat kanë ndërlidhje si në aspektin përmbajtjesor po ashtu edhe në atë figurativ. Figurat pa marr parasysh pozicionet e tyre të trajtuara ato gjallojnë, lëvizin apo ecejaket e tyre shtegtojnë në drejtime të ndryshme drejtë caqeve apo universit. Pra, çdo herë humanoidët nomad edhe kur pikturohen në pozitë të ulur, ato duken sikur të jenë të përgatitur të ngritën dhe ta vazhdojnë shtegtimin ecejak të tyre, për arritje në caqet e caktuara. Tërë kjo ndodhë në rrafshin e hapësirës piktoreske si elemente nismëtare për konstituimin e tablos kompozicionale, që në esencë përbën thelbin e “rebelimit” të pikturës moderniste ndaj asaj tradicionale. Lëvizjen drejtë qendrës së rrafshit piktori e arrin përmes energjisë, e cila është përfituar nga prerjet këndore. Intensitetin më të madh do ta arrijë gjatë fokusimit në qendër ku zakonisht trajtohen imazhet e këtyre figurave dhe portreteve, apo në pikëtakimin e horizontales me vertikalen. Një karakteristikë tjetër që mund të venerohet në këto kompozime është aftësia për arritje të një baraspeshe në mes të këtyre fenomeneve të trajtuara duke filluar nga format e deri te energjia e cila si pandam qëndron ndaj ndërthurjes së ngjyrave të sipërfaqeve.
Hapësira e veprave të Ferrit me imazhe të nduarnduarta në të shumtën e rasteve jo vetëm që e gjejnë mbështetjen në fatin mjaftë të hidhur të njeriut në këto treva që mbi supet e veta i barten tmerrin e katër perandorive, dhe gjithnjë u përballën për ekzistencë apo mbijetesën e tyre. Pra, ekzistenca dhe fataliteti janë fenomene që kryesisht dominojnë në shumë tablo të piktorit.
I gjithë opusi krijues i piktorit karakterizohet si rrugëtimi i njeriut në drejtime dhe caqe të caktuara, pa marr parasysh lëvizjet e tyre a janë individuale, dualiste apo grupore. Ato në të shumtën e rasteve shprehin realitetin e ankthit, vetminë, ikje-kthim apo ankthin metafizik. Këtu qëndron edhe origjinaliteti i stilit vetanak të piktorit të cilin është duke e kultivuar që nga vitet e shtatëdhjeta dhe është emblemë e individualitetit të tij krijues ku shpërfaqet fryma e introduktit modern dhe veçantia e tij në spektrin e artit modern shqiptar.
Për artdashësit dhe opinionin e gjerë e shohë të udhës që në pika të shkurtra ta bëjmë një prezantim për piktorin, profesorin shumëvjeçar në Akademinë e Arteve të bukura, poetin, romansierin, akademikun Rexhep Ferri i cili me devocion-përkushtim të madh i është qasur që të tre fushave të artit duke krijuar dhe realizuar një numër të konsiderueshëm të veprave dhe duke nxjerrë një numër të madh artistesh të fushave të ndryshme të artit figurativ posaçërisht nga fusha e pikturës.
Rexhep Ferri lindi më (1937) në Kukës (Shqipëri). Piktor, shkrimtar, akademik. Në Pejë kreu shkollën e mesme të Artit, në vitin 1958. U diplomua në Degën e pikturës monumentale në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, më 1966, ku i kreu edhe studimet postdiplomike në të njëjtën Akademi, më 1970. Në vitin 1974 zgjidhet në thirrje të ligjëruesit në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1991 përjashtohet nga Dekanati i dhunshëm i regjimit të atëhershëm serb nga Fakulteti i Arteve dhe punën e vazhdon në objekte private, ku procesi mësimor në asnjë moment nuk është ndërprerë. Ka punuar si pedagog i angazhuar në Universitetin e Tetovës, që nga viti 1995 deri më 2004. Është pensionuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës më 2002.
Është anëtar i SHAF- të Kosovës që nga themelimi i saj. Më 1996 zgjedhet anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku pas katër vjetëve (2000) zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka botuar poezi që nga viti 1962. në revista të ndryshme si: në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë, ndërsa ka botuar mbi 15 libra me poezi, ese dhe romane. Nga ekspozitat e vetësishme të hapura në shumë galeri mund të përmendim vetëm disa nga ato si: më 1968 ekspozita e pavarur në Galerinë Graficki Kolektiv në Beograd; me 1969 në Galerinë Darte II Cenacolonë Vicenca (Itali); më 1976, në Galerinë “Kulturrni Centar” në Beograd; më 1977 ekspozita në Galerinë Lambertnë Paris (Francë); 1982, Galeria e Arteve, Prishtinë; 1981 Galeria e Arteve në Sarajevë (Be H); 1989 në Galerinë Vakko në Ankara (Turqi); 1995 në Galerinë “Kulla e Balshajve” në Ulqin (Mali i Zi); 2001, 2013, në Galerinë Kombëtare Tiranë (Shqipëri); më 2012 ekspozita e pavarur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës etj. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita të përbashkëta si në vend të organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativë e Aplikativë të Kosovës, poashtu edhe në veprimtari të tjera artistike, pastaj në ato kombëtare dhe ndërkombëtare, si: 1972 pjesëmarrës në Bienalin Mediteran të Aleksandrisë (Egjipt); “Arti bashkëkohor i Kosovës” në Galerinë Breht në Munih (Gjermani) më 1985; mori pjesë në ekspozitën “L’artmoderne kosovar” në Cite Internacional des arts – Paris (Francë) më 2007 e në shumë të tjera.
I tërë veprimtaria krijuese e piktorit karakterizohet si rrugëtim i njeriut në drejtime dhe caqe të caktuara, pa marrë parasysh nëse lëvizjet e tyre janë individuale, dualiste apo grupore. Ato në të shumtën e rasteve shprehin realitetin e ankthit, vetminë, ikje-kthim, apo përcjellin edhe një ankth të cilin po ashtu si vetminë, ekzistencialistët nuk e fshehin, por e shpallin me zë të lartë. Ato përcjellin ankthin psiko-metafizik, karakteristika e së cilës është pasiguria.
Është fitues i disa mirënjohjeve dhe shpërblimeve si në manifestimet vendore, ashtu edhe në ato kombëtare, si më 1975 merr Çmimin për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës; më 1997 merr Shpërblimin “Penda e artë” për poezinë më të mirë të botuar në revistën “Fjala” gjatë dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë, si dhe ka qenë fitues i çmimit të Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës, 2012, Me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është shpallë “Qytetar Nderi i Vlorës”. Veprat e piktorit ndodhen të ekspozuara në shumë galeri, si në Kosovë po ashtu edhe në ato jashtë vendit. Jeton dhe krijon në Prishtinë.
Dhe në fund, jemi orvatur që ta paraqesim krijuesin e shumë e shumë dekadave si një artist komplet i cili gjatë tërë jetës së vet edhe sot pa ndërpre aktivisht merret me pikturë dhe poezi dhe përmes këtyre dy fushave e shpalos botën e vetë dhe e mpleks shpirtin si me ngjyra ashtu edhe përmes rimimit të vargjeve poetike.
Uroj akademikut Ferri jetë të gjatë dhe punë të paprajshme në organizim të ekspozitave dhe veprave poetike në vijimësi. / KultPlus.com