7 Prill, 2018 - 8:07 pm
“Sikur t`ishim zonja hijerënda, do të duhej në pikë të mëngjesit me i la këmbët e patriarkatit. Sikur t`ishim zonja, do të duhej që kanatën me e mbushë me ujë e me e nxehë me t`keqtit e shpirtit. Sikur t`ishim zonja, ishte dashtë që natën mos me bo za, me u shtirë të lumtura, me u përbi prej dhimbjeve e me i thanë vetes që kjo është ajo çka meritojmë. Sikur t`ishim zonja siç shoqnia i kërkon, ish dashtë me i rrotullu sytë e me i pranu shuplakat e burrit sikur me qenë bombonjerë e zakonshme. Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me gatu shpesh, me mbushë barkun leshatuk të mjeranëve që i kemi për burra, që na kanë pronësu kaherë.
Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me u alivanos e me pshty qelb. Sikur t`ishim zonja qysh e lyp rendi i keq shoqnor, ish dashtë me vjellë para vjehrrave, para oborrit që nuk e fshin kush pos neve, para miletit që kërkon të drejtat për neve, e ne jemi veç të humbuna në humnerën që nuk po nis të na pëlqejë, kurrë. Sikur t`ishim zonja të lartësuara, do të duhej me u bo gati për pjellën e fëmijës tjetër, e tjetër, e tjetër, e mos me pasë kurrë ditë me bismilah. Sikur t`ishim gra në trajtën që e lypë konaku, ish dashtë mos me tregu kurrë buzëqeshje e me mendu që e drejta jote përfundon kur i qel sytë. Sikur t`ishim zonja qysh lypin burrat tanë, do të duhej me u rujt prej leximit, prej dy fjalëve që janë të shkrume jo kundër nesh. Sikur t`ishim zonja të vërteta, qysh e lyp katuni e qyteti ku jetojmë, do të duhej me u shkarravitë, me dalë te stani e me mallku ditëlindje e lindje, me u bo ecejake e me provu me mendu një kohë ma të mirë. Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me shku janari e dhjetori tuj e pritë tjetrin janar e tjetrin dhjetor e kurrë njiherë asnjërin t`lumtun, po veq me qenë grua që t`marrin për t`lajthitun. Kështu qysh jemi, na ka sosë vetmia.
Po shyqyr, zonja nuk jemi. Jo zonja të këtij soji, jo zonja që traktatin me kokëulësinë e nënshkrujnë ditën kur palojnë duart. Zonja nuk jemi, e as fuqi punëtore që duhet të marteve me vajtu, të mërkureve me shajt Zotin e të enjteve prapë me nisë mëngjesin tmerrshëm. Zonja, për neve, është term i kotë edhe i vrazhdë. Sikur t`ishim zonja, do të ishim thes për boks prej botës grrithëse. Macat i kemi në shtëpi. Sikur t`ishim zonja, do të ishim kësisoj siç jemi, trupa të pafjalshëm që kanë shumë fjalë brenda. Dhe kujt i plas të jetë zonjë e standardeve të sotme. Zonjat si këto sot nuk duhet të ekzistojnë. Zonja, për të cilat askush nuk është krenare, fjalëmirat nuk na gjinden kurrë. Sikur të ishim të zonjat e këtij rendi, do të ishim veç statuja që prapë na kthejnë në burra. Hajde po ndërrojmë, hajde po kundërshtojmë së qeni zonja të bukura para kamerave e knej zemërplasta se kjo shoqëri na shkërdhen trurin nga forma në formë. Jemi zonjat perfekte për një qoshe shpije. Burrat janë arkitektët tanë, ende. Duhet të mos jemi më zonjat e tyre. Zonjat e tyre jemi, siç duan vetë ata”.
A.Selmani –