Si të krijojmë kurse online për nxënësit e ngujuar në shtëpi?!

16 Mars, 2020 - 7:52 pm

Nga Alejtin Berisha dhe Kaija Leena Salovaara

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës mori vendim të mbyllë gjitha institucionet shkollore në të gjitha nivelet, për tu mbrojtur nga shpërndarja e mëtejme e Korona virusit Covid-19.

Në Shkollën Finlandeze, ne kemi filluar me programin online për të gjitha nivelet dhe lëndët me orar nga ora 8:00 deri në orën 16:00. Normalisht, ne jemi me fat pasi veqse kemi përdorur teknologjinë më të avancuar deri më tani, nxënësit tanë kanë iPad edukativ secili dhe mësimdhënësit tanë janë shumë të avancuar në perdorimin e teknologjisë në mësimdhenie. P

Por kjo nuk nënkupton që edhe komunat, shkollat apo mësimdhënësit individual nuk mund të fillojnë ofrimin e shkollimit online, qoftë vëtëm për një lëndë të caktuar apo edhe për krejt shkollën apo komunën.

Janë disa arsye kyqe pse ofrimi i kurseve online duhet të ndodh shumë shpejt në Kosovë:

1.Kosova ka penetrimit më të madh të internetit në rajon dhe shumica e familjeve e kanë një laptop apo telefon të mencur ku fëmijët mund të ndjekin mësimet online;

2. Teknologjia për ofrim të kurseve është në të shumtën e rasteve falas;

3. Përmes mësimit online, nxënësit zhvillojnë shkathtësi të shekullit 21 dhe përgatitën për sfidat e revolucionit të katërt industrial;

4. Mësimdhënësit mund të ndajnë praktikat më të mira të zhvillimit të kurseve dhe përmiresojnë shkathtësitë e tyre pedagogjike.

Si ti qasemi ofrimit të kurseve online?

Së pari, duhet të kuptoni se ka ndryshim shumë të madh në mes të mësimdhënies klasike në klasë dhe asaj online. Gabimi më i madh është të bëni të njejtën gjë që e keni bërë në klasë – por vetëm ta ndryshoni mjedisin, pra të zhvendoseni në ‘cloud’. Gjëja më e rëndësishme në ofrimin e kurseve onlinë është të aktivizoni sa më shumë nxënësit, pasi do të jetë e pamundur që të organizoni live video të gjata ku ju ligjëroni dhe ata dëgjojnë apo të incizoni video të gjata paraprakisht dhe ti postoni ato në Web.

Klasa online duhet të jetë creative me video të shkurtëra, diskutime live, projekte të përbashkëta dhe individuale dhe detyra klase apo shtëpie (assignments) të cilat i aktivizojnë nxënësit. Përdorni sa më shumë materiale dhe linqe nga interneti apo video nga youtube apo TED.com, në mënyrë që nxënësit të angazhohen më shumë rreth materialit dhe të bëjnë hulumtime më të thelluara për atë fenomen.

Kujdesuni qe videot tuaja të incizuara paraprakisht mos të jenë më të gjata se 15 minuta, por do të ishte e preferuar që të jenë edhe më të shkurtëra, të pasuara nga një kuiz i shkurtër apo ndonjë ushtrim interaktiv.

Cfare teknologjie të përdorë?

Së pari, zgjedhni një platformë online (të quajtur LMS – Learning management system). Për shkak të corona virusit, shumë kompani të mëdha kanë filluar të ofrojnë platformat e tyre pa pagesë. Nëse jeni individ e jo shkollë, mund të përdorni edmondo,com, ClassDojo.com, flipgrid.com apo hapara.com. Nëse jeni Komunë apo Shkollë, mund të përdorni Moodle apo firefly.com, edhe pse paraprakisht duhet të jetë e konfiguruar për institucionin. Për video konferenca live, mund të përdorni opcionet brenda platformave më sipër apo zoom.us.

Mund të krijoni edhe video parparake në ëhereby.com apo Microsoft Power Point recorder dhe ti postoni ato në platformën tuaj të përzgjedhur. Për ta bërë më interesant qasjen tuaj, ekzistojnë qindra platforma për krjim të prezantimeve interactive si nearpod.com, explaineverything.com apo platform specifike për lëndë të caktuara si psh geogebra.com apo mangahigh.com për lëndën e matematikës.

Platofrmat si khanacademy.com kanë përmbajtje të jashtëzakonshme të cilat varësisht nga niveli i njohurive gjuhësore të nxënësve tuaj, mund ti inkorporoni brenda kursit. Janë me qindra burime online si për shkenca natyre apo shkenca shoqërore, mjafton që të keni interesim të kërkoni dhe ti inkorporoni ato në kursin tuaj.

Pedagogjia para teknologjisë

Është me rëndësi ta kuptoni se në ofrimin e mësimit online, teknologjia nuk luan rolin kryesor por pedagogjia dhe qasja e mësimdhënsit dhe nxënësve. Është me rëndësi të përshtateni metodën tuaj të mësimdhënies varësisht reagimit të nxënësve tuaj – nëse e shihni se ata reagojnë më mirë në detyra grupore, atëherë përdorni ato më shumë, në vend që të ofroni ligjëratë apo instruksione.

Varësisht nga njësia mësimore, përdoni edhe metodën më të mirë. Një shëmbull i mirë i kësaj është Modeli TPACK

Për fund, mësimdhënia onlinë është një maratonë dhe jo gjithcka funksionon perfekt nga fillimi. Ju duhet të dëshironi të mësoni po aq sa nxënësit tuaj, nëse dëshironi të jeni të suksesshëm.  

Kaija Leena Salovaara është drejtoreshë e Shkollës Finlandeze. 

Alejtin Berisha është Drejtor i Kolegjit Universum dhe themelues i Shkollës Finlandeze. / KultPlus.com

Të ngjajshme