Shtetndërtimi i Kosovës dhe fshirja e kujtesës historike! (FOTO)

27 Shtator, 2017 - 1:21 pm

Shkruan: Jusuf Buxhovi

“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është…” Edwad R. Murrov.

Këto fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Morrov, të cilat qëndrojnë si moto e “Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e një populli të gjykuar për t’u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.

Sigurisht se metafora e Morrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të mos u përsëritet. Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta) i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të, kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi, lidhet liria, lidhet edhe demokracia, e mbi të gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit.

Dhe, kujtesa historike e shtetit të Kosovës, krahas kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), ka edhe përpjekjet e vazhdueshme për çlirim dhe liri, që si proces i pandalshëm, në binarët historik u vu me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale. Kjo lëvizje kombëtare ndër më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të sukeseshmet e historisë sonë, ka kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të infrastrukturës demokratike të domsdoshme për një shtet të pavaur: Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator 1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët e Kosovës votuan për pavarësi, me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, që mori përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura, në çastet e domosdoshme, u kthye në mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare. Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Por, kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më lart, jo vetëm që kanë filluar të anashkalohen, por edhe “të harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e historisë së njëmendtë, nga brenda të lidhur edhe nga jashtë. Kjo u pa më së miri me rastin e 26 shtatorit, ditës së Referendumit për Pavarësi, të aktit historik dhe legjitim të vetëvendosje, kur jo vetëm nuk u shënua kund, por thuajse u injorua fare nga mediet dhe veçmas nga historianët tanë si dhe institutet (ai i Historisë dhe Albanologjisë), që kanë për detyrë t’i shënojnë këto data, por edhe të organizojnë tribuna dhe botime shkencore për to, në mënyrë që historia e shtetndëritmit të Kosovës të shpjegohet në përputhje me zhvillimet politike e shoqërore si dhe proceset historike shumëshekullore nëpër të cilat ka kaluar, dhe jo me përrallat, “heroizmat” folklorike si dhe thashethemet e politikanëve zullumçarë që kanë uzurpuar shtetin e Kosovës duke e kthyer në plaçkë të veten dhe mendojnë se ai mund të mbahet dhe të mbijetojë me permendore të paqendrueshme shumë prej tyre të shpifura dhe jashtë konsensuzit kombëtar.

Me këtë qëndrim antihistorik dhe antikombëtar, me logjikën e “Fermes së kafshëve” të Orvellit dhe dokrrat e “qytetarisë amorfe” të diktatit ahtisarian, Kosova kthehet në një shtëpi pa themel, e mbi të gjitha në një feud kaçakësh pa kujtesë historike, pa trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes islamike dhe hiç tjetër, ku zhvlerësohen konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen edhe me ato të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qendronte shqiptarizmi si program politik që nuk është përnybllur ende, ngaqë ajo që po ngjet tani te ne dhe sjelljen tonë përkon me akuzat që Beogradi ka ngritur kundër nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit 1986!

Mudrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, ndërsa te ne po ndodh vetë-harresa historike, vetë-shkatërrimi i historisë, vetë-shkatërrimi i identietit kulturor dhe shpirtëror (duke u zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizmin brutal). Dhe kështu, po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës në përputhje me planet e armiqëve të tij shekullor, e me këtë edhe vetë-shkatërrimi ynë!
Dhe, nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!…/KultPlus.com

Të ngjajshme