28 Janar, 2022 - 8:00 pm
Shkruan: Elvi Sidheri
Dhjetori i vitit tashmë të largët 1996, 25 vite më parë, në Tiranë pati rastisur pikërisht i vranët dhe me shira, pas një vjeshte, si rëndom, gjithashtu plot reshje, dhe kur do të vinte koha e festivalit të fundvitit në TVSH, kureshtjes sidoqoftë të shtuar për këtë ngjarje madhore të muzikës shqiptare, do t’i shtohej sidomos një këngë në veçanti.
Sakaq të nesërmen e mbrëmjes kur në skenë ishte kënduar kjo këngë, pata vajtur në gjimnazin tim, i kujtoj akoma shoqet e mia të klasës që murmurisnin me gjysmë zëri, po shpesh edhe haptas me zë të lartë fjalët dhe ritmet e “Shi bie në Tiranë”, duke u përpjekur ta përsërisnin tekstin saktësisht, ndonëse vetëm pjesën kryesore të refrenit nuk e gabonte gjithsesi askush.
Shiu mirëfilli nuk na mungoi as atë ditë, dhe dukej se qielli tiranas po tregohej edhe më bujar në vranësira se përherë, sikur të donte t’i përshtatej tekstit të këngës që kishte lënë menjëherë përshtypje të pashlyeshme qysh në mbrëmjen e parë kur ishte interpretuar në sallën e Pallatit të Kongreseve.
Ishte një këngë që ishte sjellë në Tiranë përmes zërit dhe kompozimit të Fitnete Tudës, këngëtares nga brigjet e harlisura të liqenit të Ohrit në Strugën piktoreske, ku njëherësh ngjizet edhe rrjedha e mëtejshme e Drinit të Zi, dhe tingujt e këtij krijimi muzikor, e patën pushtuar kryeqytetin shqiptar paqësisht, me fuqinë e artit, që asgjë nuk mund t’i bëjë dot ballë.
Fitnete Tudën sidoqoftë e kishim njohur tashmë me disa krijime dhe intepretime të tjera të saj, ku pa dyshim spikaste kënga prekëse “Rrugë”, krahas zërit të kultivuar dhe fisnikërisë në paraqitjen e saj të frymëzuar në skenën e festivalit të dhjetorit, që ngaherë kurorëzonte vitin muzikor në Tiranë.
Megjithatë, kësaj radhe ishte ndryshe!
“Shi Bie në Tiranë” na kish depërtuar të gjithëve në shpirt, sidomos banorëve të Tiranës, ne që qytetin tonë e ndienim dhe donim si asgjë tjetër, tiranasve, çunave dhe gocave të Tironës, ne që ishim rritur nëpër rrugicat e saj të zhurmshme dhe të hareshme, ne që ishim kacavarur dikur vjedhurazi nëpër pemët e fqinjëve për të ndukur caracat legjendare, frytin më ekzotik të natyrës dashamirëse tiranase, ne që flisnim qysh në moshë të mitur pastërtisht në dialekt tirons, përkundër origjinave të hapërdara nga jugu në veri, nga Korça gjer në Shkodër, ne që akoma ia ndienim mungesën një kënge ku të shpërfaqej thelbësisht shpirti i qytetit tonë të bukur e gazmor!
Doemos menjëherë të gjithë u bëmë mbështetës të flaktë të kësaj kënge, duke uruar me gjithë zemër që Fitnetja dhe kënga e saj të ngadhënjenin në festival, megjithëse historikisht në garat e tilla muzikore në TVSH, kurrë nuk patën fituar këngët e pëlqyera masivisht nga publiku.
Në ditët në vazhdim, “Shi Bie në Tiranë”, vijoi të ushtonte jo vetëm midis bankave të klasës sime në gjimnaz, por edhe nëpër rrugët e Tiranës, nëpër lagjet e kryeqytetit dhe brenda shtëpive të banorëve të tij, që ishim magjepsur magnetikisht nga kjo këngë kaq e bukur, sa edhe e beftë për të gjithë ne, veçanërisht për faktin që ishte shkruar dhe interpretohej nga dikush që nuk ishte nga Tirana, por që pati ardhur nga matanë kufirit në Qafë Thanë, me frymëzimin liqenor si të Lasgushit, dhe na kish dhuruar një këngë emblematike, që tashmë ishim të vetëdijshëm se do të mbetej gjatë në zemrat tona si tiranas dhe artdashës.
Si adoleshent në vitin e parë të shkollës së mesme, nuk kishte për mua (dhe shumë të tjerë) vargje më grishëse se: “Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qan, je i dehur nga pija apo nga dashuria, ti ec… por këmbët nuk të mbajnë”.
Të gjithëve na kish ndodhur që në ditë me shtrëngata të qiellit tiranas, të strukeshim nën ndonjë palmë nëpër rrugët e kryeqytetit, teksa breza të tëra tiranasish qenë lagur e kurrë nuk patën ikur nga qyteti i tyre, i patën harruar edhe ditët e vitet, nga dashuria, teksa shpirti i tyre fluturonte mbi Dajt, por zemra jonë, zemra ime, mbase edhe zemra e krijueses së kësaj kënge të kënduar me aq ndjenjë dhe hijeshi, patën mbetur rrugëve të këtij qyteti, ndërkohë që shiu bie në Tiranë!
Në atë dhjetor të 1996, shumë gjëra në Shqipëri po merrnin rrokopujën dhe falimentimi i firmave piramidalë ngadalë po shndërrohej në realitetin tonë të përditshëm, ndërsa skenat e njerëzve që shtyheshin e grumbulloheshin pranë sporteleve të këtyre ngrehinave fantazëm ku u tretën miliarda dollarë kursime të shqiptarëve, ishin pamje që i shihja edhe vetë çdo ditë kur kthehesha nga gjimnazi në shtëpi, ndonëse prapëseprapë nuk reshtja së fishkëllyeri me ëndje melodinë e kësaj kënge, duke ia kënduar hareshëm asaj edhe fjalët vazhdimisht.
Kosovën akoma e njihnim kryesisht falë imazhit të Ibrahim Rugovës dhe qëndresës së tij paqësore ndaj regjimit brutal të Millosheviçit, dhe përveç dy vajzave kosovare që mësonin në klasën time në gjimnaz, sigurisht të larguara nga vendlindja për t’i shpëtuar apartejdit serb, Fitnete Tuda dhe Vlera Kastrati që interpretuan mjeshtërisht “Shi Bie në Tiranë” në festivalin e madh të TVSH në Pallatin e Kongreseve, me gjasë ishin fillesat e njohjes time me realitetin e larmishëm kosovar, përkundër kushteve skajshmërisht të vështira ku dergjeshin shqiptarët përtej Morinës.
Vite më vonë, do të kisha fatin që Fitnete Tudën ta takoja në Prishtinë, dhe mbaj mend se emocionet ishin të njëjtat për mua, edhe pas aq viteve, ngaqë kënga e saj më vërtitej sërish në mendje njëlloj, dhe më ishte shndërruar vetvetiu në himnin e qytetit tim. / KultPlus.com