28 Shkurt, 2018 - 10:28 am
Shkruan Mehmet Bislimi.
(Me rastin e nëntëdhjetë vjetorit të vdekjes së saj)
Qerime Shotë Galica e inspiruar në bëmat e trimëreshave shqiptare e bindur thellë në të drejtën e popullit tonë për të qenë të lirë e vuri pushkën krahut dhe për 12-të vjet me radhë nuk u nda nga burri dhe bashkëluftëtari i saj Azem Galica, dhe nga shokët e tij. Për 12-të vjet me radhë Shote Galica luftoi kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgar.
Shota e Radishevës, ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngase e kishte të vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende e ndeja burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Azem Bejtën, Mehmet Deliun, Shak e Ramadan Radishevën, Halit Bajramin, Xhemë Tërnavin, Fazli Baranin, Emin Latin – Mehën, Shaban Mikushnicën, Bajram Zenë Mehën e shumë trima tjerë. Nëpër ato kuvende e ndeja merreshin vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb. Aty edhe këndohej kënga e binte çiftelia për trimëritë e trimave tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, si edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë mali, sa edhe të tmerronte me zërin e kushtrimit:”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o hejjj”…
Nëpër ato ndeja e kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Ajo në vend të rrobave të nusërisë, veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën krahut dhe u bë nuse malesh. Në dasmë të saj ishin 300 krushq me 300 pushkë krahut, binin tridhjetë lodra përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e Kaçakëve të malit… Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarëve të tij. Dhoma e saj nusërisë u bë Çiçavica, stolitë e saj ishin gjerdani me fishekë rreth belit. Kjo pra ishte Shota – gruaja shqiptare, që nuk u lodh e nuk u hamend kurrë para jetës së vështirë të malit, as para flakës së barotit, as para rënies e plagosjes së luftëtarëve të lirisë, as para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi morali dhe forca e saj sa vinte e po shtohej e vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u djegur në flakët e luftës! E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këto rrugë pa u luhatur, as edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.
Ajo merrte edhe vendime me vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të Kosovës, për çështje organizimi ose edhe në Shqipëri, për çështje armatimi e komunikimi me forcat përparimtare e demokratike të kohës si me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e të tjerë. Një hap të tillë Shota e kishte marrë për likuidimin e një zyrtari të lartë të Serbisë. Ajo së bashku me Mehmet Deliun dhe me dy tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës!, dhe me dorë të vet e kishte vrarë atë epror gjakpirës, i cili kishte bërë sa e sa masakra mbi popullatën shqiptare që po përpiqej për lirinë e vet. Ajo i tha Azemit më pas: “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës!”… Azemi e shikoj me butësi e dashuri, duke i thënë: “ Mirë ke bërë moj burrnesha e maleve të Kosovës duke e përqafuar dhe duke e uruar për aksionin, atë dhe shokët. Shota, gjatë jetës së saj prej kaçaku të malit, ishte ndeshur dhjetëra herë me pushtuesin serb. Ishin dhjetëra beteja ku kishin luftuar me orë të tëra, në pozicione të ndryshme e shumë herë të pavolitshme e të pabarabarta në armatime. Gati në të gjitha rastet, luftëtarët e lirisë kishin dalë fitimtarë, megjithëse edhe kishin pësuar edhe goditje të rënda me humbjen e shokëve. Kjo përballje e Lëvizjes së Kaçakëve të Kosovës me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër, prandaj për Shotën, Azemin dhe bashkëluftëtarët e saj ishin krijuar mite e legjenda: Ishin përhapur fjalë se Azem Bejta bashkë me gjokun e tij po fluturonte, ose se kur thërret Shota: “Oooo, prite, prite Azem Galicën o heejjj” dëgjohej për tej shtatë malesh e kodrash, ose se Shota me një dorë lufton dhe me tjetrën i bie çiftelisë dhe se plumbat e saj kurrë nuk shkonin huq, mandej thoshin se Azemin dhe Shotën nuk i zë plumbi i shkjaut etj….
Pas vdekjes së Azemit, Shote Galica u priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta ballë për ballë me armikun. Ajo me zërin e saj si zanë mali, u fuste tmerrin xhandarëve kur jepte kushtrimin: “Ooo prite, prite Azem Galicën, o heej”… Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë, kështu duke u bërë shembull e krenari për ne. Shota në rolin e nënës nuk pati rastin që të gëzoj ledhatimet e djalit të saj i cili i vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të malit. Mirëpo Shota nuk ndenji indiferent kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete ngado që shkoi fëmijët e shokëve të rënë për liri të Kosovës. Ajo për as një çast, ata nuk i la vetëm, duke u bërë nënë e dytë e tyre deri në çastet e fundit të jetës së saj.
Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën së do të ktheheshin me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rritë dhe t’i edukojë me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet Zogut ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se mbreti Zog ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili Zogun e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Kështu duke e rrëzuar të parën Qeveri demokratike në Ballkan – Qeverinë e Fan Nolit! Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi që kishte dëmtuar rëndë pas 12 vjet lufte Lëvizjen Kaçake të Kosovës së bashku me prijësin e saj, Azemin, kishte kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj lëvizje në Shqipëri ku Shotë Galica i kishte nën përkujdesje!…
Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, varfëria, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian, i shkroi një letër mbretërisë në fjalë: “ Unë jam Shote Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës , kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim!”…
Shota, po ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj në atë moshë kaq të re, më shumë pati për pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i një regjimi mbretëror antikombëtar kurorëzoi kushtet e një vdekje të parakohshme dhe të pa natyrshme të një gruaje që quhej Shote Galica e cila kishte vetëm 32 vite!…
Shote Galicën, shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin e saj dhe ia rregulloi edhe varrin. Sot në kohën e “demokracisë” varri i saj është në gjendje të mjerueshme siç ishte edhe ajo vet në prag të vdekjes së saj në vitin 1927.
Ndërkaq për bustin e saj nuk ka kurrfarë të dhënash se ku është tretur?! Qeveria e Kosovës, si ajo në nivel qendror, po ashtu edhe kjo në nivel lokal të Vushtrrisë, as kanë vrarë mendjen deri me sot në mënyrë që eshtrat e Shote Galicës t’i kthejnë në vendlindjen e saj, më në fund pas 80 vitesh të prehet edhe ajo e qetë pranë varrit të Azem Galicës, burrit dhe bashkëluftëtarit të saj dhe pranë kullës e cila po ashtu mungon edhe sot!
A thua vallë edhe Qeveria e Kosovës, pandërgjegjshëm po shndërrohet në një Qeveri mospërfillëse e kaq inferiore, për të mos thënë zogolliane përballë Dëshmorëve dhe Heronjve tanë kombëtarë të cilët mbetën harruar e shkapërderdhur baltërave e moçaleve të hapësirave tona gjeografike?!
Qerime Halil Radisheva – Shotë Galica vdiq me 1927. Kush vuajti më shumë se nënat tona, kush i dha lirisë dhe popullit tonë më shumë se ato? Kjo pra ishte Shote Galica – gruaja dhe nëna shqiptare të cilën me pietet do ta kujtojmë përjetë e mot!