Rudina Xhunga: Ju lutem, pash Zotin rregullojeni këtë shtëpi të Migjenit

13 Tetor, 2020 - 9:40 pm

Millosh Gjergj Nikolla që të gjithë e njohim me nofkën e tij prej shkrimtari, Migjeni, sot ka ditëlindjen.

Pikërisht sot, moderatorja dhe gazetarja Rudina Xhunga, vizitoi shtëpinë  e tij, tashmë muzë, në Pukë. Në këtë shtëpi ku ai dha mësim 84 vjet më parë, Xhunga kërkon të mos harrohet, nga populli dhe nga shteti. Sipas saj, kjo shtëpi që mbart një vlerë të madhe historike për gjithë shqiptarët, duhet rinovuar.

“84 vjet më parë, në Pukë erdhi Migjeni, jepte mësim në këtë klasë. 84 vjet më parë, ai qëndronte këtu, para kësaj banke, ku mbase ishte ulur Luli i vocërr… dhe profesori i ri ia shikonte këpucët e shqyera … Dhe bëri një nga poezitë më të bukura të shqipes e bashkë me të shumë poezi e shumë vargje të tjera morën krahë në Pukë. Këtu nisën udhëtimin e parë. Kjo është shtëpia muze e Migjenit në Pukë. Është një shtëpi e shpëtuar nga shkatërrimi, por jo ashtu siç meriton të jetë shtëpia e vërtetë ku dha mësim Migjeni. Ju lutem, pash Zotin, rregullojeni këtë shtëpi! Bëjeni nga e para, bëjeni mirë!”, -shprehet Xhunga, në një video që ndau në llogarinë e saj në Instagram.

Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Të paharruara do të mbesim krijimet e tij letrare si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, ku fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit. / KultPlus.com

Të ngjajshme