22 Qershor, 2018 - 1:00 pm
Qemal Murati
Në hapësirën shqipfolëse Gjergj Kastrioti- Skënderbeu nderohet lart si hero kombëtar. Figura e Skënderbeut edhe sot, 550 vjet pas vdekjes së tij, nuk perceptohet dot pa emocione, kjo sepse shoqëritë kanë nevojë për heronj (Jens Oliver Schmitt). Por derisa te disa popujt e tjerë janë krijuar edhe heronj kombëtarë fiktivë, që nuk kanë ekzistuar, më shumë sipas dëshirës së tyre, te figura e Skënderbeut kemi një hero real historik kombëtar shqiptar të përmasave evropiane e botërore, që sa më shumë kalojnë shekujt emri i tij nuk venitet por rritet, dhe, për famën e tij, një hero që kanë synuar ta përvetësojnë edhe të tjerët. Popuj të ndryshëm të Ballkanit kanë bërë përpjekje për ta përvetësuar këtë figurë madhështore të historisë shqiptare, sidomos serbët, maqedonasit etj.
Të rralla janë figurat historike kombëtare, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që me bëmat e tyre i kanë krijuar vetes një aureolë të tillë sa të identifikohen me gjithçka që është kombëtare dhe universale: me epokën historike (Epoka e Skënderbeut 1443), me simbolet nacionale (Flamuri i Skënderbeut), me armët (Shpata e Skënderbeut), me kohën (shekullin XV: Shqiponja dykrenore ka zënë vend që nga koha e Skënderbeut); me Skënderbeun matet dhe koha: thuhet para kohës së Skënderbeut, pas kohës së Skënderbeut, në kohën e Skënderbeut; me të drejtën zakonore (Kanuni i Skënderbeut); me gjuhën (gjuha e Skënderbeut). Kështu, deri dhe gjuha shqipe është ngritur në shenjë identiteti dhe është bërë sinonim i emrit të tij. Kur flitet për arbëreshët e Italisë, thuhet: “Flasin me gjuhën e Skënderbeut.
Dhe kjo sigurisht jo pa ndonjë arsye, sepse gjuha e të parëve tanë, e quajtur në mesjetë arbnishte/ arbërishte, ka mundur të mbijetojë përballë stuhive e rrebeshe asimiluese të pushtuesve në radhë të parë edhe falë shpatës së kryeheroit tonë Skënderbeut. Shpata e Skënderbeut i dha fuqi edhe penës së shkrimtarëve që ta ruanin e ta kultivonin këtë gjuhë me shkrim. Prandaj edhe poetët do ta vinte në spikamë këtë:
“Atë që bëri Skënderbeu me shpatë/ Ti e bëre me penë, o i madhi De Radë”.
Me Skënderbeun ka qenë e lidhur ekzistencialisht edhe jeta (bota) arbëreshe. Arbëreshët e konsideronin veten si ”Populli i Skënderbeut”. Në fshatrat e arbëreshëve ekzistojnë akoma emra njerëzish që quhen Skanderbeg, siç janë gjetur në regjistrat e vjetër të formularëve të pagëzimeve një numër shumë i madh që kishin emrin e heroit kombëtar. Komunitetet arbëreshe në Itali për ta ruajtur të gjallë mitin e Skënderbeut i kthyen edhe Pashkët si festa kombëtare të arbëreshëve dhe kjo festë nisi të mbahej në emër të kujtimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.” (Françesko Altimari).
Skënderbeu sa është hero kombëtar i shqiptarëve po aq është bërë hero edhe i civilizimit botëror. Monumenti i Skënderbeut ka zënë vend në sheshet e kryeqyteteve ballkanike, evropiane dhe botërore: në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Romë, në Gjenevë, në New York. Edhe në Beograd një rrugë mban emrin e Skënderbeut.
Skënderbeu si figurë historike ka kaluar edhe në legjenda, që ka frymëzuar edhe poetë të mëdhenj si Grigor Përliçev (1830-1893) të ekzaltohej e frymëzohej aq shumë, sa të shkruante poemën “Skënderbeu” në greqisht me 3000 vargje. Në të poeti i këndon me ton të ngritur patetik heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe të prijësit të tyre, Skënderbeu është dhënë si mbrojtës i popujve të tjerë të Evropës (vepra është përkthyer dhe botuar shqip më 1967 prej S. Çomorës). Se ai e dinte që Skënderbeu ishte një figurë e tillë universale, që në thelb ka bashkimin, jo ndarjen.
Skënderbeu është edhe vetë gjuha shqipe. Ai me gjuhën arbneshe i dha kësaj gjuhe forcë si forca e Anteut që ishte e lidhur për toke. Bëri që kjo gjuhë të jetë edhe më e dashur ngaqë lidhet edhe me një emër të tillë të madh dhe t’u shërbejë shqiptarëve si mburrje para të tjerëve.
Gjuha shqipe e Kryezotit të Arbërit, Skënderbeut, injektonte krenarinë tek shqiptarët.
Për Skënderbeun, si për asnjë gjeni tjetër të artit luftarak, është shkruar shumë dhe në shumë gjuhë të botës. Janë shkruar histori, romane, poema, drama, poezi; janë thurur legjenda pa fund. Edhe në fushën e terminologjisë janë krijuar mjaft terma dhe shprehje terminologjike që lidhen me figurën e Skënderbeut, si:
Skënderbeolog: “Kristo Frashëri, nderohet Skënderbeologu (titull, Shekulli, 10.11.2005); Ai konsiderohej si një nga “Skënderbeologët” më të rëndësishëm…” (Gazeta “Shekulli”).
Skënderbegian: Epoka skënderbegiane; Bibliografia skënderbegiane, etj.
Edhe gjeografia shqiptare është plot me toponime e legjenda që lidhen me emrin e heroit, që flasin për gjurmët e këtij vigani:
Shkall’e Skënderbeut – shkallë ku sipas legjendës do të ketë luftuar Skënderbeu – mbi Ladorisht të Strugës.
Shkalla e Skënderbeut – në veri të fshatit Rrajcë.
Shpella e Skënderbeut – në jugperëndim të Bërzeshtës.
Kalaja e Skënderbeut – në Kepin e Rodonit.
Kalaja e Skënderbeut (ose dhe Kalaja e Varoshit) – ndodhet në skajin verilindor të luginës së Matit.
Kalaja e Skëndërbeut – te kjo kala dallohet si në pëllëmbë të dorës gjithë lugina e Bulqizës, e Grykës së Madhe dhe deri edhe Dibra dhe gryka e Radikës.
Gurët e Skënderbeut – një vend që ndodhet në lindje të fshatit Vajkal në kufi me Dragunin në të cilin ndodhen disa gurë shumë të mëdhenj si të ngulur në dhe që duket se janë hedhur në sipërfaqen e një vendi të sheshtë me bar në formë livadhesh.
Kepit i Skënderbeut – në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës. Sot dibranët festojnë festën e “Shën Gjergjit”, në kujtim të ditëlindjes së Skënderbeut në datën 6 maj, duke shtruar darka në shtëpitë e tyre.
Kungullari – një grumbull gurësh e dheu me perimetër 90 metra në qendër të fshatit Malishevë, që gjendet në kryqëzimin e rrugëve Rahovec-Prishtinë-Dulë e Klinë . Sipas një legjende, në Kungullar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka mbajtur një fjalim para ushtarëve të tij.
Sofra e Skënderbeut (ose Guri i Pishkashit) – shkëmb monumental i natyrës, një pllakë e madhe gëlqerorësh me formë pak a shumë të rrumbullakët e vendosur mbi shkëmbinj në skajin juglindor të rrethit të Librazhdit, në veri të Përrenjasit (ku është dhe fshati Pishkash), rrëzë malit të Skurës.
Figura historike e Skënderbeut në mendësinë popullore në toponimi është identifikuar a njësuar me legjendën mitike të Dragoit, si te topiku Gjurma e Kalit të Skenderbegut. Në shpjegimet popullore thuhet se Skenderbeu ka qenë Dragua dhe kërcente nga mali në mal gjatë luftimeve dhe se aty ku ka rënë ka mbetur gjurma e kalit të tij.
Veki i Kaurreshës – toponim në grykën e Deçanit. Sipas legjendës, aty ka ardhur gruaja e Skënderbeut, e ka ngritur vekun dhe ka bërë pëlhurë për ushtarët.
Në Shqipëri janë evidentuar 73 toponime që lidhen me emrin e Skënderbeut, me kujtimin, bëmat, legjendat dhe imazhin e Skënderbeut: në Krujë (11 toponime), Mat (20), Dibër (12), Kukës (5), Elbasan (7), Kurbin (3), Librazhd (8), Vlorë (2), dhe në vende të tjera (4).
Toponimet apo emërtimet e kësaj natyre, pavarësisht strukturës gjuhësore dhe formimit me kalimin e kohës kanë marrë funksione simbolike, d.m.th. kanë përfituar natyrën valorizuese të komunikimit. Gjetja e këtij areali në këtë hapësirë, si një prerje kohore e rëndësishme që nga shekulli XV apo dhe më vonë është i rëndësishëm për shumë çështje etnogjuhësore, historike dhe dije të tjera./KultPlus.com