26 Tetor, 2018 - 9:23 am
Vlora Nikçi
Krijon dashuri rreth vetes, vetvetiu. Thjeshtë, gruaja është burim i dashurisë. Por, dashuria e madhe krijon edhe vuajtje të mëdha. Për shkak të saj, kurrë s’kam dashur të bëhem nënë. Ia kisha friken dashurisë së madhe, frikë që ende e kam. Frikohesh ta njihja veten si nënë. Nuk e dija se si do të reagoja kur ta lindja një “fryt” me shumë dashuri.
Çka nëse atij fryti do t’i ndodhte gjë? Ose. çka nëse veç miza do ta pickojë?
Vërtetë gruaja aq sa dashuri ka, ka edhe po aq ka fuqi për t’ju përgjigjur asaj, sepse që nga fillesa e jetës njerëzore gratë janë si të bekuara me fuqinë mbinatyrore. Prandaj, veprat me te bukura i ka krijuar dashuria jonë. Tragjeditë më të mëdha i ka krijuar mungesa e dashurisë tonë.
Për ne thonë se kanë nisur luftërat, por e kemi falur paqen. Në çdo pozitë dhe gjendje, kemi sakrifikuar. Kemi ditur t’i flijojmë dashuritë më të mëdha për të mirë e përbashkët.
Si motra, e kemi përcjell vëllain në luftë. Si nëna, e vajtojmë trupin e te birit. Dhe, si gra, i rrisim fëmijët e trimit të rënë.
Gjatë luftës në Kosovë, Vasfijes (Krasniqi Goodman) dhe mua, mendja na rrinte vetëm tek vëllezërit tanë. Çfarë nëse atyre do t’ju ndodhte një gjë e keqe.
Neve, si fëmijë që ishim, nuk na ka shkuar mendja se do të bëhemi armë e luftës për fitore; nuk na ka shkuar mendja se krejt ajo dashuri për vëllain do të na kthehet edhe në sakrificë.
Ky flijim dhe kjo sakrificë i ndodhi Vasfijes, pak kilometra larg meje. Ajo i vuri presë së keqes që ndoshta ishte nisur tek unë ose tek ti.
Atë ditë ajo u shndërrua në motër të Gjergj Elez Alisë e bijë e nenës gurë. Ndaj, sa më preku aq më frymëzoj rrëfimi i saj.
Sa herë që ajo flet për dhimbjen, vëllain nuk e hiqte gojes. Ajo e kujton ditën kur e kishte përcjell Gjergjin e saj për në luftë me Bajlozin e Zi. Ajo ia kishte dhënë fjalën Gjergjit se do të kujdeset për prindërit dhe shtëpinë ku u linden e u rritën. Ky premtim Gjergjit i dha siguri që të jetë me i fort në përballje me Bajlozin.
Por, Bajlozi i Zi i kishte bërë lajka luftës me Gjergjin dhe tinëzisht kishte shkuar tek motra e tij e vogël për t’ia ndal rriten. Bajlozi e pa besnikërinë e saj, dhe vrullshëm këputi lule e vrau ëndrra.
Një ditë qielli u përmbyse për Vasfijen, por jo edhe jeta.
Sa e fort u bë kur u vesh me petkun e dhimbjes. Prej një vajze të vogël, dhimbja e shndërroj në një grua stoike. Sikur natyrshëm e kuptoi se ne, gratë, e krijojmë botën. U ngrit shpejt në këmbë duke e pa Bajlozin në sy dhe i tha: “Nuk ta kam fare frikën sepse edhe ty të ka lind një grua.”
Bajlozit iu vrenjtë surrati, kur pa se Vasfija e fitoi pavdekësinë. Ajo u ngrit dhe u kthye ne kullë qëndrese.
Kur Gjergji u kthye nga beteja, me mall për ta takuar motrën e vogël, nuk duroi pa e ditur se çka e kishte tjetërsuar atë në atë fuqi të madhe. Pasi ia tha të gjitha fije e për pe, Gjergji u plagos rëndë nga fjalët e saj. E kuptoi se çdo plagë e saj ishte plumb për Gjergjin nga Bajlozi i Zi. Plagët e së motrës u bënë breshëri plumbash në trupin e tij dhe kulluan gjak, bashkë, deri në përjetësi.
Sot, plagët e tyre janë rënkimi jonë, por edhe shpresë për t’u rrëfyer dhembja e çdo gruaje.