Shkollë pa kulturë

11 Shkurt, 2019 - 2:25 pm

Autor: Labinot Kunushevci

Burimin e të gjitha problemeve duhet ta kërkojmë në sistemin e arsimimit dhe edukimit. Ndërsa thelbi kryesor i këtij sistemi është kultura. Përgjigjën më të mirë ndaj analfabetizmit, sidomos funksional, e gjejmë tek koncepti “shkollë pa kulturë”. Por çka do të thotë kjo?

Nxënësit në shkolla mësojnë edhe lëndë të panevojshme, konceptualisht të gabueshme dhe që nuk bazohen në nevojat e tyre të ndryshme nga nevojat e gjeneratave të mëhershme. I gjithë sistemi i arsimit fillor përveç njohurive elementare, duhet të bazohet në kulturë. Dhe kush tjetër më mirë se sociologu mund të ligjërojë dhe edukojë për kulturën? Sidomos te lëndët zgjedhore duhet t’u jepet përparësi projekteve për lëndët që kanë për qëllim formimin dhe vetëdijesimin kulturor të nxënësve.

Çka iu duhen fëmijëve 12 – 14 vjeçar lëndët dhe temat për Bashkimin Evropian? U shpjegojmë për BE-n ashtu qysh as në BE nuk mësohet. Në universitet gjejmë studentë që s’kanë koncept për BE-n, kemi edhe profesorë që kanë krizë identiteti sa u përket koncepteve shtet, komb, integrim, e ne presim nga nxënësit e shkollave fillore të aftësohen në konceptin e BE-së! Në vend se t’u mësohet për kulturën, për moralin, për sjelljen, për komunikimin, për identitetin.

Kjo gjeneratë e re ende s’ka arrit të krijojë vetëdije dhe kujtesë për vendin, kulturën dhe historinë e vet, e ne i ngarkojmë me BE! Duhet t’ua kultivojmë vetëdijen institucionale. A e dini ku qëndron dallimi në mes të të rinjve në Kosovë dhe atyre në Perëndim, në pyetjen dhe vetëdijen për shtetin? Nëse i pyet të rinjt e Kosovës “çka është shteti?” ose “çka ju aludon shteti?”, shumica prej tyre shtetin e identifikojnë me presidentin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit. Pra shteti identifikohet me pushtetin, me qeverinë, me liderin. Sepse këtu është instaluar kulti i liderit në politikë dhe ky kult është shndërru në kulturë mendësie dhe vetëdije.

Ndërsa në Perëndim shteti identifikohet dhe asocohet me institucionin. Për shembull, qytetarit gjerman kur i përmendet koncepti shtet, mendja i shkon te institucionet. Sepse në institucione merren vendimet, nga vendimet caktohet standardi i qytetarëve dhe nga standardi varet mirëqenia e tyre. Prandaj ata e kanë kultivu vetëdijen institucionale dhe si rezultat i kanë punët më mirë se ne. Këtu të rinjt i njohin të gjithë politikanët, imazhet e tyre në medie i shohin me dhjetëra herë në ditë. Ndërsa nuk dijnë t’i dallojnë institucionet, nuk i njohin ligjet, nuk i dijnë shumë të drejta të tyre, sepse në shkolla nuk u ofrohet ky edukim, kjo kulturë.

Ta marrim shembullin e lëndës “Edukata Qytetare”, të cilën mendoj se duhet ta ligjërojnë vetëm sociologët. Edukimi qytetar është tërësisht dimension kulture. Për familjen, për sistemin e vlerave, për sjelljen publike, për vetëdijen kritike, për të drejtat e njeriut, kompetent profesional është sociologu, metodologjia e tij hulumtuese, aftësia e tij e artikulimit dhe shpjegimit kontekstual, sensi i tij socio-kulturor. Prandaj duhet të ndërrohet Udhëzimi Administrativ i MASHT, që për këtë lëndë në konkurset për mësimdhënës të kësaj lënde përparësi t’i jipet sociologut.

Sa tema tabu kemi në shoqëri? Për seksualitetin jo vetëm fëmijët, por edhe shumë prindër nuk dinë gjë pos aktit seksual. Nga pikëpamja konzervatore mund ta paragjykojmë edukimin seksual, por e kemi gabim. Duhet ta pranojmë që fëmijët kanë nevojë ta kuptojnë kompleksitetin e seksualitetit, pra seksin si kulturë, si edukim, si faktor në familje dhe në shoqëri, me të gjitha shkaqet, pasojat dhe implikimet që ka, e jo veç si akt fiziko-emocional, jo veç si pasion.

Të mësojnë cilat janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme; si duhet të mbrohen nga abuzimi dhe trafikimi seksual; cilat janë pasojat psikike dhe kulturore të pornografisë dhe prostitucionit; si mund të mbrohen nga shantazhi ndaj integritetit fizik; si shprehet gjuha dhe mendësia seksiste; ku

qëndron vija e hollë ndarëse në komunikimin privat dhe publik mbi seksin; ku qëndron kufiri dhe distanca në raportet nxënës – mësimdhënës; si duhet reaguar përballë ngacmimeve private dhe publike; rreziqet e viktimizimit seksual në rrjetet sociale; pasojat e komunikimit me njerëzit e panjohur dhe takimi me ta si rezultat i komunikimit online; çka është perversiteti dhe frustrimi seksual; çka është shtatzënia e padëshiruar; çka është aborti dhe cilat janë shkaqet dhe pasojat e tij; cila është lidhja e moralit me seksin dhe virgjinitetin; raporti i kodit të etikës me veshjen publike; si duhet t’i thyejmë iluzionet që i kemi për seksin dhe si krijohen ato; çka është planifikimi familjar; flirtimi dhe lidhjet në adoleshencë; pasojat e martesës së hershme, specifikisht pasojat e ndërprerjes së shkollimit për shkak të martesës së hershme, etj. Edukim seksual do të thotë edukim kulturor. Prandaj shoqëria jonë ka nevojë për lëndën “Edukimi seksual” dhe këtë lëndë mund ta japin sociologët.

Sipas hulumtimeve një përqindje e madhe e nxënësve në Kosovë konsumojnë pornografi në telefonat e tyre. Ata nuk e dijnë që pornografia është industri. Aty ku kombinohen imazhi dhe roli seksual me logjikën e përfitimit. Nuk e dijnë që ajo s’ka lidhje me realitetin seksual, me shëndetin seksual. Frustrimi, iluzioni dhe perversiteti seksual janë disa nga efektet e mundshme nga pornografia, ku zakonisht femra paraqitet në pozita shtypëse, shfrytëzuese dhe nënshtruese, si objekt seksi. Pornografia e përforcon ndjenjën e shumë burrave për të drejtën e tyre që të përdorin trupat e grave. Aty përforcohen stereotipet. Me një fjalë, pornografia nënkupton se e vetmja gjë për të cilën gratë dhe vajzat janë të mira është për t’i kënaqur burrat fizikisht. Mos të flasim për vullgaritetin dhe shumë forma tjera të pornografisë.

Ndërsa shumë fëmijë rrezikohen nga mashtrimet dhe abuzimet, nga viktimizimi, gjatë kërkimeve në pornografi. Pastaj sa nga këta viktima, sidomos femra, nga presioni, frika dhe efekti i shantazhit, kanë bërë vetëvrasje? Mund të fillojë me një kuriozitet, me një klikim, por të përfundojë me depresion dhe me vetëvrasje! Pse mos t’u ofrohet ky edukim fëmijëve tanë? Këtë më mirë se sociologu askush s’mund ta bëjë.

Unë kam ligjëruar lëndën “Parandalimi i dukurive negative” në një nga shkollat publike në Prishtinë, për bullizmin dhe dhunën, për ngacmimin dhe abuzimin, për konfliktin mes gjeneratave, për pasojat e drogës, për sulmet kibernetike, për gjuhën e urrejtjes, për analfabetizmin funksional, etj. Por kjo lëndë shumë pak aplikohet. Në shkolla duhet të ketë sa më shumë sociologë që ligjërojnë për dukuritë negative dhe drejtoritë e arsimit duhet ta respektojnë këtë domosdoshmëri.

Tjetër lëndë e domosdoshme është edhe “Edukimi medial”. Media sot ushtron presione të mëdha mbi identitetin, kulturën dhe psikën e njeriut, prandaj të rinjtë duhet të aftësohen se si t’i përdorin mediet dhe se si të mbrohen nga dëmet që ato mund të shkaktojnë. Se si t’i marrin, kuptojnë dhe vlerësojnë informatat sepse jo të gjithë i kuptojnë njësoj. Efektet e lajmeve, storjeve e artikujve, sidomos atyre të rrejshme dhe senzacionale, prodhojnë efekte të ndryshme dramatike në publik. Edhe struktura rinore është heterogjene, kanë botëkuptime dhe formime të ndryshme kulturore dhe ekonomike, kanë pritshmëri dhe shije të ndryshme, prandaj edhe reaksionet e të rinjve janë të ndryshme. Depresioni, kriza psikike, frustrimi, gjuha e urrejtjes, shantazhi e deri te vetëvrasja, vijnë si rezultat i komunikimit të deformuar publik, si rezultat i konsumimit të përmbajtjeve joadekuate që nuk respektojnë asnjë parim moral a profesional, sidomos nga mediet komerciale që kauzë kanë vetëm rritjen e klikimeve përmes senzacioneve. Pra në mes të njeriut dhe teknologjisë nuk ka vetëm miqësi, ka edhe armiqësi.

A e dini si reflektohet përthyerja e komunikimit vullgar e agresiv publik, bullizmi online, në botën psikike të të rinjve? Sigurisht që mekanizmi imunizues nuk është vetëm edukimi medial në shkollë, por është para se gjithash ai familjar. Por këtu pasojat më së shumti po i vuajnë familjet që i lënë fëmijët e tyre totalisht të lirë. I lënë fëmijët të jetojnë me parimin “kënaqu tash”, pa menduar

për pasojat dhe përgjegjësitë. E liria këtu kuptohet si hapësirë ku njeriu ka të drejtë të bëjë ç’të dojë, e jo si hapësirë ndaj së cilës ai ka përgjegjësi. Në adoleshencë kombinohen euforia, kurreshtja, imagjinata, prirja, ambicia, temperamenti, vetëbesimi, si me arritë shpejt te paraja, te fama, te karriera, te suksesi, ku rritet rreziku i shndërrimit të hedonizmit në vlerë dhe mënyrë jetese. Në mungesë të kontrollit, fëmijët e shfrytëzojnë lirinë e pakufishme dhe potencialisht mund të jenë viktimë sepse ndikimi i rrjeteve sociale dhe i shoqërisë është i madh.

Por se kemi edhe prindër të painteresuar për fatin e fëmijëve të tyre, këtë e shohim në shkolla, ku disa prindër nuk interesohen kurrë për rezultatin e fëmiut të tyre në shkollë, nuk vijnë asnjëherë në mbledhjet e thirrura nga kujdestarët, nuk konsultohen fare, nuk shqetësohen nëse fëmiu i tyre mungon pa arsye, nëse ndaj fëmiut të tyre ka ankesa nga ndonjë nxënës apo mësimdhënës, nëse vet fëmiu ankohet për ndonjë nxënës apo mësimdhënës. Nëse nuk funksionon komunikimi nxënës – prind – mësimdhënës, këtu s’ka rezultate të mira.

Prandaj sa më shumë prezencë të lëndëve nga shkencat shoqërore që e afirmojnë vlerën e njeriut, individit dhe familjes, vlerën e identitetit, tolerancës dhe komunikimit normal, aq më mirë për nxënësit në shkollë, për të ardhmen e tyre. Fëmijët duhet të mësojnë si të shkruajnë ese, jo veç diktimin. Duhet të kenë lëndë për eseistikë. Jo veç të mësojnë rrëfime fiktive, histori të njëanshme, të lashta, nga tekste ku mitizimi, glorifikimi, protagonizmi, kulti i individit, janë dominues.

Së pari, me ditë me kriju rrethana të favorshme për të mendu lirshëm. Së dyti, me ditë me mendu, me provoku mendjen, imagjinatën, intuitën, botëkuptimin sado pak i formuar. Së treti, me ditë me shprehë idenë. Së katërti, me ditë me artikulu idenë. Së pesti, me ditë me kriju mendim kritik ndaj asaj ideje, me ditë me ballafaqu me idetë tjera. Së gjashti, me qenë i gatshëm me pranu mendimin ndryshe. Së shtati, nga idea me nxjerrë një projekt, një plan, një vizion. Së teti, me angazhu gjithë potencialin profesional, moral, shoqëror, për realizimin e atij projekti. Së nënti, mos m’u dëshpru dhe dorëzu edhe nëse dështon. Dhe së dhjeti, edhe nëse dështon, me fillu prap…

Kjo mund të duket e tepërt, sidomos kur e dijmë që kemi edhe studentë, besa të diplomuar, që janë analfabetë funksional, që në jetën e vet nuk kanë arritur të artikulojnë as edhe një koncept ose një ese origjinale. Sepse iu ka munguar ky kontinuiteti i komponenteve 1 – 10.

Nxënësit duhet t’i nxitim të krijojnë identitet të veçantë dhe jo veç me qenë strukturë dhe turmë. Nxënësve në shkollë u shpjegoja fjalën e Erich Fromm-it: ”Disa njerëz vdesin në ditën që lindin.” Të gjithë e kuptonin se po bëhet fjalë për vdekje biologjike të foshnjës së posalindur. Por jo, iu thoja, është vdekje identitare. Biologjikisht ata lindin, rriten, jetojnë e plaken, por janë të vdekur me identitet social sepse në jetën e tyre nuk dallohen me identitet prej tjerëve, nuk e afirmojnë identitetin, nuk veçohen me ndonjë sukses, kontribut apo talent, por thjesht jetojnë si turmë. Pra jo si x dhe y, por si pjesë e strukturës.

Fëmijëve në shkolla nuk duhet t’ua vrasim vetëbesimin, veç edhe nuk duhet t’i trajnojmë mekanikisht në mësimnxënie. Ai nuk duhet të vlerësohet vetëm pse e ka mësuar një tekst ose një detyrë përmendësh në mënyrë mekanike, por që s’e ka kuptuar me logjikë. Shumë më e rëndësishme është nëse mësimdhënësi ia bën një pyetje provokative dhe kurioze që e nxitë nxënësin të mendojë dhe nga të menduarit të jap një përgjigje, sesa ta detyrojë ta thotë një tekst fjalë-për-fjalshëm prej të cilit ai s’ka kuptuar gjë.

Këtu ka monopol edhe mbi tekste shkollore. Tekste që me dhjetëra vite ribotohen pa korigjime e recenzime. Tekste kulturore me stereotipe. Tekste të historisë ku e kaluara mësohet në mënyrë ideologjike. Tekste të shkencave natyrore primitive e fyese ndaj kategorive të margjinalizuara, si teksti i biologjisë për personat me sindromin Down për të cilin kam reagu me një artikull shkencor, etj. Shoqëria jonë ka nevojë për transformim kulturor bashkë me sistemin e arsimimit dhe edukimit. Ndryshe nuk mund të themi se shkolla po ushtron funksion edukativ. Shkollë pa kulturë. /KultPlus.com

Të ngjajshme