Shiko vetveten në sytë e të verbërit!

1 Gusht, 2018 - 6:25 pm

Nga Naser Shatrolli

Filmi i Zgjim Terziqit “A month” vjen si model i art në kuptimin e mbarështrimit, qasjes, estetikës, interpretimit, përkatësisht sensit të të bërit film njëherësh të natyrës dhe kondensit formal filmik, i cili quhet stil.

Nisë ftohtë, natyrshëm, arsyeshëm, pa u diktuar aktorët që janë në ekran, pa u tensionuar, pa e rritë as zero përqind volumin e të bërit art, për hir të aktrimit ose qëllimit – ja, më shikoni se çfarë di të bëjë unë, çfarë skenaristi jam unë, çfarë regjisori, ideatori, kreatori, ja çka jam duke bërë, kam talent për të kapur rrezet e hënës në pikun e shiut, meqë kam nuhatje, kam vesh e sy, po ju s’dini, s’kuptoni, s’kini lidhje, asnjëri këtu nga ju s’ka lidhje, veç unë di dhe kam lidhje, veç unë kam të drejtë me qenë i gjithëditur, veç unë kam të drejtë me marr mjete nga shteti, në fund, veç unë kam drejt me sha secilin!!!

Terziqi e shfrytëzon ekranin për të përfituar poena filmi assesi në kurrizin e pazarit komunitar artistik. I qaset idesë në mënyrën e tij, në frymën e tij, nuk shikon që të bie në kurthin e lotëve të një mendësie rutinore ose për të qenë rob i mesazhit filmik, ose, për të zbuluar shkretëtirën e Saharës në një vend ku bie shi çdo të dytën ditë. Filmi i tij ecën, rrjedhë, gjersa ai beson në përrallë parasegjithash, pastaj e sendërton tematikën me ëndjen e nevojës së personazheve por kurrsesi për apetitet e logjikës ballkanike, ose asaj botës “moderne” ja çfarë di unë!!!

Krijuesi i mirë që ka për qëllim me kriju film autorial nuk shpenzohet energjikisht lehtësisht! Art real nuk di të ketë bërë dikush duke sha e piskatë, mbylle, rri pas dere, «unë jam, s’ka tjerë, jam gjenial», «Unë e shpika filmin në teatër dhe anasjelltas». Kjo logjikë është duke e gërryer minierën kulturore sot, sidomos sot! Kam parë aq punë filmike, e teatrore, shumë janë, por për edukatë të qëndrueshme artistike le të flasi koha e tyre!

Terziqi ka projektin e parë me një volum të vogël – minor buxhetor, në bashkërendim me disa njerëz që duan të identifikohen si njerëz që s’kanë ambicie për të gënjyer vetveten!

T’ia falësh filmit 1 vit, 2, 3, ka kuptim nëse kërkon të gjitha stinët brenda ekranit të thjerrëzës sate, por, të thuash bëra film ose teatër për vite të tëra ndërsa kur e shikon në fondament shef rezultat t’pritshëm.

Andaj, një shije e mirë në servisin ekranor vjen kështu siç e pashë filmin e Zgjim Terziqit. Është njëmendërisht vlerë, urë besueshmërie në qasje, në rrahje të një ideje deri në fund, pa e stërmunduar ujkun gjersa tërë natën i shkreti mediton për të grabitur një dele të bardhë që sapo e ka lagë shiu nga dorë e Zotit – që i bie se e ka bekuar dikush dikë, ose, e kundërta, kjo do të quhej dhunë brenda dhuntisë dhe zhvillimeve ku do të bëhen pazare në t’zezë, të cilat, koha i varros si të tilla, sot për mot, ose, do të ngelen të kalbura, por, të përfolura gjer në kulmin e çatisë – aty ku del tymi prej druve të pazarit rutinor.

Filmi i Terziqit ka dal si film unik për një arsye – ka sy edhe pse personazhi i tij nuk sheh! Filmi ushqen moralin familjar, ushqen mëndje e sy të verbuara të një shoqërie të përhumbur, ka domenin jetik në syzhe.

Shikoje vetveten në sytë e të verbërit! /KultPlus.com

Të ngjajshme