Si Ajo – Doruntina përfundimisht e solli Doruntinën

21 Shkurt, 2025 - 11:16 am

Vlora Konushevci

N’Kosovë, artistat zakonisht dalin n’lajme për dy arsye: ose i hynë politikës, ose përfundojnë n’burg a gjyqe, ndër tjera, pse s’i paguejnë taksat. Diku midis pop-it e populizmit, midis artit e autopromovimit, midis talentit e tatimeve, gjindet artisti modern, ose tue shit diçka, ose tue iu shit dikujt. Showbiz hesapi.

Vitet e fundit edhe politika asht ba nji formë tjetër e showbizit. Prandaj kemi këngëtar dhe aktor kandidat për deputet, nji ish-yll i Big Brother-it synon t’bahet ministër, dhe nji influencer me miliona ndjekës që pretendon se ka më shumë legjitimitet sesa nji akademik. Kemi gjithçka, përveç meritokracisë. N’showbiz, fama asht kapital, po n’politikë, kriza asht valutë. E lajmet e kqija, gjithmonë blejnë shikime.

Në këtë realitet të përmbysun, artisti e trajton veten si produkt, e politikani si brand. Kufijtë mes tyne janë shlye – aq sa s’dihet ma kush po këndon me t’argëtu, e kush po reciton me t’sundu.

E n’mes të kësaj katrahure, ku mjafton me postu nji selfie para flamurit për me u ba hero, vjen nji artiste që ban diçka krejt ndryshe. Jo për Instagram, as për reklamë por për diçka që realisht ka ndikim.

Doruntina – Tayna – artistja ma e kërkume e momentit, në kulm të karrierës së saj, nuk zgjodhi rrugën e parashikueshme për këtë industri që ushqehet me spektakël e harresë. Nuk e kapitalizoi famën për ndonji fushatë politike, nuk u kthye n’makinë propagande, nuk e përdori bamirësinë për shitje albumesh.

Bani diçka që s’ka ba kush deri tash. Ia dhuroi Universitetit të Prishtinës 25.000 euro. Dhe nuk u ndal me kaq. Krijoi fondacionin “Tayna”, i cili ka për qëllim fuqizimit e të rinjve dhe komunitetit përmes edukimit, sportit, artit dhe zhvillimit.

Po çka ke ba moj çikë kështu?! Që kishin me thanë shqipet tona matanë Drinit, e ke ngrit shumë stekën, na ke marrë n’qafë.

Ne jemi shoqni ku filantropia asht ende koncept i huej dhe bamirësia ndodh veç për me dalë n’sipërfaqe. Këtu fjala ‘donacion’ zakonisht lidhet me ndonji tender t’dyshimtë ose biznes që ka nevojë me pastru imazhin. Kjo asht hera e parë që nji figurë publike i dhuron Universitetin të Prishtinës donacion siç deklaroi edhe vet Prorektori Hajdari. Dhe për këtë nismë duhet folë. Ky akt që, për nji vend të vogël si ky i joni, asht gja e madhe. Sepse nji artist në maje t’suksesit zakonisht nuk ka ma kohë për ata që janë poshtë. Por Tayna e dëshmoi të kundërtën, në vend që me shijue pamjen prej naltësisë ajo vendosi me i ndërtue shkallët për ata që janë poshtë.

“Ju studenta jeni ura mes asaj çka asht bota dhe çka mundet me u ba”, tha ajo në fjalimin e saj para studentave, krejt e natyrshme, pa fletë përpara, pa teleprompter, pa zhurmë. Derisa kanga e saj “Si ai” ende luhet në klube të natës gjithandej globit, ajo vendosi mu ba “Si Ajo”, rrugë që rrallëkush e zgjedh kur hypë nalt. Na kurseu prej klisheve, prej sensacioneve, prej fushatave marketingu, thjesht e bani.

Kështu, Doruntina përfundimisht e solli Doruntinën! Jo me kalin legjendar. As me fantazma a me mashtrime elektorale. Me punë, me punë, me punë… Tash për tash, mundet me qenë rast i izolum. Po ndoshta, ndoshta, veç ndoshta asht nji fillim që na ka mungu. Dhe çfarë fillimi…!/ KultPlus.com

Të ngjajshme