Shekulli i mbrapsht shqiptar si preukopim letrar

1 Nëntor, 2019 - 1:45 pm

Theksime nga fjala hyrëse në promovimin e “Trilogjisë gjermane” në KultPlus

Ngjarjet historike si dhe historia si ngjarje përherë kanë qenë edhe vokacion krijues. Por, kjo, vazhdimisht ka “tensionuar” raportet midis tyre, ngaqë krijimtaria është munduar dhe mundohet pareshtur që faktet historike t’i kthejë në fakte jetësore, ndërsa historiografia ka pretenduar dhe pretendon që realitetet jetësore t’i trajtojë si fakte historike. Mund të thuhet se në këtë “konfrontim” të pandalshëm, fitues shfaqet krijimtaria, ngaqë ngjarjet që i trajton ajo, si fakte jetësore, kthehen në kujtesë shpirtërore, në monument të përhershëm, siç ka ndodhur me veprat madhore “Iliadën”, “Eniden”, “Luftën dhe paqen” dhe të tjera nga antikiteti e deri te koha jonë. Ndërsa vokacioni historik mbetet përherë i pasigurt, ngaqë u nënshtrohet fitimtarëve, despotëve dhe diktatorëve, të cilët pretendojnë ta kthejnë historinë në “monument” të regjimit apo të ideologjisë për nevoja politike, gjë që jo rastësisht, çdo gjeneratë kërkon me të drejtë rishqyrtime, që edhe si të tilla mbesin të paqëndrueshme.
Natyrisht se edhe “Trilogjia gjermane” me veprat “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e Zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, shfaqet si projekt letrar, i cili mbetet në kornizat e klishesë, ku faktet e caktuara historike, nëpërmes imagjinatës, kthehen në fakte jetësore.

Pa hy në aspektin e vlerësimit letrar të këtij prosedeu, që nuk i takon autorit, por lexuesve, megjithatë, autori, me këtë rast, ndjen nevojë që ky projekt letrar të përcillet me disa informacione udhëzuese, në mënyrë që të kihet parasysh se ngjarjet që shtjellohen në këtë vepër lidhen me faktet e caktuara historike, ku madje, shumë nga personazhet, ndonëse në vorbullën imagjinativ, vinë nga historia, siç janë edhe ngjarjet mbi të cilat mbështetet edhe trungu i veprës, gjë që kanë ndikuar që projekti të quhet “Trilogjia gjermane”, që më të drejt hap edhe pyetjen hipotetike rreth këtij emërtimi.

Natyrisht se edhe këtu rol vendimtar ka historia dhe pretendimi që nëpërmes fokusimit imagjinativ, të nxirren në pah ngjarje që ndërlidhen me ato fakte historike, ku lidhjet kulturore dhe politike të shqiptarëve me gjermanët, sidomos ato nga shekulli kaluar e deri më sot, luajtën një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe politike të shqiptarëve, nga zhvillimet që çuan të lindja e shtetit shqiptar, ndonëse të cunguar (me Kosovën dhe Maqedoninë e mbetur nën sundimin jugosllav) e deri te ato që mundësuan krijimin e shtetit të Kosovës, si një realitet i ri në raportet politike dhe shtetërore në rajon në përputhje me interesat e Perëndimit, për ç’gjë, NATO-ja përdori edhe ndërhyrjen ushtarake në vitin 1999, e ku Gjermania ishte partneri kryesor i këtij veprimi.

Në këto realitete, gjithsesi se implikimi i faktorit politik gjerman në jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve është emblematik, jo vetëm për atë se në krye të shtetit shqiptar caktohet Princ Vidi, misioni i të cilit do të përfundojë pas gjashtë muajsh kur do të fillojë Lufta e Parë Botërore, por edhe për atë se Berlini dhe Vjena, do të jenë referencë e të gjitha zhvillimeve që ndikuan suksesin ose mossuksesin e botës shqiptare midis dy luftërave botërore, gjatë luftës së dytë botërore, kur do të bëhet edhe bashkimi i përkohshëm por i pjesshëm shqiptar, e deri te zhvillimet që çuan te shfaqja e shtetit të Kosovës.

Ky zhvillim, gjithsesi do të ishte i thatë, pa aspektet jetësore nëpër të cilat kaluan lidhjet midis dy popujve, të përcjella me drama, po edhe tragjedi të shumta, ku gjithsesi për autorin me interes të veçantë kanë qenë ato që kanë nxjerrë në pah dimensionin e emancipimit të brendshëm shqiptar të ndikuar prej tyre, emancipim ky që në disa faza të caktuara historike, është përcjellë edhe me fatkeqësi dhe tragjedi nga anatema e “fashizmi” ( pas luftës së dytë botërore, po edhe më vonë).

“Trilogjia gjermane” vendoset mbi këto raporte dhe mbi këto anatema. Andaj, nuk është e rastit që edhe shumica e personazheve, në përputhje me këtë “mallkim” pësojnë në forma të ndryshme, siç pësojnë gjithë ata që janë pjesë e këtyre lidhjeve e ku del në pah edhe fakti thuajse absurd, se në disa faza, gjermanët e përfshirë në jetën shqiptare (veçmas vullnetarët e shumtë që erdhën në mbrojtje të Princ Vidit, po edhe më vonë), shfaqen më idealist dhe më të përkushtuar për mbrojtjën e kauzës shqiptare se sa vetë shqiparët, shumë prej të cilëve, madje, siç dihet luftojnë edhe kundër shtetit shqiptar dhe përiqen ta kthejnë edhe rrotën e historisë prapa me çka del në pah edhe simbolika e shekullit të mbrapsht shqiptar.

Ky realitet jetësore, sado tragjik, megjithatë, ndërton dramën e brendshme shqiptare në dy fazat vendimtare të shtetndërtimit (atë të shtetit shqiptar nga 1912-1945) dhe të Kosovës, nga 1991-1999, së cilës është dashtë t’i paguhet çmim i madh, por që ka mbajtur të gjallë frymën e projekteve politike dykahëshe: për çlirim nga dhuna e ideologjisë komuniste si dhe çlirim nga pushtuese shekullor. Ky realitet jetësor, po ashtu, përkundër përpjekjeve të njohura për kthim prapa, sië ishin ato “duam babën” dhe të ngjashme, nacionalizmin shqiptar, e ka kthyer në binarët e qytetërimit evropian dhe të përkatësisë së tij, ku shëmbëllesa gjermane ka luajtur një rol të veçantë, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë politik për t’i përballuar vështirësitë historike, që në disa faza kanë qenë identike…/KultPlus.com

Të ngjajshme