17 Shtator, 2020 - 10:13 pm
Letër e hapur nga Samka Ferri, drejtuar Ministres znj Vlora Dumoshi
E nderuara ministre Dumoshi, s’apo mora një informatë se komisioni i emëruar për përzgjedhjën e çmimeve vjetore Për Teater, në përbërje:
1. Marigona Bekteshi – regjisore e teatrit.
2. Sahadete Beqiri – dramaturge
3. Agim Selimi – regjisor
4. Jeton Ahmetaj – regjisor
5. Fatos Berisha – regjisor.
Qenka përcaktuar dhe paska marrë vendim për fituesit e sivjetëm.
Kur pashë listën e komisionit dhe listën e fituesve, me dëshpërim të thellë thash me vetë: ” Edhe sivjet si për vjet”.
Këtë dëshpërim nuk e kam pse si doajene e teatrit dhe kostumografisë edhe sivjet kam qenë e nominuar nga disa institucione teatrore për çmimin për vepër jetësore, por se vlera dhe merita ashtu sikur viteve të kaluara, nuk është përcaktues as i emërimit të komisionit profesional, as i përzgjedhjes së fituesve të këtyre çmimeve.
Kur pashë listën e anëtarëve të komisionit, pashë artiste të reja në profesion, të cilat ende nuk janë dëshmu në fushat e tyre përkatëse, e në anën tjetër të njejtave ju ipet një përgjegjësi kaq e madhe dhe delikate për të vlerësuar artistë më kredibilitet, madje edhe doajen të teatrit!
Zgjedhja në këtë komision e artistëve me biografi profesionale të tillë, lë dyshim të bazuar se autoriteteve kompetente, nuk po ju intereson edhe aq që këto çmime ti marrin njerzit e merituar, sepse nga një komision i pamerituar nuk mund të rezultoj një përzgjedhje e merituar e laureateve.
Pyetja që shtroj tani është kjo: Sa ia vlenë të pranohet nominimi nga institucionet teatrore, për të konkuruar në këtë konkurs me laureat të paracaktuar? Këtë pyetje se pari po ia bëjë vetës dhe mandej të njejtën, po ia drejtoj komunitetit artistik dhe juve si ministre…
Këtë pyetje po ia bëjë ndërgjegjes sonë kolektive, që të zgjohet nga letargjia për ti bërë ballë egos tonë të babëzitur…
E nderuara ministre, asnjë herë më parë nuk kam reaguar edhe kur kam verejtur lëshime të tilla në të kaluarën, por kësaj radhe vendosa të ngritem mbi heshtjen time, duke ju drejtuar një ministre femer që një kohë të gjatë ka qenë në krye të institucioneve të ndryshme kulturore.
Të drejtohem ty ministre Dumoshi, sepse ju duhet ta ndaleni këtë trend të paktën për shkak të asaj çka përfaqësoni edhe si person edhe si familje.
Thyeni edhe ju heshtjen dhe merrni kurajon të thuani STOP…Ndaleni tatpjetën ministre, jo për mua, jo për koleget e mij doajen, por për të ardhmën që po vjen.
Thuani STOP ministre këtij degradimi dhe merreni timonin vet në dorë, duke e drejtuar andej nga është drejtësia, besueshmëria dhe vlera.
Merreni kurajon dhe shkarkojeni këtë komision, zgjedheni një komision kredibil dhe zgjedheni laureatët meritorë…
Bëjeni këtë ministre, se e ardhmja nuk do të na e falë… / KultPlus.com