Si mund t’ia heq fëmijës tim telefonin nga dora

7 Nëntor, 2018 - 12:30 pm

Shkruan: Erges Eskiu, mjek logoped

T’i heqësh telefonin fëmijës nga duart është një gjë e thjeshtë, nëse e menaxhon situatën siç duhet. Çfarë do të thotë? -Mjafton t’i shpjegosh fëmijës se telefoni nuk është për fëmijët. T’ia ndalosh duke i shpjeguar, pse ke vendosur ta bësh tani këtë gjë dhe jo më parë?! Deri në moshën 12 vjeç fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj telefonave, tabletëve, kompjuterit dhe pajisjeve wireless. Nuk kam vepruar drejt që ta kam lejuar, por tani e mësova. Tani, së fundmi kam lexuar se telefoni ose tableti të ul përqendrimin, dëmton marrëdhëniet sociale, dëmton sytë, privon gjumin, të bën agresiv, të bën të varur prej saj, rrit rrezikun e sëmundjeve kardiake (zemra) në një moshë më të hershme, ul aftësitë konjitive dhe dëmton arritjet akademike.

-Si t’ia heqim?

-Pasi ia kemi shpjeguar këto me fjalë të thjeshta, i themi që prej këtij momenti e në vazhdim ti nuk do e marrësh më telefonin ose tabletin. Unë mendoj dhe gjykoj se është e dëmshme për ty kjo gjë ndaj jam i/e përgatitur të të mbrojë ty si fëmijën tim që të kam dhe se të dua shumë.

Ai mund të protestoj, mund të qaj, mund të refuzoj të ushqehet, mund të përplas derën e frigoriferit, mund të godas televizorin, mund të plas kokën në dysheme, këto janë gjëra që ndodhin me fëmijët kur hasin vështirësi në gjetjen e mënyrës së duhur për të arritur rezultatin e dëshiruar, por ti duhet të jesh i vendosur t’ia ndalosh sepse ajo është e dëmshme për të. Ai mund bërtas që të fitojë vëmendje më të madhe apo se nuk di ç’të bëjë më, por ti nuk mund të dorëzohesh sepse kjo është në të mirën e tij. Ti nuk do të lodhesh së shpjeguari me fjalë, asnjëherë me dhunë, fëmijës tënd se deri sa ai të bëhet adult, 18 vjeç, ti ke të drejtë të marrësh vendime për të dhe ky është një vendim i arsyeshëm i marrë prej një njeriu adult që arsyeton dhe vendos për më të mirën e fëmijës së vetë. Nëse ai thotë nuk më intereson fare se çfarë më thua, unë dua të luaj, ti do vazhdosh të mos lëkundesh deri sa ai të bindet që nuk do e marrë më telefonin ose tabletin.

Kujdes!

Asnjëherë nuk duhet të ushtroni dhunë ndaj fëmijës tuaj, as edhe kur ai po bën protesta të jashtëzakonshme! Nëse fëmija po shfaq sjellje autodestruktive, apo po bëhet i dhunshëm ndaj të tjerëve a mjedisit që e rrethon ju duhet ta bllokoni atë nga duart ose edhe këmbët nëse është e nevojshme dhe ti shprehni me fjalë:- po të mbaj bllokuar dhe do të mbaj të bllokuar derisa ti të qetësohesh dhe të mos më godasësh mua ose të tjerët. Telefonin nuk ke për ta marrë. -Më dëgjo, unë jam më i madh se ty, jam më i fuqishëm se ty, jam më i fortë se ty, por unë nuk të dhunoj sepse dhuna nuk është mjet komunikimi.

Me dhunë nuk merremi vesh asnjëherë. Do bënim sikur merreshim vesh, por nuk është e vërtetë. Dhuna është shumë e dëmshme dhe shumë e rrezikshme për personin që e pëson dhe shoqërinë në tërësi. Ajo nuk është mënyrë komunikimi, por mjet nënshtrimi.

Duke vepruar me shembullin e mësipërm, ndoshta edhe dy a tri herë të tjera me fëmijën tuaj për t’i hequr telefonin apo një ves tjetër të tijin, ju do ishit më të qetë dhe më të lumtur se me një mënyrë inteligjente ju rregulluat sjelljen e fëmijës tuaj, zgjidhët problemin mes jush për telefonin dhe nuk patët nevojë të dhunonit fëmijën tuaj që aq shumë e doni.

Të ngjajshme