29 Tetor, 2020 - 8:00 pm
Nga Nezik Kraki
Pa asnjë tentim apo dëshirë për polemikë, thellësisht mendoj që dallimi në mes shkollës dhe fesë është bazik:Shkolla mëson dhe aftëson për jetën (vullnet)
-Feja mëson dhe përgatit për vdekjen (frikë)
-Tash, cila i duhet më shumë një rë riu, jeta apo vdekja, ëndrra për më mirë në Tokë apo frika nga zjarri i ferrit në Qiell? Shembulli i një qytetari të suksesshëm dhe të dobishëm në shoqëri apo shembulli i një të stagnuari që projekt jetësor e ka “vdekjen e suksesshme”?
Kam respekt për secilën fe edhe pse ato i krijoi njeriu për kontrollin e njeriut. Zoti nuk ka pasë kurrë ambicie politike apo kontrolluese. Poashtu, mendoj se fetë e kanë ndihmuar në disa momente njerëzimin të organizohej apo të qytetërohej por asnjëherë s’e kanë lejuar njeriun të çlirohej.
Sot jemi në hall si t’ia dalim që të jetojmë normalisht, në shoqëri e rreth me individë të përgjegjshëm dhe të lirë. Nuk kemi kohë ta studiojmë vdekjen se ferrin e kemi këtu dhe këtë ferr duhet ta përmirësojmë.
Nuk më duhen asgjë personat e sjellshëm pas vdekjes. I dua të sjellshëm dhe të suksesshëm para vdekjes. Dua fëmijë të urtë e të suksesshëm tash, që jeta e tyre të nisë me ëndrra që mund të realizohen. Dua fëmijë që do ta përmirësojnë ferrin në tokë dhe do përpiqen për jetë të susksesshme, jo fëmijë që veç do konstatojnë mangësitë e kësaj bote duke shpresuar në “vdekje të suksesshme”.
Çka i duhet njohuria frikësuese e zjarrit dhe e denimeve hyjnore një të riu sot? A janë familja dhe shkolla ata që duhet t’ia mësojnë atij bazat e sjelljes në shoqëri?
Atëherë, një i ri që ka familje dhe/ose shkollë ku edukohet, nuk ka nevojë për mësim përmes frikës as për mësim për vdekjen. Jam i idesë se edhe njohuritë rreth feve duhet të mësohen në shkolla, por si njohuri jo si praktikë. Dhe kur secili të jetë 18 vjeç e sipër atëherë le te çmenden nëse duan.
Ndërkohë, në pritje të vdekjes, a na lejoni të jetojmë ju lutëm dhe ta tregojmë veten në këtë jetë? Dhe, mos i flisni fëmijëve për vdekjen as për gjëra që njeriu kurrë s’i kuptoi.
…Sepse vdekja kurrë s’mund të jetë projekt jetësor.
Zoti ju paftë! / KultPlus.com
https://www.facebook.com/nkraki/posts/10224751807962198