17 Tetor, 2018 - 12:40 pm
Rrëfimi i Vasfije Krasniqit duhet drejtuar edhe institucioneve të Kosovës, duhet të jetë alarm për autoritetet politike, të cilat e kanë shpërfillë problemin e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës.
Fillimisht, realiteti kosovar mbylli çështjen e të mbijetuarave gjatë luftës në sirtarët e politikës. Pastaj, mbi këtë çështje, shteti nuk ndërtoi asnjë premisë diskutimi. Çfarëdo tentative që erdhi jashtë politikës përfundoi si zë i mekur karshi gjuhës dominuese të kësaj kulture politike.
Reagimet të përcjella me gabime nga më të ndryshme nga sfera politike, përqendruan vëmendjen e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale, të cilat iu nënshtruan një dhunimi për së dyti, por kësaj here të karakterit verbal dhe mostrajtimit të plagëve të tyre. Situatë kjo, e cila stigmatizoi gratë jo vetëm në sferën publike, por ndikoi negativisht edhe tek vet gratë dhe familjet e tyre.
Rrëfimet si ky është dashtë që moti të dëgjohen, por konsensusi shoqëror bëri që ato të mbyllen për 20 vite rresht. Tash, vargut të rrëfimeve duhet t`i bashkëngjiten të tjera rrëfime për t`i dhënë fund atyre me një epilog. Qoftë në bisedimet politike me Serbinë, qoftë në rregullimin e statusit të tyre./ KultPlus.com