Sa primitiv duhet të jetë një komb, që e feston natën e Vitit të Ri me mbi 100 tonë fishekzjarre?!

21 Dhjetor, 2024 - 7:47 pm

Nga Arben I. Kastrati

Cila është arsyeja e festimit të “qytetarëve”?! Ç’kanë për të festuar?!

Nga mirësia dhe begatia me të cilën karakterizohet vendi, kanë ikur qindra mijëra qytetarë nga shteti i tyre i pavarur.

Çdo kush që ka mundësi, ikën për shërim jashtë vendit.

Çdo kush që ka mundësi financiare, investon jashtë vendit.

Çdo kush që do të ndjejë sadopak qytetari, ikën jashtë vendit.

Çdo kush që ka mangësi qytetarie, e shijon të rrojturit në anakri totale, në zemër të vendit, dhe është pjesë e popullatës shumicë.

Çdo kush që ka ambicije të shndërrohet nga një person anonim në personalitet të respektuar, bëhet hoxhë. Një vend që ka më shumë respekt për një klerik se për një akademik, e ka epilogun të ditur.

Edhe unë do të doja të blija një fishekzjarre, të ndizja, të festoja?!…Instalimin e pashmangshmërisë së ndryshimit?…Instalimin e pandëshkueshmërisë?…Mungesën e meritokracisë?…

Qytetarët e festojnë primitivizmin e tyre dhe sasinë e madhe të marrisë me të cilën karakterizohen, me sasinë e shpërthimit të mjeteve piroteknike. Trimërinë tonë, s’ka njeri, t’a mohoj. Jemi dëshmitarë të trimërisë tonë – plasëse.

Kur ra pushka e parë, një çerek shekulli më parë, ishim mbi një million nga një million e gjysëm, që e lam vendin tonë ”të shenjtë” me shpejtësinë e zërit. Ne ishim dëshmitarë të poshtrimit.

Rroftë populli…ky që është, sido që quhet sot.

Se shqiptarët, sa vete e pakësohen.

Gëzuar Vitin e Ri./ KultPlus.com

Të ngjajshme