Shkëlzen Gashi liston 10 problemet që duhet diskutuar rreth mosfunksionimit të ASHAK-ut

27 Tetor, 2018 - 5:00 pm

Shkelzen Gashi

Këto ditë reagoi edhe një anëtar tjetër i AShAK-ut kundër raportit ‘Kriza në Akademi’, i botuar nga organizata ‘INTEGRA’, duke i akuzuar njerëzit se kanë
“…rënë nën influencën e fuqishme të asaj OJQ-së që synon integrimin e Kosovës në Sërbi (dy çunat e asaj OJQ-je nuk kanë bërë gjë tjetër në jetën e tyre, përveç se, si dy pëllumba, kanë kërcyer nga dega në degë, duke kënduar “Mirë dita-Dobar dan!”) dhe që së fundi bëri raport për Akademinë dhe i vuri në lojë të gjitha mediet, përfshirë edhe një komision parlamentar”.
Pa dyshim, mund të debatojmë, madje me kënaqësi të madhe, edhe për ‘synimin e OJQ-së për ta integruar Kosovën në Sërbi’, edhe për ‘kërcimet tona nga dega në degë duke kënduar “Mirë dita-Dobar dan!”’, e edhe për shumë tema tjera, por, po e përsërisim, fillimisht duam të diskutojmë se:

1. Pse gati të gjitha publikimet i keni të autorëve shqiptarë e në gjuhën shqipe e gati asnjë publikim në gjuhën angleze?
2. Pse qe dhjetë vjet, ndonëse i keni marrë gati 10 milionë € nga buxheti i Kosovës – shtetit më të varfër në Europë – i keni finalizuar vetëm dy projekte të mëdha: Monografinë «Kosova – vështrim monografik» dhe «Fjalorin Enciklopedik të Kosovës» (për cilësinë e këtyre dy publikimeve herën tjetër)?
3. Pse të gjitha projektet i keni projekte kombëtare, e për dallim nga akademitë përreth, nuk e keni asnjë projekt ndërkombëtar?
4. Pse prej 10 milionë € që keni marrë nga Buxheti i Kosovës, rreth 2/3 e këtij buxheti i keni çuar në paga dhe mëditje?
5. Pse honorari – për anëtarin e rregullt 1.429.54 €, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 € – është trefish më shumë sesa i kolegëve tuaj nga vendet përreth, ndonëse Kosova është ndjeshëm më e varfër sesa vendet përreth?
6. Pse gati 90% e anëtarëve të rregullt të AShAK-ut nuk kanë pasë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq angazhime nëpër parti politike kanë pasë më shumë se gjysma e anëtarëve të rregullt të këtij institucioni?
7. Pse pranoni të udhëhiqeni nga një person i dënuar nga gjykata me 18 muaj burgim me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare?
8. Pse i pranoni në radhët tuaja të paktën tre plagjiatorë – Nexhat Daci, Sabri Hamiti e Arsim Morina – të akuzuar publikisht nga Musa Limani, nga Sali Bytyçi, e nga Talat Gjinolli, me dëshmi të forta, se veprat e tyre janë plagjiaturë?
9. Pse faqen zyrtare në internet e keni jofunksionale, të papërditësuar, dhe, mbi të gjitha, vetëm në gjuhën shqipe, e pothuajse asgjë në gjuhën angleze?
10. Pse prej 13 qëllimeve që ua përcakton ligji, ju e keni realizuar vetëm njërin: përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës të anëtarëve të Akademisë?/KultPlus.com

Të ngjajshme