Shën Nëna Terezë, muzika e Zotit për shërimin dhe frymëzimin e botës së sotme

4 Dhjetor, 2017 - 8:00 pm

Nga Don Lush Gjergji

Lorenc Anton ka mbajtur rregullisht dhe vazhdimisht ditarin personal dhe familjar, ku pothuaj vend qendror dhe thelbësor ka Gonxhe Bojaxhiu, më vonë Nëna Tereze, me të cilën ishte në afërsi të gjakut dhe të shpirtit. Aty kam gjetur shumë hollësi dhe shënime për fëmijërinë dhe rininë e saj, për prindërit Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, për famullinë e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, për veprimtaritë dhe organizimet e ndryshme të rinisë katolike shqiptare në atë kohë, gjithmonë me qëllime edukative,bamirëse, shpirtërore, kulturore, muzikore dhe argëtuese.

Ja si e përshkruan kompozitori ynë i njohur, Lorenc Antoni, Gonxhen si vajzë të re: “Gonxhja është tejet aktive në çdo lëmi të jetës. Ka prirje edhe për letërsi. Ka shkruar dy artikuj në “Blagovest”. Unë i thashë se kishte talent për shkrim. Ajo m’u përgjigj se s’kishte talent, por që kishte dëshirë të ishte ndonjë shkrimtare. Unë sërish i thashë se kishte talent, ajo sërish më tha se nuk kishte, sepse për çdo faqe të shkruar po i harxhonte pesë faqe. Të gjithë bëjnë kështu në fillim, i thashë unë në mbarim”

Ja edhe dëshmia e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Nënës Tereze: “Ne si fëmijë kemi marrë pjesë në jetën kulturo-zbavitëse të Qytetit”.

Gjithë anëtarët e familjes Bojaxhiu ishin shumë të talentuar për muzikë. Muzika, kënga, instrumentet muzikore, pritja e mysafirëve, bamirësia dhe bujaria ishin përvoja të rëndomta, ndërsa kënga dhe muzika, gëzim dhe harmonia familjare ishte gjë e përditshme për ata. Në një ambient të tillë familjar, në një bashkësi dhe famulli katolike mjaft aktive dhe me shumë veprimtari, kishte kaluar fëmijërinë, pjesërisht edhe rininë Gonxhja jonë.

Vetë Kolë Bojaxhiu merrej me muzikë. Ishte anëtar dhe një ndër themeluesit dhe përkrahësit financiar i Ansamblit të instrumenteve me frymë “Zani i maleve”, që nga viti 1912. Kolë Bojaxhiu ishte edhe organizator i ndërtimit të teatrit të parë në Shkup.

Drane Bojaxhiu, nëna e Nënë Terezës, merrej me punë dore. Përgatiste rroba për martesa dhe për festa të ndryshme… “Gonxhja dhe Agëja kanë kënduar kompozimin tim të parë. Atëherë unë isha gjimnazist. Kompozimi quhej “Në breg të liqenit”, sipas tekstit të Hil Mosit. Ishte kjo një akademi e organizuar më 25 mars të vitit 1928, për qëllime humanitare, pikërisht për të varfrit. Shfaqje dhe programe të tilla kishim shpesh, së paku një herë në muaj. Gonxhja vinte rregullisht në prova, ishte e para, shumë e përpiktë dhe shumë e gëzuar”, kujton kompozitori i njohur Lorenc Antoni.

Ai pastaj vë në pah edhe këtë fakt, talentin muzikor dhe zërin e bukur të saj: “Gonxhja këndonte jashtëzakonisht bukur. Ishte soprane, ndërsa Agëja këndonte alt. Gonxhen e kam mësuar që t’i binte mandolinës. Ajo këtë e mësoi mjaft shpejt dhe mirë. Kishte me të vërtetë talent për muzikë. Gjithnjë ka marrë pjesë aktive në shoqatën e rinisë katolike: shumë herë ka recituar, ka kënduar, ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme, në kor… Ajo ishte si qendër rreth të cilës tuboheshin të gjithë, posaçe vajzat. Ishte bërë e gjetur për organizim. Të gjitha këto aktivitete, prova i bënim në lokale të kishës, si dhe programet. Në këto lokale në fillim ushtronte edhe orkestra, si dhe jepeshin të gjitha programet. Më vonë u ndërtua një sallë tjetër, në oborr të kishës…”.

Edhe në kujtimet e të vëllait, Lazër Bojaxhiut, Gonxhja shihet si një vajzë e pasionuar ndaj dijes dhe kulturës, veçmas ndaj krijimit të poezisë. Ja si e kujton i vëllai Lazri: “Qysh në fëmijëri kishte prirje për poezi, shkruante dhe ju lexonte shoqeve”.

Lorenc Antoni e përshkruan edhe afërsinë që kishte me të. “Si fëmijë jemi rritur së bashku. Të gjithë ne jemi rritur në oborrin e kishës. Edhe në shkollë kemi qenë bashkë. Katër vitet e para i kemi kryer në gjuhën shqipe, në lokalet afër kishës. Mësues të parë kishim Engjëll Nocajn nga Shkodra. Pastaj erdhi edhe Ndue Vorfi. Në vitin e katërt kemi mësuar edhe gjuhën serbishte. Gonxhja në shkollë ka qenë shumë e mirë. Përpos kësaj ajo ishte edhe organizatore shumë e mirë”.

Në kujtimet e Lorenc Antonit vend të rëndësishëm zë edhe fshati Letnicë, shenjtërorja dioqezane “Zoja Cërnagore”, në komunën e Vitisë, në kishën e të cilës Gonxhja edhe vendosi t’i përgjigjej përfundimisht thirrjes rregulltare misionare. Lorenc Antoni vendimin e saj për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut, e përshkruante kështu: “Ne për çdo vit, të gjithë së bashku shkonim në Letnicë. Dy vitet e fundit, pra se të nisej në misione për motër, Gonxhja ishte në Letnicë edhe për ushtrime shpirtërore. Atje qëndroi gati dy muaj, ku mësonte edhe gjuhën angleze. Herën e fundit, në vitin 1928, u kthye prej Letnicës dhe prej ushtrimeve shpirtërore disa ditë para festës së Zonjës së Madhe. E kemi ditur se ajo do të bëhet motër. Njëherë kur u hidhërova diçka me të, sikur bëjnë shpesh fëmijët dhe rinia, i thashë: si mund të jesh ti kështu si shenjtëreshë? Ajo qysh atëherë ishte shumë e angazhuar për t’i ndihmuar të varfrit. Kemi mbledhur të holla, tesha, kemi dhënë edhe shfaqje në ndihmë për të varfrit”.

Sigurisht që një moment të veçantë në kujtesën e kompozitorit Lorenc Antoni shënon edhe ky shkrim në ditarin e tij: “Unë isha duke i mësuar tri vajza për muzikë, pikërisht që t’i binin mandolinës. Ato dëshironin që për këtë të më paguanin, të ma jepnin nga një dinar, por unë nuk doja t’i merrja. “Merre, merre nga një dinar e pastaj m’i dërgon mua për misione në Indi”. Ishte kjo në vitin 1927, pra, një vit para se Gonxhja të nisej për misione. Nga kjo shihet se si është përgatitur me zell e dashuri dhe si ka menduar gjithnjë për jetën e mëvonshme”.

Ndërsa takimin e fundit me të motrën, në vitin 1924, Lazri e përshkruan kështu: “Ishte një e diele. Gonxhja dhe Ageje përgatiteshin për në kishë. Më thirrën dhe mua lart në kor. Atë ditë të dyja këndonin si soliste. Ageja ishte alt, ndërsa Gonxhja sopran. Për herë të parë i dëgjova të dyja së bashku si soliste. Këndonin për mrekulli, aq bukur sa populli si dhe shoqëria i quante me simpati dhe dashuri “dy bilbilat e kishës”.

Shoqëria e saj, rinia katolike, dëshironte që në mënyrë sa më të mirë të ndahej prej saj, ta përshëndeste dhe t’i dëshironte rrugë të mbarë dhe jetë të frytshme në thirrje. Për këtë vendosën që për programin e Akademisë së Pashkëve një pikë e programit të jetë edhe një përshëndetja me Gonxhen.

Këtë program edhe e ruante gjithnjë me dashuri Lorenc Antoni. Pika e dytë e këtij programi ishte “Lamtumira” për Gonxhe Bojaxhiun, me katër pika tjera.

Në një rast Nëna Terze më tha kështu: “Dy gjëra në jetë nuk kanë nevojë për shpjegim: dashuria dhe muzika”. Thënie e bukur dhe shumë e vërtetë.

Kur isha në vizitë dhjetëditore në Kalkut në vitin 1989, përjetova një befasi të këndshme . “Misionaret e Dashurisë” në mbarim të meshës këndonin himnin e Virgjrës Mari “N’Cërnagore kem një Nënë” në gjuhën anglishte. Fill e kuptova që Nëna Tereze e kishte përkthyer dhe i kishte mësuar ta këndojnë këtë këngë vërtet të thjeshtë, por kaq të dashur për të dhe për të gjithë ne.

Do ta përfundoj paraqitjen time me poezinë e Shën Nënës Tereze kushtuar muzikës dhe këngës:

Falënderimi për muzikë dhe për këngë

Faleminderit, o Zot,
për dhuratën e këngës:
në praninë Tënde
pranojmë harmoninë e mrekullueshme të saj

Kur këndoj për Ty
të dëgjoj në këngën time.
Aleluja.

Falëminderit, o Zot,
për këngët:
dhe për Ty që je muzikë në këngë.

Kur këndoj për Ty, tashmë je i pranishëm
Në aftësinë time për këndim.
Amen.

(Ligjëratë e mbajtur në Tryezën muzikologjike në ASHAK, seksioni i arteve, 30 nëntor 2017)

Të ngjajshme