8 Mars, 2025 - 11:00 pm
(nga përmbledhja me tregime Kratere njerëzish)
Shkruan: Ballsor Hoxha
Ajo është duke e mbushur një gotë Coca Cola për mua. Jam ndarë me familjen, gruan dhe djalin shtatë vjeç, për shkak të një incidenti. Nuk mundem t’i takoj, por aq më shumë edhe kam urdhërndalesë nga gjyqi për t’iu afruar gruas më shumë se pesëdhjetë metra!! Nuk i kam parë qe më shumë se dy javë (megjithëse sa i përket gruas ndoshta edhe është më mirë), e djali kushedi çka është duke menduar për mua tashmë. Kam humbur dhe apartamentin ku kam jetuar tërë jetën, sakrificë e prin¬dërve, meje e kujtdo që na ka njohur, në kohë paqeje dhe sidomos në kohë lufte. Kam humbur dhe veturën, me gjithë atë që konoton ky atashim me veturën time, atë ia kisha blerë gruas dhuratë të re fringo etj. Kam humbur, aq më shumë, qytetin ku kam lindur e jetuar tërë jetën, kam humbur jo vetëm vendbanimin në të por edhe kontaktin me të e me miq e kafe ku kam ka¬luar ditët e netët. Në të vërtetë kam humbur tërë atë që kam pasur, timen, si dashuri e si përpjekje, tërë jetën time, dhe si duket, përgjithmonë. Por, ajo, e mbush gotën time me Coca Cola, po e mbush ngadalë.
Vuan nga kanceri i eshtrave. Për një kohë të shkurtë i është ngrënë, brejtur, tërë skeleti i saj. Dhe, tani, me atë rrënojë prej eshtrave që i ka mbetur, duke çaluar dhe në dhembje, qoftë edhe e shtrirë, ulur, e sidomos kur i bën punët si një amvise e përkushtuar, të tmerron. Por, nuk është tmerri aq i madh derisa e sheh duke u për¬pjekur për të bërë hapërimin më të thjeshtë; është edhe më tmerrshëm kur, si një shërbyese e vyeshme merr gotën tënde, e mbush atë dhe ta sjellë në tërë tmerrin e saj qoftë për të bërë lëvizjen më të vogël. Pastaj, po ashtu tmerr i makthshëm është kur, ajo, me grimcat e rrënojave të eshtrave të saj, që çuditërisht ende janë në funksion të trupit të saj si skelet, përgatit ushqimin për tërë ditën; pastaj dhe e shërben atë në secilin vakt; pastaj e mbledh dhe doemos edhe i lanë a pastron me kujdes të gjitha enët. Pastaj, në mes vakteve, sigurisht e gjen në tualet duke pastruar si e përçartur; pastaj e gjen duke marrë e dhënë me rrobat e shtëpisë, të të gjithëve etj.; dhe, ndoshta, kur e gjen duke tymosur ndonjë cigare, e ajo ndihet e turpëruar, për pushimin që është duke e bërë. Është, si të them, e të mos e lëndoj, amvise që të bën të tmerrohesh nga dhembja e saj; të bën të tmerro¬hesh nga dashuria e saj; por edhe të tmerrohesh nga dhembja e saj, e që në të vërtetë e shkakton tek secili prej nesh, po ashtu, duke provuar të të dojë në tërë këtë paralizë të dhembshme të saj.
Megjithatë, ajo, ende nuk e ka mbushur gotën me Coca Cola, unë jam aty pranë saj. Për një moment, ajo derisa është duke e zbrazur shishen, ndalet pak, pastaj ndalet dhe e shikon. Kushedi çka ka në mendje.
Kur e mendoj, dashuria e saj është sikur vuajtje, por jo në kuptimin romantik ndërmjet dy të dashuruarve. Është më shumë vuajtje për të mbetur! Për të qenë. Për të pasur një konfirmim. Por, pyetem, ajo ka tre fëmijë, dhe një bashkëshort, të gjithë jetët e tyre të jetueshme e të pranueshme. Nuk janë as kriminelë dhe as të gjymtë, aspak si ajo, dhe megjithatë, ka një obsesion për të mbetur!
Ajo vazhdon të mbushë gotën time me Coca Cola, vazhdon të ndalet dhe ta shikojë, ta masë, ta vëzhgojë, ta fshijë me duart e saj, derisa unë afër saj, as nuk mund të pres përfundimin e tërë këtij rituali të saj, dhe as të imagjinoj çka ka në mendje, dhe as pse po e bën këtë. Siç e thashë, kam humbur pak a shumë tërë atë që kam pasur, ndërtuar me dashuri e përpjekjen më të sinqertë, dhe në këtë, nuk kam shumë durim, por, ajo vazhdon ta mbushë dhe pastaj edhe ta kontrollojë gotën.
Ka momente kur ajo rënkon, rënkon tmerrshëm në dhembje të hatashme. Kur është tmerrësisht e përhum¬bur në sëmundjen e saj. Kur shtrihet në ndenjësen, aty mes kuzhinës dhe dhomës së ditës dhe nuk mund të lëvizë, ajo.
Ka, po ashtu, dhe ditë të tëra kur nuk mund të ngri¬het fare nga shtrati.
Megjithatë, ajo është shërbëtore e vyeshme, edhe e dashur, por, edhe besnike.
Ishte nata e parafundit e vitit që ka mbetur pas, ishim duke ngrënë drekë, bashkë dhe ajo me ne, dhe përnjë¬herë dikujt nga ne, besoj nuk është me rëndësi cilit, i duhej edhe pak kos, e ajo një ditë më herët nuk kishte mundur të zgjohej fare nga krevati, gjithashtu kishte pa¬sur tërë ditën dhembje të tmerrshme, mirëpo, kur njëri nga ne, pa rëndësi cili, kishte bërë të ditur se i duhej edhe pak kos, asnjëri nga ne nuk kishim mundur ta ndal¬nim, ishte ajo, pa një pa dy duke ardhur me tasin e kosit në dorë. Tërë familja kishim insistuar se nuk kishte pse të ngrihej, dhe se mund të shërbeheshim vetë, por ajo, me atë që e quajta tmerr, duke na tmerruar, me dashu¬rinë, apo çka do që është ky tmerr, të saj, ishte ngritur dhe kishte sjellë kosin, gjithnjë duke u përpjekur të ecte, gjithnjë duke çaluar, gjithnjë duke përjetuar dhembje të tmerrshme; detaj krejt i parëndësishëm dhe aq më shumë banal, por kur e ke në mendje kancerin e eshtrave të saj, dhembjet, rënkimet e shpeshta, ndoshta edhe moshën e saj, dhe edhe parëndësinë e këtij shërbimi të saj, e me¬gjithatë të kryer me besnikëri, kjo disi të tmerron.
Ajo tashmë ka mbushur gotën e Coca Cola për mua. Është pak përmbi gjysmë. Ndoshta, jo gjashtëdhjetë, por shtatëdhjetë për qind e gotës është e mbushur me Cola. Kur i kam thënë se doja Cola, i kisha thënë se doja shumë pak, ndoshta gjysmë gote, Cola. Por, derisa ajo është duke e pastruar me kujdes dhe besnikëri gotën të mbu¬shur sipas saj, mendoj, ajo tërë jetën e saj, ka pasur për ligj që çdo gjë që i kërkon, çdo gjë që i kërkoje, ta jepte më shumë sesa ke kërkuar në të vërtetë, pak më shumë sesa doje, që do, pak më shumë sesa të duhet.
Ajo ka edhe një problem tjetër, në tërë këtë tmerr, në tërë këtë dashuri të tmerrshme, në përpjekjet, në veshti¬rësitë e saj, në dhembjet e saj, ka edhe një tmerr shtesë. Një tmerr të egër e shpartallues. Shumë shpesh i shpër¬then një lloj çjerrjeje, britme dhe shpërthimi ndaj nesh. Që të tmerron. Është diku mes mallkimit të thellë të kob¬shëm e paralizues; tragjedie që të shpartallon e të para¬lizon. Nuk po hyj më thellë të mendoj për këtë frus¬trim e mallkim të saj, shkaktuar pikërisht nga dhembja prej kancerit të eshtrave që e ka.
Por ajo e ka kryer të veten tashmë. E ka mbushur, diku mes gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë për qind të gotës sime me Coca Cola, dhe e ka pastruar mirë. Ma jep.
“Falemnderit nënë!” i them, dhe në padurimin tim, duke krisur e i çmendur, nisem tutje.
Ajo mbetet në kuzhinë, ka punë, ka shumë punë.
Prishtinë, 2021-2023/ KultPlus.com