29 Shtator, 2018 - 1:02 pm
Nezir Kraki
Shpresa e vetme e Kosovës është populli i saj i pashpresë
Krejt sistemet politiko-kriminale, nga diktaturat deri te oligarkitë, program e kanë lodhjen e popullit deri në pikën e pashpresës. Se një popull i kërrusur manipulohet lehte nga varësia dhe nevoja për mbijetesë.
Por është pikërisht kjo qasje që gjithmonë i ka dënuar ato sisteme. Se në fakt, shtrëngimi për kontrollim dhe lodhja për manipulim janë katalizatorët kryesorë të revoltes së brendshme të individit. Dhe, revolta e brendshme individuale, lufta e brendshme për liri dhe dinjitet njerëzor, kthehen pashmangshëm në bazën më solide e revoltës kolektive që synim ka interesin e përgjithshëm.
Populli i Kosovës gjendet sot fiks në këtë pikë: në stacionin e fundit të ciklit të shtrëngimit dhe të lodhjes nga një sistem që s’buron prej tij.
Prandaj nga sot populli ynë duhet të vendosë t’i bashkojë revoltat e brendshme individuale në një revoltë të shprehur bashkerisht.
Sepse veç popujt mund të hapin dhe mbyllin cikle historike.
Para 20 viteve populli ynë e hapte ciklin e lirisë. Sot ai duhet ta mbyllë ciklin e shkaterrimit të ëndrrave, duhet ta mbylle ciklin e pashpresës.
Prandaj nga sot, shpresa duhet të burojë nga pashpresa.