Sot në ditëvdekjen e Niçes

25 Gusht, 2019 - 6:30 pm

Nga Albert Vataj

Erdhi për të qenë një vetmitar apokaliptik dhe mbeti derimtash, e me gjas përgjithnjë, i kapërthyer prej kërshërisë së kumtit që ngjizi këtë klithmë britmëtare.

Me lëndën me të mraztë, dhimbjen më therëse, ferrin më ngjethës, e mrujti ai shtatoren, e ngjizi ai vetmohimin. Sfidon epokat dhe trajtat e mëtimit njerëzor. Britma e tij mësyn gjëmimtare mbi qiejt e vetëdijes në krejt të tashmet.

Nuk ka të sosur ai trup e shpirt i sakatur, së kacafyturi. Përzihet me terrati dhe flakë, çorba që shtrohet në tryezën e bukës që ha. Gjithnjë është unshëm dhe asnjëherë nuk ngopet. Gjumin i’a vrasin dhimbjet dhe mendimet. Shëndetin i’a drobisin sëmundjet dhe zehri që shurb në këmbim të copëzve vetmitare të paqes së brendshme, që e tundojnë nëpër kapërthime.

Ngadhnjen ai gjithherë dhe papushim i duhet ta marrë mbi duar veten e ta derdh në të njëjten enë, të errët dhe të thellë. Ngrihet si mbi veten ashtu edhe mbi kohën, i mbështetur fort mbi supet e tragjizmit antik. Hedh vështrimin dhe rrëmon për të mbledhur zërin e tij mes copëzash dhe gërmadhash.

I’a jep një thirrje në kupë të qiellit, havanit që i thyhet ndër duar. Ashtu përplot durim i vendos një e nga një, si gurët e mozaikut, copëzat e pafundësisë, sa për ta dëgjuar për vete atë britmë, atë zë që e ndjen, por nuk e dëgjon . E kridhet rishtaz në të tjera përjetime që e shpojnë.

Në trajta të allasojta vetmish e vendos veten dhe rifillon të gatuaj sërish brumin e zërit, duke e ngjeshur fort, shumë fort, derisa të mos i mbetet forcë as të ëndërrojë. E shtryllin mendimet si pesha e vetmisë dhe lëshohet mbi letra si një kafshë prehistorike, shkruan e çjerr, vizaton e shkarravit, këndon dhe qan, mendon dhe ther kurmin e kohës, thell me gozhdët zotvrasëse./KultPlus.com

Të ngjajshme