5 Qershor, 2018 - 6:00 pm
Shkruan Prend Buzhala.
(Donart Rexhbogaj: “Nji zâ”, poezi, botoi ROZAFA, Prishtinë 2018)
Krijuesi student, Donart Rexhbogaj, me librin e tij të parë poetik “Nji zâ”, e nisi me një sfidë gjuhësore: janë tri cikle lirikash të shkruara (FJALA LINDI FJALËN, UDHA dhe NGA ARKA E KUJTESËS) në trajtën gege dhe cikli i dytë (GJETJE)i shkruar në atë të gjuhës letrare apo të standardit të shqipes. Po qe se që në fillim na dalin disa fjalë, si: shqipe, standard, gegnishte letrare dhe poezi; atëherë krejt këtë rrjetë nocionesh, kur kemi të bëjmë me letërsinë, mund ta shpjegojmë me atë që quhet licentia poetica, me lirinë poetike. E kjo do të thotë se nocioni gjuhë shqipe nuk përfshin vetëm normat e standardin e saj, po edhe dimensionet tjera të saj. Standardi ka amë të veten gjuhën shqipe.
1. Mbi licentia poetica-n në poezi
Gjuha artistike thyen norma… Prandaj dhe liria gjuhësore e tillë ka funksionin krijues të saj. Nëse gjuha letrare shërben për komunikim “zyrtar” e për nevoja praktike zyrtare, atëherë, gjithsesi, që ekziston dhe “një gjuhë tjetër” për nevoja të tjera: për shprehje të përjetimit estetik. Gjuha, në “funksionin e saj të dytë”, pra, është ligjërim TJETËR, është instrument i shprehjes lirike. Është thënë sa e sa herë: filologët, linguistët, gramatologët, etimologët, leksikologët etj merren me funksionin praktik të gjuhës, kurse shkrimtarët merren me “funksionin tjetër” të gjuhës, me atë artistik, të intuitës krijuese; me poetikën e fjalës në tekst, me prirjen për t’i dhënë kuptime të reja, figurative, metaforike, fjalës, në veçanti dhe tekstit artistik, në përgjithësi. Nuk është e habitshme, prandaj, përse shkrimtarët përdorin formime të reja fjalësh, fjalëshprehjesh, morfo-fonemash stilistike; madje një tekst të tërë (a vëllim të tërë) e shkruajnë qoftë edhe në një të folme a në një dialekt tjetër, sepse ashtu i ligjëron LICENTIA POETICA e tij.
Nëse shkrimtarët përdorin, bie fjala, gegërishten a trajtat gege; ata e shquajnë ashtu, hirin poetik të saj, bukurinë e saj, hijeshinë e frazeologjizmave me dendurinë e thënies, që nuk mund “të përkthehen” në gjuhë standarde; përdorin nuancime të shprehjes, për të paraqitur gjendje, disponime e situata shpirtërore “të pakapshme” nga standardishtja, përdorin aso thurjesh (ndër)tekstore, në të cilat veçoritë “akustike” apo fonostilematike, janë krejtësisht adekuate me strukturën poetike. Vijnë shtresa e nivele të tjera rrjedhash asociative të nënvetëdijes a ndërdijes, vijnë sekuenca fjalësh a frazash që nxisin provokime e sfida kuptimore, tekste që sjellin freski semiologjike e semantike, të papërjetuara më parë… Dhe shembujt e tillë, i kemi si nga tradita (“Lahuta e Malcis” e Fishtës apo poezia e Mjedës, shepesh edhe te romani “Oh” i
Anton Pashkut, që nuk mund “të përkthehen” në gjuhën letrare); ashtu sikundër shembuj të kësaj tradite kemi nga autorë të Shqipërisë dhe Kosovës (nga Primo Shllaku e Arben Prendi e deri te Adem Gashi), apo autorë të tjerë të shumtë shkodranë. Po ashtu, një musht të tillë gjuhësor, e hasim tek Dritëro Agolli, me përdorimin e trajtave jugore jashtë standardit, sepse ndryshe, do të vritej ajo magjepse lirike devolliane, ai vesk metaforik frazeologjizmash tipike agolliane.
Me një fjalë, kësisoj, zgjerohen e krijohen mundësi të reja të shprehjes, energji të reja krijuese të fjalës deri në shkallë teksti.
Nuk thuhet më kot, se filologun a linguistin e interesojnë normat statike, gjendjet e ngurtësuara të gjuhës, uniformiteti i komunikimit, rrudhja e mundësive të ligjërimit, “shtetëzimi” (me ligj) i shprehjes.
Nuk është e habitshme, pse pikërisht nga një lëndë e tillë gjuhësore, që thyen normat, Kadare krijoi fjalë të reja, pikërisht me mundësitë shprehëse të gegërishtes, ku fjalët krijohen në përputhje me synimet gjuhëpastruese dhe gjuhëpasuruese të këtij krijuesi të madh (si thonë studiuesit Tefik Çaushi e Gjovalin Shkurtaj në studimin “Kadareja dhe fjala shqipe”), me qëndrim anësues, enkas të hapët dhe parapëlqyes të fjalëve e frazeologjizmave gege, si dhe me përdorimin e disa formave fonetike të shënjuara si jashtë normës, me një –n- të parotacizuar, tek fjalët: gjithnajë, baltinë (e jo baltirë), ballinë, barnatore (farmaci), ku baza është shumësi barna dhe jo barëra (toskërisht), bishtnim, bishtnonte, cubnisht, hekurinë, hirnore, idhnak, ikanak, kotni, krenajat, larginë, mjegullinë, plehnajë, qyqnajë, rrethanak, etj.
Po të pyeteshin filologët, Kadare do të mbetej pasiv në punë të krijimit të mundësive shprehëse të gjuhës, sepse kërkesë e ideal i linguistëve, është “legjitimiteti” i gjuhës, ku të gjithë do të shpreheshin njësoj “pastër”, të gjithë do të flitinin njësoj “bukur”…. e që është gjuhë “joindividuale”, impersonale, e ngurtë… kurse shkrimtari përqendrohet te funksioni estetik i gjuhës, pra te veçoritë individuale: secili shprehet me gjuhën e tij, që buron nga thellësia e qenies së tij.
Secili shfaq veten e tij…
2. Zâni dhe zëri
Sado që i riu Donart Rexhbogaj nuk është hedhur në aventurën e tillë gjuhëkrijuese, ai, megjithatë, ka vetëdijen krijuese për gjuhën. E pra, dhe Donart Rexhbogaj dëshiron ta sprovojë vetveten dhe ta shquajë prirjen e tij pikërisht në shumëdimensinalitetin e gjuhës, ta provokojë vetveten në këto dy dimensione të lirikës në gjuhë. Gjuha ka shumësinë e saj përmasore: ka përmasën estetike, por ka dhe përmasën etike, ka atë emotive, po edhe atë meditative, gjuhëkrijuese, idekrijuese…
Nuk e shqipton më kot konceptin poetik që në ciklin e parë: Fjala lindi fjalën. Drama ka ndodhur pikërisht në gjuhë:
nji zâ t’vjedhun
t’frikësuem nga heshtja
Nuk është zëri i pashqiptuar, po zâni që është marrë, i rrëmbyer me forcë, një tokë gjuhësore e vjedhur, e mbetur eng! Me forcë rrëmbehet dhe thesari, porse ky thesar është kyçur diku dhunshëm. Është i tkurrur, i heshtur dhunshëm e që këtu shënjohet me fjalën frikë (“t’frikësuem nga heshtja”). Poeti dëshiron t’i japë zë një kryekërkese të tillë: gjuha të lirohet nga heshtja, nga frika. Ali Podrimja do të thoshte se poezia është mbrojtje e gjuhës. Poeti ka atdhe gjuhën e tij. Nuk është thënë më kot se politika e robëron gjuhën, kurse letërsia e çliron. Kur Rexhbogaj i përdor disa përmasa të gjuhës, jo vetëm standardin e shqipes dhe jo vetëm variantin letrar të gegnishtes, po edhe leksema e shprehje nga e folmja e Rugovës apo nga letërsia e traditës, prej nga e ka prejardhjen, atëherë për poetin e rëndësishme është që fjala e tillë të qëndrojë në vendin e duhur në poezi. Prandaj, ai thotë: fjala lindi fjalën. Fjalët e përdorura në poezi, janë të poetit.
Së këndejmi, leksema nji zâ, le të lexohet në shumëkuptimësinë e saj lirike: edhe si zë personal krijues. Poezia e parë vë në gërshet ndërkëmbim audiovizuel, thuret me imazhe e me melodi, me akustikën e saj të hirit gegë e me pamjet epike të ambientit ku ligjërohet ajo:
Ngjyra t’ngatërrueme
t’pshtjelluna marrëzisht,
pushtuen me harmoni
nji zâ t’vjedhun
(…)
Melodi e çartun
e shortueme rastësisht,
puthitej me ajrin
skaj gjuhës së verbueme.
Më tutje shfaqet shpërthimi gjuhësor, në tri aktet e saj të lirimit dramatik (si te poezia “Shpërthim”) që del nga grilat. Motivin e të tillë të lirimit mund ta kuptojmë edhe nga një tjetër këndshikim universal e kombëtar: sa shumë vuajti gjuha jonë; ajo ndau fatin e saj me popullin, duke u ndaluar nga armiqtë, madje diku-diku ajo edhe sot ndalohet! Por liria ka ndodhur: Fjala lindi fjalën.
E pra, poeti e nis rrugëtimin e tij me lirinë e fjalës, me lirinë si kuintesencë e qenies njerëzore. Poezia ta dhuron këtë liri. Ta dhuron dhe erosin a kënaqësinë e këngëtimit.
3. Skepsa poetike:
Ironia e bukurisë dhe gjakimi i dashurisë
Porse folësi lirik nuk e kishte të lehtë këtë lirim dramatik. Madje ai dëshiron të ligjërojë reflektueshëm edhe për moshën e rinisë së thinjur (poezia “Përjetësi”), që thellohet në një tejmoshë, ashtu si ta sugjeron këtë edhe poezia “Përtej”. Është, ndoshta ai qortimi i brezave më të vjetër që po ua bëjmë Kosovën të padëshirueshme rinisë?! Jo, thotë poeti. Përdorimi antitetik i fjalës thinja, këtu le të lexohet si sinonim i fjalës shpirt, përjetësi… meditim, urtësi. Poeti i parapëlqen rrugët e urtësisë e të mendimit, përgjithësisht të krijimit. Ka, në këtë cikël, një parapëlqim personal të skepsës a të skepticizmit meditativ: e vërteta qenka kaq relative, e vërteta është ende e pazbuluar, e njeriu ende është në kërkim, mu si poeti. Poetët të befasojnë me çrëndomtësimin a me dekonstruktimin e realitetit (poetika postmoderne), për të na thënë se ka një dallim midis asaj se si janë gjërat me të vërtetë dhe si ato na zbulohen e na shfaqen. Ai e do një gjendje qetësie, një si ataraxia filozofike, një situatë pezull, mu ashtu si reflektonin skeptikët (poezia “Pezull”).
E çfarë na është gjendja e tillë?
E me ta thojshin me mblue,
Se kur i hedhshin dhe’ e baltë
Arkivol prej hekuri
Rrinte pezull…
Donarti të befason me gjetjet e tilla të paradoksit lirik e me ato të një tjetërllojshmërie meditative. Procedon kësisoj, për të qenë me çdo kusht vetvetja, edhe si krijues që e ka identitetin e vet artistik, botën e tij të veçantë, edhe si person, edhe si qenie njerëzore që e ka identitetin e tij të papërsëritshëm njerëzor. Poetët janë prishaqefët e kësaj bote. Percy Bysshe Shelley do të thoshte se poetët janë ligjëtarë të papranueshëm të botës. Kurse poeti i ri ligjëron:
Si flluskat e sapunit
Kam me u tretë,
Diku kam me u tretë
Gjurmë as zâ
S’kam me bâ
Po veç në ândrra kam mu ardhë
Nashtâ gjumin do u rândoj
E kur t’zgjohi
Keni me i thanë vetes
Puhh, ç’ankth i zi
ma prishi ândrrën.
(poezia “Tretje”)
Gjithsesi që meditimi i tillë postmodern, dekonstruktues, skeptik, i ngrysur, ka dhe një revoltë ironike brenda saj. I tërë cikli në vazhdim, me titullin “Gjetje” (i shkruar në standardin e shqipes), tashmë e ka krijuar paqen me ne, po jo edhe paqen sociale.
A është i mundshëm veprimi?
Përsëri zotëron një gjendje pezull, ligjëron një melodi e plagosur, një pasqyrë e thyer, një vegim si vel mashtrimi. Aty shkëndijëzon një mall i rebeluar, si shenjë gjallimi. Kurse dashuria, bukuria, e bukura, shpesh na shfaqen si ironi e bukurisë, si boshllëk i qenies, si vetëgënjim për ta mbuluar këtë zbrazësi tragjike, nga njëra anë:
Atë thikë me epshin e vajit tënd
Shpoje ashtin anë për tej,
Skalite në ashtin tim
Dashninë tande
që e verboi bukuria.
Kjo ndjesi shfaqet edhe si dhe si gjakim i dashurisë nga ana tjetër:
Mos e shlyej skenarin e fundit
Atje janë ushqyer pulëbardhat me gjak
Atje mjellmat janë vrarë nga bukuria e tyre
(…)
S’ke me kenë e njêjta
Ke me u zbukurue
Me bukuri që i sheh veq syni jem,
Por, atëherë kam me t’mbjellë
Në mishin e trupit tem!
E çfarë është akti i pjesëmarrjes së subjektit lirik të dashurisë në aktin e së bukurës? Shpesh këto qenie na shfaqen si qenie të dhimbjes, të humbjes, të vjeljes së bukurisë së plagosur, aq sa janë dhe qenie të lumturisë së tyre; e lumturuar në trishtimin e saj jetësor. “Nji dhimbje ndryshon botën” thotë te një poezi e një cikli tjetër.
Prandaj folësi lirik i kësaj poezie nuk është pesimist, po qe se e thotë të vërtetën, duke ia hequr velin zbukurues, duke e nxjerrë në sipërfaqe ashtin, gjakimin, thesarin e ndjesisë, si shprehet me ironi diku tjetër.
Të duket sikur ke të bësh më një Oskar Vajld që demistifikon bukurinë e jashtme, pikërisht pse bota shpirtërore as që preokupohet me dukjen e jashtme. Janë ato qenie që të tjerëve ua lënë në dorë të rrëfejnë për to jetën që kanë, në vend që vetë të flasin për vetveten, janë qenie mendjelehta që jepen pas të sipërfaqshmes, pas bukurisë së modës, pas rrëfenjave të lehta për dashuriçka apo pas argëtimit. Poeti dëshiron të na thotë se realiteti nuk është kaq rozë, por në brendi të tij ka diçka tjetër.
Në mbarim të librit, një si kthjellim nga ky realitet i plagosshëm bukurie, na vjen një çlirim prej një katarsisi lirik: lexojmë mall e nostalgji rurale, po edhe rikrijime baladash e romancash shqiptare të dashurisë.
5. Në përmbyllje: këngëtimi e meditimi
Po theksojmë, në fund, se Donart Rexhbogaj poezinë e shkruan me përqendrim krijues. Shfaqet si krijues serioz, që arrin të nxisë dhe provokojë me anë të mendimit, skuta shpesh të padukshme të botës së brendshme.
Është kjo, një poezi që Helderlini dhe Hajdeger e përkufizonin me sintagmën këngëtim dhe meditim. Do të thotë, që lirika e tillë është sintezë e poezisë dhe mendimit. Dhe gjithandej lexuesi e përjeton një ngrohtësi lirike të hirit gegë të jehonave të tingëllimeve të fjalës të veshur me refleksionin funksional; apo, si do të na kumtonte Niçe: ku pleksen toni dionisiak me atë apollonian.
Strukturat lirike të këtij vëllimi, shfaqen shpesh të ndërliqshme, që na detyron të lexojmë me kujdes, për t’i eksploruar kuptimet, idetë, për të arritur te kuptimi themelor e unik i poezisë. Zëri lirik që ligjëron në këto poezi, është ai i vetes së parë, drejtuar shpesh një vete të dytë, herë i drejtohet qenies njerëzore, shpesh qenies që e do, femrës… e që ndërthur dhe raporte dialoguese. Në të dy rastet, poeti e merr rolin e një udhërrëfyesi në ligjërim, rolin e bartësit të intensifikimit të përjetimit. Porse, kur këndon në veten e tretë, tashmë distanca objektive me përmbajtjet e përzgjedhura shtrihet dukshëm, si te poezia “Pezull”. Larmia e folësve lirikë, kësisoj, thur dhe një larmi strukturash poetike, për të theksuar momentin emocional, nga njëra anë, si dhe momentin meditativ, nga ana tjetër.
Maj 2018