11 Prill, 2019 - 8:45 pm
Shpresa Qeriqi
Mira Meksi, autorja e romanit “E Kuqja e Demave” e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionin për çmimin letrar “ Ballkanika”, me shumë përvojë dhe pjekuri në prozë madje edhe në përkthimin e shkrimtarëve të mëdhenj si Sabato, Neruda, Vargas Llosa e të tjerë, këtë herë na vjen me një përmbledhje tregimesh në krye me një novelë “Hakmarrja e Kazanovës”
Që në titull të përmbledhjes autorja kërkon një lexues të veçantë, një lexues me njohuri në fushën e letërsisë, filozofisë dhe historisë. Një lexues entuziast që do të kërkojë të zbulojë hakmarrjen e dashnorit më të madh të të gjitha kohërave, një lexues që nuk ka frikë të depërtojë në labirintet e një bote të re përtej realitetit të vrazhdë, një bote të tërë imagjinare.
Përmbledhja e tregimeve “ Hakmarrja e Kazanovës” përmban gjithsej gjashtëmbëdhjetë tregime dhe një novelë, me gjuhë të pasur figurative dhe përplot emocione.
Të gjitha tregimet shpalosin një botë psikologjike, botën e brendshme shpirtërore të personazhit, duke shtruar përpara përvojën e njeriut, shpirtin dhe dëshirën e pashmangshme përnjohje dhe kërkimin e pandalshëm për vetnjohje si një proces të vazhdueshëm dhe të papërfunduar.
Tregimet gjithashtu luajnë me temën e dashurisë së librave në përgjithësi, përkthimit të tyre dhe enciklopedive të veçanta që janë secila, në njëfarë kuptimi, një botë.
Ndër vetitë e para të tregimeve janë kërkimi i të veçantës, të pazakonshmes dhe të posaçmës në aspektin e lëndës. Në pamje të parë tregimet na paraqiten si tregime fantastike ku dominojnë historitë që kanë të bëjnë me dukuritë mbinatyrore dhe mistike që gjithmonë kanë qenë mjaftë atraktive dhe joshëse për lexuesin. Një shpirt mes të gjallëve i ngujuar në aromën e një kolonje, aventurieri i Venecias ringjallet për të marrë një shpagim, mikja e vdekur kthehet për të bërë një falënderim, dhe hajmalia për dashurinë e përjetshme e ringjallura nga legjendat spanjolle.
Mirëpo a janë më të vërtetë shpirtra të ringjallur, shpirtra që enden rrugëve, a janë të vërteta legjendat spanjolle, nata dhe mali i të vdekurve, apo janë vetë personazhet që i jetësojnë ato, si manifestim i pendesës, frikës nga ndëshkimi, dëshirat për pasionet e ndaluara, kujtimet dhe domosdoshmëria për t’i mbajtur përjetë ato.
Tregimet mund të lexohen të shkëputur nga njeri-tjetri, e përbashkëta e tyre është bota e thellë imagjinare e cila shpesh të rikthen furishëm në realitetin e mjegulluar të personazheve. Pozita e narratorit ka një status të ndryshueshëm, ajo do të ndryshojë shpesh nga tregimi në tregim, dhe rrallë bëhet një me autoren. Në strukturën e rrëfimit të këtyre tregimeve, secili nga protagonistët e ka historinë e tij vetjake që e ruan si kujtim, faj, frikë, kureshtje apo dashuri. Tregimet cilësohen me ngrohtësinë e rrëfimit artistik, në to trajtohen një varg çështjesh a dukurish që lidhen me botën reale dhe përtej saj. Në shtjellimin e fabulës shpesh realja ngatërrohet me irealen, ngase personazhi shpesh nuk dihet kur është i gjallë e kur është vetëm një shpirt që endet i etur për të vërtetën.
Dhe çfarë është ajo që e duam dhe në të njëjtën kohë e urrejmë nëse nuk është një kujtim. Rrëfimet që në thelb kanë kujtimet, të hershme e fëmijërore, të bukura dhe ndonjëherë të kthyera në formë të një arome, këpuce apo kurdeli, janë kujtime që në njërën anë torturojnë dhe në anën tjetër çlirojnë personazhet nga pengjet e së kaluarës. Është pra kjo kthimi në të kaluarën apo e kaluara në një të tashme dhe refleksioni i saj?
I tillë është tregimi “ Pasqyra veneciane me cipë mërkuri”- A janë rrudhat në portretin e një gruaje apo humbja e kujtimeve dhe ëndrrave të dikurshme frika më e madhe e pleqërisë?
Ëndrrat e lëna dhe të parealizuara shfaqen në gjurmët e ashpra të plakjes në pasqyrë, për t’i kujtuar edhe njëherë fëmijërinë e dikurshme, dhe ëndrrën e parë fëmijërore. Këpucët me take metalike tashmë të dal mode dhe një vallëzim përpara pasqyrës risjellin kujtimin më të bukur, vajzës tashmë të rritur dikur me bishtaleca që admironte lehtësinë e lëvizjeve mbi këpucët e zeza në këmbët e nënës së saj.
Pasionet e ndaluara të dashurisë, dashuritë e vjetra dhe të reja, të gjithë ato që nuk u jetuan dot e që do mbesin peng i jetës do të përjetohen në mënyrën më të pazakontë, “nën qiellin mashkullor” të nisur nga një puthje fluture në tregimin ‘’ Orgji gushti”.
Kujtimi i ngecur në aromën e një kolonje kthen të vdekurin nga bota e përtejme nëse ka një të tillë, për t’u kthyer magjishëm si në ankth rrugëve dhe shtëpisë së dikurshme për të ndjerë edhe një herë aromën e kolonjës së marinarëve që vazhdonin të largoheshin nëpër det pa dal kurrë në tokën e thatë. Tregimi “Aksidenti” torturon një shpirt në mes të gjallëve që endet rrugëve me një parandjenjë, për të provuar edhe një herë një aksident.
Tregimi që na flet për një krim të vjetër i cili kthehet si një kujtim fëmijërie, në një shtëpi të veçuar, për të ndezur dëshirën e njohjes së një të vërtete të pathënë, na e e jep që në titull mjetin e kryerjes së krimit “ Gërshërët”. Krim i vjetër ndoshta nga pasioni apo krim i bërë si akt i mbrojtjes së njeriut të dashur.
Ringjallja nga bota e të vdekurve na vjen e rrëfyer herë si një ëndërr e keqe, herë në mendime të përziera nga alkooli për të marrë formën e pendesës të një faji të mbajtur me vite apo si frika nga ndëshkimi prej një ndërgjegjeje jo të pastër. Të dytën e hasim fillimisht në novelën “Hakmarrja e Kazanovës”. Një ekspeditë e çuditshme historianësh krejt ndryshe nga paraardhëset, një ekspeditë romantike e shënjuar nga dashuria, në qytetin e lagësht të Venecias. Rrugëtimi i ekipit nis nëpër gjurmët e jetës së Kazanov-ës. Emri i të cilit u memorizua në kujtesën e kohës si filozof, prift, ushtarak, spiun, kumarxhi, bibliotekar, shkrimtar e aventurier. Por gjeneratat dhe vetë historia do ta mbajë mend si dashnori më i madh i të gjitha kohërave. Ekzistonte megjithatë një gjurmë fare e zbehtë, por që ishte sidoqoftë një fillesë, nga ku nisi rrugën ekspedita e Sydney Fox. Një ilustrim botimi qon deri në zbulimin e një fshehtësie shekullore, tejet personale. Megjithëse një grua, në jetën e një aventurieri, si Kasanova, nuk duhet të ishte më shumë se një numër në historitë e shpenguara të pasionit te këtij përbindëshi oreksesh epshi, që akoma vazhdonte të ishte pa një varr. E fshehta e tij e zbuluar nga Arbër Muzaka do të trondit botën dhe të gjithë historianët e kohës. Do të trondit dhe shpirtin e Kazanovas i cili do kërkoj dhe do gjejë një rrugë për shpagim.
Një lajm si në ëndërr, në një natë kujtimesh, në gjendje të mjegulluar dehëse, kthehet për të falënderuar nga vdekja e ftoftë në sekondat e fundit të një minutëshi telefonik, tani jo më si një kujtim, jo si një fantazmë a shpirt që endet, por si një zë i dikurshëm, i gjallë dhe i dashur. Për të lënë kështu një kordele të blertë të kthyer nga përjetësia në varësen prej atllasi të bardhë ku një ditë më parë ishte i vendosur fustani i kuq indian. Ishte vetja kjo që fal, apo shpirti i dal në dimension tjetër që gabimeve të së shkuarës dhe fajit të ndjerë me vite, u ndërton një rrugë dhe i përzë.
Ashtu si breshkat, edhe ne kemi nevojë për një zhguall mbrojtës edhe pse të padukshëm, për të mbrojtur brishtësinë tonë, e ardhmja na tremb, kemi frikë nga forcat e padukshme dhe kemi nevojë për shpresë, dashuri dhe lumturi. Që nga kohët e lashta, njeriu ka mësuar ta dallojë atë që është e përgjithshme nga ajo që është e veçantë, sepse ka pasur një simbol, një ngjyrë apo një formë të pazakontë dhe një vlerë të shenjtë. Talismanët e vërtetë të mbushur me ritual special të Magjisë së Bardhë, janë si bateria elektrike e mbushur me rrymë e cila pandërprerë jep dritë e të hap rrugën natën për të parë dhe për të shkuar te qëllimi i caktuar. Nevoja për të besuar në fat madje edhe në mrekulli apo në mbrojtjen nga hajmalitë, e shpien Teutën protagonisten e tregimit “Shiriti prej mëndafshi blu” e pafat në dashuri rastësisht në qytetin e legjendave në Spanjë pikërisht në natën e të vdekurve për të marrë një dhuratë nga Beatriçja e legjendës spanjolle shenjën e dashurisë së përjetshme.
Tloni i tregimit të Borgesit ishte krijimi i një bote imagjinare dhe banorët e saj mbajnë një formë ekstreme të idealizmit subjektiv, e cila e mohon realitetin e botës. Bota e tyre kuptohet “jo si një pajtim i objekteve në hapësirë, por si një seri heterogjene e akteve të pavarura”. Realitet i ashpër i një dashurie të pamundur, në tregimin “ Tloni i dashurisë” qon në domosdoshmërinë e krijimit të një botë plotësisht imagjinare tash në një Tlon të ri e personal të projektuar nga një mendje e re, dhe një zemër plotë, ku çdo fjalë, veprim a deklaratë dashurie, etje dhe dëshirë për t’u dashuruar qon në një gjendje magjike të rrënuar prapë nga po i njëjti realitet. Duke lënë pa komentuar edhe shumë tregime të tjera, si përfundim mbetet fakti se falë aftësive krijuese, njohjes së letërsisë, dhe leximit të saj në gjuhë të ndryshme, pra në gjuhët e para në të cilat janë shkruar veprat e shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë, i siguron autores jetëgjatësinë e krijimeve të saj. Dhe njëherësh i ofron lexuesit një letërsi të pasur, përplot emocione, pasione, dashuri,ëndrra dhe kujtime./ KultPlus.com