17 Qershor, 2018 - 5:00 pm
Shkruan Ndue Ukaj.
Meqë përtej këtij gardhit primitiv ku jetojmë nuk na përfillë kush, atëherë i kemi mprehë shpatat kundër njëri- tjetrit, dhe po tregojmë sa të “hollë” dhe të “dijshëm” që jemi, duke krahasuar një të keqe me një të keqe tjetër, por rrallëherë me të mirën.
Nga perspektiva e sotme, kur e analizojmë kohën kur kanë vepruar- ta zëmë Budi dhe Bogdani- të duket se ata ishin shumë më të hapur, seç i kemi sot shumë personazhe të sferës publike.
Mos të flasim pastaj për Rilindjen Kombëtare dhe periudhën e pavarësisë, kur kultura shqiptare kishte një elitë shumë të kultivuar, që nuk i mbyllte sytë në mjerimin ballkanik.
Kjo elitë, e formuar në kushte të vështira, por me ideale të mëdha, kur shkruante dhe vepronte, donte t’ia rikthente kombit dinjitetin e humbur, besimin, dhe aspironte Europën në tanësi: si botë kulturore dhe si mënyrë jete. Dhe, për të arritë këtë, ata gishtin e vënin në plagët kryesore që pengonin përparimin kombëtar.
Të pakompromis dhe të ditur, ata donin ta orientonin drejt kombin, dhe, model për të shkruar dhe për të vepruar, kishin qendrat e mëdha perëndimore, dhe jo moçalin ballkanik, ku dergjej populli i tyre i shtypur dhe i pa edukuar me ndjenja lirie.
Shtrohet pyetja, sot, si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët, dhe cilat janë modelet e tyre?
Përveç stigmatizimit që i bëjnë realitetit social dhe politik, a propozojnë ata ndonjë alternativë?
A kanë ndikuar debatet e shumta në këndelljen apo e kundërta, në trullosjen e shqiptarëve?
A kanë ndikuar debatet për çlirimin e tyre nga e keqja?
Dhe, çka është më e rëndësishmja, çfarë ushqimi shpirtëror marrin ata sot ?
Me përjashtime të pakta, sot, krejt çka lexojnë shqiptarët, janë gulçima dhe nihilizmi kundër çdokujt dhe çdo gjëje, madje edhe kundër historisë së tyre. Një gjuhë spekulative, përplot intriga dhe pa kurrfarë respekti. Pikërisht kjo gjuhë dhe ky soj i debateve, kanë ndikuar në ligështimin moral të shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë.
Prandaj, çdo ditë takojmë njerëz të hutuar, që të habitur pyesin:
Hej, e ke parë çka ka shkruar filani e fisteku kundër atij ose këtij?
Hej, a e ke parë çka ka bërë ai ose ajo?
Dhe habia bëhet më e çuditshme kur bëhet fjalë për tema të karakterit historik.
Shqiptarët përditë habiten me “zbulimet” e reja historike.
Hej, e sheh, X figura historike nuk ishte ashtu siç kemi besuar.
Ky është kurthi ku na ka futë një inxhinering ideologjik që po vërtitet në hapësirat shqiptare, dhe po e nxit formimin e një njeriu të ri, pa traditë dhe pa histori. Një njeri që nuk beson në kulturën e vet, duke ndikuar kështu në shkatërrimin e atij, që, studiues të ndryshëm e quajnë shkatërrim i mjedisit moral apo etik.
“Të gjithë kemi mësuar të jemi të ndjeshëm ndaj mjedisit fizik. E dimë se varemi nga ai, se është fragjil dhe se e kemi pushtetin ta shkatërrojmë; e duke bërë këtë shkatërrojmë jetët tona, apo më saktësisht ato të pasardhësve tonë. Ndoshta pak nga ne jemi të ndjeshëm ndaj atij që e quajmë mjedisi moral apo etik”
(Simon Blackburn, Etika, një hyrje e shkurtër, përkthyer nga Kushtrim Canolli, Cuneus, 2018)
Pikërisht ky mjedisi moral apo etik është toka ku mbillet e ardhmja e një vendi. Nëse e shkatërrojmë atë, e kemi shkatërruar të ardhmen e tij./ KultPlus.com