Si e njoha At Shtjefën Gjeçovin

16 Tetor, 2019 - 11:30 pm

Ndërsa vazhdonin kremtimet e festës së Shnapremtes, unë ndiqja gjithkah figurën magjike të At Shtjefnit, at mrekulli fjalësh që derdheshin nga goja e tij e nguleshin si gurë themeli në shpirtin tim…

Nga: Lazër Radi

Rrallë rastis në jetë me ndjekë në kupëqiellë të natës nji kometë shkëlqimtare tek përshkon me bishtin e saj nji hark drite në hapsinë. Asht nji pamje e madhërishme po edhe e frikshme njiherit. Dhe pse e pamundun që fenomene të tillë të kalojnë pa u vërejtë, ajo ngjarje në qiell krijon nji shumësi mbresash që të mbeten të ngulituna fort në kujtesë…

Njashtu si nji kometë që i shfaqet rrallë botës, ishte edhe at Shtjefën Gjeçovi, të cilin veç dy herë pata rast me e pa nga afër! Ma së pari n’at korrik të vitit 1928, dhe së fundi at mbasditen e trishtë e tragjike të 14 tetorit të 1929, kur mbas disa orësh mësuem për vrasjen mbas shpine dhe humbjen e madh të nji njeriu të naltë. Prej asaj dite, n’takimin te oborri i kishës së Prizrenit, at Gjeçov s’do të shifnim kurrë ma!!

Edhe mbas kaq vitesh, i kam të gjalla kujtimet e atyne dy takimeve, ku padër Shtjefni, si gjithnji, ecte njashtu nxitueshëm me at hapin e tij të shpejtë e të lehtë si era…

Si fëmijë, shpesh s’kam mbrritë me i kuptue si duhet vlerat dhe as me i çmue dhe me i kuptue si duhet njerëzit. Mirëpo at Gjeçovi njifesh nga “turq e të kshtenë” dhe vlerësohej prej të gjithëve si njeri i naltë, jo thjesht si fetar e si frat. Po ku ta dija unë sa i zoti ishte ai, sa i dhanun ishte mbas studimit dhe hulumtimit të zakoneve shqiptare, si mund të zbuloja unë madhështinë dhe atdhetaria e at Shtjefnit, edhe pse ai vazhdimisht na afronte, na donte, na mësonte e na këshillonte. Edhe pse në pamje të parë, me at fytyrën e zeshktë e të hajthme, ashtu plot rrudhat të thella si brazda, e me ato mustaqe të mëdha si kacadre, të krijonte përshtypjen e nji burri të rreptë e të vrazhdë… po jo; at Gjeçovi ishte njeri i fort dashtun e komunikues, dhe me at zanin e rrjedhshëm si krue, bante për vedi këdo që bisedonte qoftë edhe nji herë të vetme me të.

Çdo fundkorrik, qyteti i Prizrenit organizonte nji eskursion në Zym të Hasit, ku festohej Zoja e Shnapremtes.

Edhe në nji rast të tillë, vargani i qerreve grumbullohej te Fusha e Lopëve, n’orën e caktueme dhe merresh rruga drejt Hasit. Mbas nji copë here ndeshej lumi i Drinit. Aty në và, kush në kambë e kush me qerre, gjithnji pa rrezikue kapërcehej lumi dhe vazhdohej rruga.

Drinin e Kosovës s’e kisha pa kurrë. E njihja veç prej gjeografie dhe vëzhgime ndër harta. E dija se buronte prej Bjeshkëve të Namuna, rranzë malit të Ruselisë, diku afër fshatit Redavec, e duke anashkalue Prizrenin kthehej drejt jugperëndimit, e duke marrë me vedi edhe Lumbardhën futesh në Shqipni e në Kukës bashkohej me vllanë e madh: Drinin e Zi.

Veç kaq dija për Drinin e Kosovës.

Tash aty në và, n’at zallishte të gjanë, ku kalonte vargani ynë, i zbrita qerres me e prekë me dorë rrjedhën e lumit të shenjtë që bashkonte shqiptarët. Zbatha opingat, shpërvola pantollat dhe i kapun mbas qerres, e kalova Drinin në kambë. Po t’ma kish thanë kush tjetër at gja s’do ta besoja kurrë. Ta kaloje Drinin në kambë, deri at çast, më qe dukë diçka e pabesueshme, ndërsa unë vetë po e provoja at kalim pa asnji vështirësi. Gjanësia e vaut dhe thatësina e verës e kishin ba krejt të cekët Drinin, aq sa thellësia ma e madhe kalonte diku pak përmbi gju.

Mbas vaut, karvani mori të përpjetën e butë drejt Zymit. Fillimisht hymë në shtigje me dushk e shkurre, ndërsa ma nalt nisën lisat, shkoza e mbretet. Gjelbërimi, hijet dhe pluhuni i shumtë na ndiqnin përgjat gjithë udhëtimit. Rruga nuk zgjati veç disa orë dhe në mbramje herët, kishim sosë te kisha e Shnapremtes në Zym. Aty s’ishte si në Letnicë, nuk ishte ajo rrëmuja dhe kremtimi ishte i organizuem mirë, i aftë me pritë e sistemue dhjetra familje edhe në kohë të keqe. Ne gjetëm strehë te manastiri, ndërsa Kisha e Zymit ngrihej mbi nji pllajë të rrafshët, mbulue me bar, nën hijen e lisave të naltë, ku dukej dora e kujdeshme e njeriut. Qerret u futën nën hije, u zbrehëm qetë dhe secili nisi me u marrë me punët e familjes së vet.

Krahas meshës dhe kremtimit të festës së Shnapremtes, bahej shëtitje në natyrë, nji kuvend burrash ku flitej për gjithçka.

Si në gjithë kremtimet, edhe aty në Zym, nata ishte vërtet e bukur. Në darkë, i veshun me veladonin karakteristik të françeskanëve, na priti frati i kishës. Na takoi nji për nji edhe ne fëmijëve. I përshëndeti gjithë të ardhunit, në mënyrë të veçantë udhëheqësin e karvanit, me të cilin njifesh prej kohësh.

Quhej Tadej Vuça! Ishte udhëheqësi dhe organizatori ynë, argjendar prej Prizreni. Njihesh edhe si veprimtar i zellshëm në çeshtje të shoqnisë “Zoja Ndihmëtare e Krishtenimit”, pra si në kishë edhe jashtë saj. Baca, kështu e thirrshim ne fëmijët, ishte nji burrë hijerande me zà të thellë e kumbues. S’ishte as tenor as bariton, ama kur mungonte kori, mjaftonte bacë Tadeja i vetëm, me at zanin e plotë e gjimues, dhe krejt populli, me gra e burra, i shkontenga mbas zanit të tij.

Prend e Lazer Radi Prizren 1923

Si zakonisht n’ato kontakte të para, frati m’u duk i rreptë e i zymtë, megjithëse edhe udhëheqsi i grupit tonë s’ishte i pakët në pamje. Më dukej e çuditëshme kur i shifja ata dy burra të rreptë e seriozë të qeshnin me zà të naltë, e përqafeshin si dy vllazën që shifeshin mbas shumë kohësh.

-Tade, – i thirri frati – m’i ço nja dy djelm qi dijnë me ndihmue n’meshë.

Pa e mbarue fjalën frati, Baca më thirri mue dhe Cinin e na porositi se çka duhej me bà.

-Qe padër Shtjefën, tek i ke!

Tadeja na njihte të dyve, prandej na rekomandoi pa droje, sepse e dinte që ishim ndër ma të zotët, me e ndihmue në meshë.

Cini dhe unë shkuem në heshtje mbas fratit.

-A dini ju djelm me ndihmue në meshë a jo? – na pyeti duke na pa të dyve.

-Po dimë! – iu përgjigjëm njizani.

Ai u fut mes nesh na i vuni duert mbi shpatulla dhe të tre bashkë u nisëm drejt famullisë. Famullia ishte pak larg, në lagjen tjetër. Kështu që bamë nji copë të mirë rrugë me pyetje e përgjigje. Kur hymë në dhomën e punës së fratit na ra në sy tavolina e madhe e punës, mbushë përplot me fletore të shkrueme, me libra të hapun e të nënvizuem dhe nji biblotekë e madhe. Përreth shifje gjithfarë objektesh si gurë, hekura të ndryshkun, gërçakë të thyem, enë balte me forma nga ma të çuditshmet, qeramidhe e plot objekte që s’i kisha pà as ndeshë kurrë.

Mbeta i habitun prej pamjes së asaj dhome prifti. Ai na thirri dhe na nxorri prej nji arke rrobat që duhej të vishnim për meshë. Unë ende vazhdoja me ndjekë sendet e dhomë së punës së padër Shtjefnit. Rrobat ishin krejt të reja. Ai mori dy çarçafë të bardhë, i mbështolli me kujdes dhe na porositi me i ruejtë mbasi të nesërmen të veshun mirë do të paraqiteshim te kisha e Shnapremtes. Para se me u largue ai na ftoi me u ulë në studion e tij, ku na qirasi me arra e lajthia, e për me na e thye pak drojën e mosnjoftjes, na pyeti për shkollën, për librat, për organizimet. Kur më pyeti mue për emnin, ndali pak te mbiemni, e përsëriti at e mandej më tha:

-Po Prend Radin ç’ka e ke?

-Babë, – i thashë, duke u ndje i kënaqun nga ajo njoftje e tij.

-A vazhdon Prendi me at lahutën e bukur me krye të dhisë gdhendë në bisht?

-Po, – iu përgjigja, – e ka, e shpesh rrugicave të Prizrenit këndon me orë të tana, edhe pse shkjetë s’po i lanë derman.

-I di, i di të tana. Yt at asht vërtet nji rapsod i mrekullueshëm.

– …!? S’e kuptova mirë at fjalën rapsod dhe ngela disi i habitun.

-Rapsod, asht ai që i bjen lahutës, sharkisë e veglave të tjera tue i shoqënue me kangë.

-Po, po! – pohova unë, duke ia kapë fillin bisedës – Baba jo vetëm që di shumë kangë të vjetra, po përditë krijon edhe kangë të reja.

-E di djali em, ai krijon kangë të reja dhe i këndon në lahutë. E kam mik Prendin, dhe shumë shpejt, kam në plan me e ftue në famulli e me e mbajtë disa ditë këtu, po punët e shumta s’po m’lanë me marrë frymë. Po ti m’i ço shumë të fala prej meje, i thuej prej padër Shtjefnit. Në rastin ma të parë kam me e thirrë në Zym për do punë tonat. Mos harro, m’i thuej, dhe pa at lahutën e bukur s’ka pse m’vjen në Zym! A more vesh a jo? – më foli me at tonin autoritar dhe nji buzëqeshje të ambël, që ia përndriti mollzat dhe dy krahët e mustaqeve.

-Kam me ia thanë të gjitha, mos ki merak! – i thashë, dhe nji kuqëlim lulkuqi ma veshi krejt fytyrën time. Mbeta i habitun! Edhe pse i pashkollë, i sakatosun, i sëmunë e i kamxhikosun prej jete; s’e kuptoja për çfarë mund t’i shërbente baba padër Shtjefnit! Pastaj mendova, pse me aq kambëngulje e kërkonte te ajo dhomë e tij mbushun me gjithfarë objektesh të çuditshme?! Pyesja vedin, e nuk m’u dha me e pyetë fratin për çfarë e ftonte babën. Po ai sikur ma lexoi në sy dyshimin dhe më erdhi afër:

-Prend Çupi, asht nji enciklopedi e gjallë e epikës legjendare dhe e ngjarjeve të pesëdhjetë vjeteve të fundit. S’di a do të jem i zoti me ia mjelë at tambël dallndyshash qi msheh në shpirt ai burrë qi jeton në heshti, me kangët e veta.

Mandej më buzëqeshi dhe ashpërsia e tipareve burrnore prej malësori iu zbut në krejt pamjen e tij fisnike. Para meje u shfaq nji fytyrë e çiltër dhe nji shpirt i kthjellët si qielli i mrekullueshëm i bjeshkëve të Hasit.

Ndërsa vazhdonin kremtimet e festës së Shnapremtes, unë ndiqja gjithkah figurën magjike të At Shtjefnit, at mrekulli fjalësh që derdheshin nga goja e tij e nguleshin si gurë themeli në shpirtin tim…

Jo ma larg se nji muej nga festa e Zymit, nji mbasdite na trokiti në derë rrogtari i famullisë së Prizrenit, dhe mbasi piu kafen i thotë babës:

-Ke selam prej padër Shtjefnit. Nesër në aksham je mysafir në famulli të Zymit. M’ka porositë mos me harrue lahutën!

Baba ishte i përgatitun, pse ia kisha kallzue fill e për pe krejt bisedën që kishim ba me padër Shtjefnin në kremtimet e Shnapremtes. Ia kisha përsëritë disa herë at frazën lapidare, me të cilën isha nda me fratin.

Të nesërmen mbasdite baba ishte rrugës për Zym.

Dëshira ime me e shoqnue dështoi në heshtjen e tij prej guri.

Kur u kthye, në heshtjen e tij prej sfinksi, lexohesh si herioglife gëzimi i mshehun mbas rrudhave e vuejtjeve të vjetra. Si gjithnji, ai ishte fjalëpaktë. Zakoni i mbylljes në vetvedi, më kishte krijue bindjen se atij i shijonte vetmia mbi gjithçka tjetër! Sa dëshiroja me e zbulue se ç’ka mendonte ai rapsod i lashtë n’ato çaste të ndrymjes së thellë në terrin e vetmisë së tij.

Ai plak, që ishte im atë, ndrynte në shpirt “tambël dallndyshash”. E ndërsa bahej përditë e ma i vshtirë, s’ rrija dot pa e gërmue. Doja me dijtë si kishte shkue takimi me at Shtjefnin. M’u desh me kambëngulë fort, me marrë vesh diçka prej atyne tri netëve që kish kalue bashkë si mysafir në famulli të Zymit. Lakonizmi i tij qe lapidar. Krejt pak fjalë e shumë heshtje!

-Padër Shtjefni, asht njeri i madh dhe burrë fort i ditun. Nuk asht thjesht nji frat, po nji mendimtar që din gjithçka. Asht nji shqiptar i madh qi vuen n’shpirt fatin e vendit të vet. Kem ndejtë tri ditë e tri net bashkë e m’janë duk veç tri dekika. Më pveti për kangë shumë të vjetra po edhe të reja, për shumë ngjarje. Shumë prej tyne i shkruejti, por ma të shumtat i mbetën pa shkruejtë. Kaq ishte. Kur u ndamë, m’tha se shpejt ka me më thirrë apet në Zym për me kuvendue bashkë, aty ku e kena lanë!

Kaq tha lahutari dhe Dryni i Përtenes i ra mbi mustaqet e thinjuna dhe ia mbylli buzët e holla. U ndry në heshtjen e tij, n’at ripërtypje të ngadaltë ku naltohej krejt bota e kangëve të tij.

***

Mbasditen e 14 tetorit të vitit 1929, isha me do shokë dhe po luenim futboll në oborr të kishës. Famullia e Prizrenit asht si në gropë. Me u ngjitë në oborrin ku luenim, baheshin nja tridhjetë kambë shkallë. Ishim në kulm të lojës, kur në krye të shkallëve na u shfaq at Shtjefni. Aq ishim hutue mbas loje sa nuk e vumë re. Veç kur na kaloi, vrik e lamëë lojën dhe turravrap shkuem drejt tij. Unë ia putha dorën. Eh, me çfarë gëzimi ma vuni dorën mbi krye, ma tërhoqi nga vetja e na përshëndeti të gjithëve që luenim aty, n’oborr të kishës.

Ecëm do hapa bashkë. Vuna re që nxitonte dhe nji hije shqetësimi ia përshkonte fytyrën. Na pyeti si shkonim me mësime, njerëzit e shpisë si ishin. Në mënyrë të veçantë më pyeti për babën.

-M’i ban shumë të fala bacës Prend, i thuej se padër Shtjefni i ka pasë do punë të gatrrueme e s’ka mujtë gjithqysh me të thirrë në Zym. I thuej të mos mërzitet, se shpejt kam me ia çue njerin m’e marrë me kalë. Mos harro! Shumë e shumë të fala prej meje.

Ndërkohë frati u përshëndet edhe me shokët e mi e të gjithë së bashku e përcollëm deri te porta e ipeshkvisë. E ndoqëm me sy kur u ngjit shkallëve dhe u fut në ndërtesë. Mbas disa minutash u rishfaq në oborr. E pamë dhe deshëm me iu afrue, po ai hecte ngutshëm dhe na bani me shenjë ta vazhdonim lojën. Ndërsa ikte nxitimthi na përshëndeti me dorë e na tha: “Mirupafshim djelm!”.

S’di pse ajo fjala e fundit: “Mirupafshim djelm,” m’la nji shije të trishtë. E lashë lojën dhe e ndoqa nga mbas at veladon të kaftë të fratit që humbte në teposhtën e muzgut dhe rrugicave të qytetit. Era e vjeshtës përplasi nji shkulm gjethesh të thata në oborrin e kishës. Nji parandjenjë e keqe ma pushtoi shpirtin. Edhe pse shokët më thirrën me vazhdue lojën, u thashë se s’kisha ma asnji dëshirë me luejtë…

Mëngjesi i së nesërmes gdhiu nën tinguj e përmortshëm të kambanës së kishës, e cila përhapte me ding-dongun e saj nëpër qytet lajmin e nji vdekjeje. Si ma të voglin, nana më nisi me marrë vesh ç’ka kishte ndodhë. Në Rrugë të Kujunxhive askush s’dinte gja! Vrapova drejt e në kishë ku gjeta rrogtarin, sakristanin Palokë dhe e pyeta kush kishte vdekë at mëngjes?

-Nuk ka vdekë kush biri jem, – tha Paloka me sytë skuqun prej lotëve – mbramë në darkë, rrugës për në Zym, shkjetë kanë vra at Shtjefnin. E kanë vra të pabesët, mbas shpine e kanë vra! – Dhe lotët e nxehtë i rridhnin çurg faqeve të rreshkëta…

U trondita. S’mund ta besoja at lajm. Mbeta i hutuem e s’dija kah të shkoja. Për nji çast m’u duk sikur e ndjeva at ngroftësinë e dorës së tij mbi flokë dhe diçka më shtrëngoi në gjoks. Më pushtoi nji ngashërim i papërmbajtshëm. Si ishte e mundun? Pak orë ma parë kishte qenë aty n’oborr të kishës me ne. Na kishte përshëndetë, na kish përqafue të tanëve dhe kishte tretë nxitimthi n’at muzg vjeshte. Mija mendime më shkonin vrullshëm. Tash si me ia thanë babës, at lajm të zi?! Si, mund ta besoja që at Shtjefni s’ishte ma mes nesh! Si? Si?

Kanë vra padër Shtjefnin!

Lajmi u shpërnda si vetëtima. Lagje më lagje, rrugë më rrugë, dyqan më dyqan, shpi më shpi po futesh lajmi i asaj vrasje të ulët, ai dush i ftohtë për gjithë ne shqiptarët. Po kush e vrau? Pse e vranë? Ç’ka u kishte ba at Shtjefni që kishin çue pushkë kundra tij? Kërkujt në botë s’i kishte ba keq ai njeri. E kush mund ta vriste nji njeri të mirë! Veç nji njeri i keq, nji kriminel. Nji kriminel i mshefun mbas dorës së shtetit. Veç nji bishë, mund ta vriste at Shtjefnin, at njeri të bekuem të Zotit.

Unë s’isha në gjendje me e kuptue shkakun e vërtetë t’atij krimi dhe s’mund ta vlerësoja pse ia ndalën jetën atij njeriu që kishte hecë gjithkah me fjalët e Zotit dhe gjuhën shqipe. Pse të gjithë e vlerësonin at Gjeçovin si njeri të madh e të ditun! Unë s’mbrrija me e kuptue pse duhej me vra mbas shpine nji njeri i tillë?

Në shpi u ktheva i dërrmuem. Kambët s’më mbanin e lotët më rridhnin çurg. At njeri të dashtun, at kometë të qiellës shqiptare s’do ta shifnim ma kurrë… E përfytyroja at Shtjefnin të mbytun në pellgun e gjakut, zhigue prej plumbave, rrëzue përtokë mes gjetheve dhe baltës. Ai më shfaqej i përgjakun si trupat e gjymtuem të gojanasve trima, dergjë atje midis sheshit të qytetit…

Në shpi më prisnin me ankth dhe tronditja qe e papërshkrueshme kur morën vesh lajmin e kobshëm të vrasjes së Gjeçovit.

-Mos bre, – klithi baba – e vranë atdhetarin!? E vranë mbas shpine shkjetë e mallkuem! Hej si s’u ngopne njiherë me gjak shqiptari k’to bisha t’egra? Eh more Shtjefën! – fshani dhimbshëm baba e shkoi u mbyll në dhomë të vet, mos t’ia shifte kush lotët.

Në heshtjen e nji qyteti, u mor vesh kush e kishte vra dhe pse e kishin vra at Gjeçovin! Në heshtje, gjithkush u mbyll në dyqan të vet, iu shmang bisedave e grumbullimeve, të cilat në kësi rastesh ishin mjaft të rrezikshme. Agjentët e policisë dhe xhandarmënia sa herë ndodhnin ngjarje të tilla shtonin kontrollet, përforconin rrugët, banin raprezalje nëpër familjet që shpreheshin kundër regjimit. I gjithë Prizreni futesh nën terror ushtarak…

Vrasja e at Shtjefnit e rrënoi babën. Ai u mbyll edhe ma tepër në vetminë e tij. Hante vedin me dhambë prej dhimbjes. Kurrë në heshtjen e tij s’e kisha pa aq të tronditun. Tri ditë e tri net nuk doli prej dhomës së vet. As hangri, as piu. Mbyllë në dhomë i binte lahutës, sikur shkulte nga shpirti i asaj vegle të çuditshme veç dhimbje, dhe ngashërimën e nji vaji të kobshëm. Ku vallë ishin mshehë ata tinguj të përvajshëm, që tash mbushnin ajrin varg e vistër. Të mos e dija se në dhomë ishte im atë që i binte lahutës, do të pyesja: “Ç’janë ato gra që qajnë aq dhimbshëm? Kë vajtojnë?” Asnji dallim s’kishin ata tinguj lahute nga vaji i grave në mort… Hera herës ndigjoja që nën za përpiqesh me e përcjellë lahutën me fjalë që s’merreshin vesh, mbasi këndonte shumë ulët e me zanin që e merrte zvarrë, që askush veç tij, t’mos e merrte vesh çka thuhesh. Vargjet i kërcisnin si ranë ndër dhambë, e ai rënkim fjalësh rrëzohej n’rrokullimë si gurët prej malit.

Në jetën e tij plot travaje, ai qe i regjë me kësi ngjarje të kobshme e tragjike. E dinte se ajo mëni e përjetshme midis dy fiseve dhe dy popujve të lindun në anmiqsi, vetëm vdekje dhe vrasje mund të kishte si trashëgim. Po deri kur, deri kur?! Sepse gjithçka ka nji kufi. Baba ishte aq i tronditun dhe aq i përpimë mbas lahutës e vajit të saj, sa s’e kish vu re praninë time, që tinza isha futë në dhomën e tij, e po ndigjoja me vëmendje kangën, duke u përpjekë me i kapë fjalët që i zvarriteshin buzëve.

Më kujtohet mirë ai fillim kange:

“Ty o zot të kjofshim falë

n’qat Janjevë t’pat le nji djalë

t’leu nji djalë posi hyll drite

qi n’kto troje rreze qitte

me gojë t’ambël e fjalë zjarri

çotte peshë njaj atdhetari…”

Kanga ishte e gjatë. Ai e këndonte dhe e rikëndonte papushim. Ishte zakon i tij që kangën e re ta përsëriste aq shumë herë sa i bahej e natyrshme. Mbas çdo përsëritje ndryshonte diçka. O i shtonte, o i hiqte derisa t’i pëlqente e t’i kënaqej jo veç veshi, po edhe shpirti i tij. Nëse krahasoje variantin e parë, me të dytin ose të tretin, vëreje ndryshime mes tyne. Sepse ai kurrë s’kënaqej prej kangëve të veta; gjithnji mendonte me i përsosë ato. Njashtu po ndodhte edhe me elegjinë kushtue mikut të tij të shtrenjtë, at Shtjefën Gjeçovit.

At Shtjefnin e vranë!

Ai s’ishte ma mes nesh. Urrejtja dhe tërbimi për gjithçka shqiptare, për çdo vlerë që me mundim kishte ngritë ky popull, e kishte ndalë së rrahuni edhe at zemrën e madhe t’nji atdhetari. Ai tashma jetonte ndër kangë dhe shpirtin e krejt atyne që e njifnin dhe e vlerësonin veprën e tij e që po shpalosej edhe ma madhështore mbas asaj vrasjeje në pusi.

Vrasësit që dikur i frikeshin jetës së tij, tash duhej me iu frikë edhe vdekjes së tij. I frikeshin asaj urrejtje që kishte zgjue në popull ai krim i përbindshëm.

At Shtjefni u varros në heshtje, pa nderimet që meritonte, thjesht si njeri i fesë dhe i kulturës shqiptare. Si Azem Galica edhe at Shtjefni, edhe të vdekun përbanin rrezik për regjimin e për gjithë ata që në muzgun e krimit godisnin mbas shpine.

Tash më dukej sikur ajo dora e ngroftë e atij malsori krenar vazhdimisht e shetit në kryet tem. Ato figura shenjtorësh që dikur m’i kishte falë, shkova me i gjetë, me i ruejtë e me i pasë kujtim prej atij njeriu, që veç vonë, kur u rrita, mbrrita me e kuptue si duhet kush kishte qenë vërtet at Shtjefën Gjeçovi, dhe sa i vyemdo të mbetesh kontributi i tij për Shqipni e për shqiptarë… /mapo.al /KultPlus.com

Pjesë nga libri “Mjegullnaja e një kohe të largët”

Të ngjajshme