27 Shtator, 2022 - 9:20 am
(Një reagim ndaj përpjekjeve që të anashkalohen datat historike që lidhen me shtetndërtimin e Kosovës, ku ajo e Referendumit për Pavarësi e 26 shtatorit 1991 duhet të shpallet festë zyrtare)
Jusuf Buxhovi
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është…”
Këto fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Murrov, të cilat qëndrojnë si moto e “Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e një populli të gjykuar për t’u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.
Sigurisht se metafora e Murrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të mos u përsëritet. Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta) i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të, kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi, lidhet liria e pa përfunduar ose e abuzuat, lidhet edhe demokracia, e mbi të gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit.
Dhe, kujtesa historike e shtetit të Kosovës, që si pjesë e Shqipërisë së natyrshme lidhet me mbretërinë dardane si dhe strukturat e saj të shkapërderdhura nën kurorën e Bizantit (principatat dhe zhupanitë e shumta),të cilat i rrënoi pushtimi pesëshekullor osman, prore ushqeu lëvizjet për çlirim dhe liri. Të tilla ishin ato gjatë pushtimi osman, ku Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 nxori në skenë nacionalizmin polititik (shqiptarizmin), që u kurorëzua me qeverinë e përkohshme të Lidhjes Shqiptare (1881), të parin organizim shtetëror pas shtetit të Skënderbeut, që i parapriu edhe pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Edhe gjatë kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), lufta për çlirim dhe bashkim kombëtar nuk reshti dot. Në përputhje me rrethanat, veçmas ato ideologjike, ndryshoi formën por jo edhe përmbajtjen. Kështu, në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta dhe ato të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, koncepti i iredentizmit ideologjik, me kërkesën për Republikën e Kosovës, u zëvendësua me atë për barazi në federatën jugosllave, me çka barazia kthehet në një strategji të re për shkëputjen nga pushtimi i Beogradit. Dhe si e tillë, në rrethanat e rënies së komunizmit dhe fillimit të shpërbërjes së federatës jugosllave, me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale, përfundimisht u vu në binarët e pandalshëm historik. Kjo lëvizje kombëtare ndër më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të suksesshmet e historisë sonë, ka kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të infrastrukturës demokratike të domsdoshme për një shtet të pavarur: Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator 1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët e Kosovës në rrethanat e një kërcënimi policor dhe ushtarak, që u vinte nga soldateska e Beogradit, votuan për pavarësi, me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, i cili mori përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura të shkaktuara nga përçarjet e brendshme nga rrymat e ndryshme ideologjike po edhe koninkturat e jashtme për “politikën pa luftë dhe luftën pa politikë” me limitet e së cilës kishte punë, në çastet e domosdoshme, me shfaqjen e UÇK-së, u kthye në mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare. Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Si e tillë, kjo datë duhet të shpallet festë zyrtare.
Por, kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më lart anashkalohen, por edhe “harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e historisë së njëmendtë brenda e jashtë, qëllimi i të cilëve është të “dëshmohet” se shteti i Kosovës është një projekt i dështuar politik që nuk e duan as shqiptarët! Në këtë sfond gjithsej se 26 shtatorit 1991, dita e Referendumit për Pavarësi, si akt historik dhe legjitim i vetëvendosje, ndonëse së voni shënohet kalimthi nga drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit (presidentja dhe kryeministri), vazhdon të injorohen nga “historianët” si dhe institutet ( ai i Historisë dhe Albanologjisë), gjë që me këto veprime shkëpusin qëllimisht shtetndërtimin e Kosovës nga proceset historike, që cilat e sollën në gjendjen e tanishme. Me këtë qëndrim antihistorik dhe antikombëtar, që ruan diskurin e diktatit ahtisarian, me të cilën Beogradit në përputhje me Memorandumin e Çubrilloviqit iu dhanë tapitë e drejtës historike mbi trashëgiminë mesjetare, shteti i Kosovës, pa krishterimin mesjetar që ishte i shqiptarëve nga shfaqja e tij në Ilirik dhe Dardani nga shekulli IV, kthehet në një shtëpi pa themel, e mbi të gjitha në një feud pa kujtesë historike, pa trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes otomane dhe hiç tjetër, ku madje zhvlerësohen edhe konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen me ato të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qëndronte shqiptarizmi si program politik, që nuk është përmbylllur ende, gjë që si po sillemi ne me shtetin tonë sikur tumirë akuzat që Beogradi ka ngritur kundër nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit 1986!
Dhe, kur Murrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, te ne, çuditërisht po ndodhë vetë-shkatërrimi i historisë nëpërmes vetë-harresës; po ndodhë vetë-shkatërrimi i identitetit kulturor dhe shpirtëror (duke u zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizimin brutal të modelit të umës).
Pra, po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës dhe karakterit të tij sekular dhe arsimit laik në përputhje me planet e armiqve të tij shekullor, e me këtë edhe vetë-shkatërrimi ynë!
Dhe, nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!… / KultPlus.com