15 Dhjetor, 2020 - 2:22 pm
Shkruan: Gentiana Softolli
Në këtë punim provojmë të trajtojmë konceptin e subkulturës, me fokus të veçantë, subkulturën tonë. Së këndejmi, si pyetje kërkimore dhe e natyrshme për këtë qasje është: cila është subkultura në Kosovë, format dhe shfaqjet e saj?
Si metodë shkrimi, gjatë punimit tonë del të jetë nga e përgjithshmja (koncepti, natyra dhe kuptimi i subkulturës në përgjithësi) te e veçanta (për subkulturën konkrete). Prandaj, objektiv yni është identifikimi i subkulturës te ne, edhe si fenomen i cili jo një herë është diskutuar dhe përfolur qarqeve të ndryshme, duke e ngatërruar edhe me kontrakulturën.
Veshja religjioze si formë e subkulturës
Si subkulturë në vendin tonë mund të veçojmë myslimanët si komunitet duke cekur disa karakteristika të tyre. Ndër dallimet më thelbësore është veshja. Ajo çfarë e dallon një femër myslimane nga femrat e tjera është mbulesa e trupit. Kjo dukuri njihet në komunitetin mysliman si hixhab që përfshin mbulimin e trupit dhe kokës. Krahas kësaj kohëve të fundit në vendin tonë është shfaqur edhe një dukuri e njohur si ferexhe (mbulim i fytyrës) që gjithashtu paraqet subkulturë në vendin tonë.
Madje, karakteristikë tjetër e këtij grupi që paraqet subukulturë në vendin tonë është edhe gjuha e tyre. Gjatë të folurit ata përdorin fraza kuranore si përshëndetjen reagimet në situata të ndryshme etj. Një veçori tjetër është ushqimi. Ky grup i shoqërisë e ka të ndaluar konsumimin e disa ushqimeve si p.sh. mishin e derrit dhe produktet që përmbajnë alkool. Në art e kanë të ndaluar vizatimin e portreteve dhe krijimin e skulpturave.
Subkultura dhe orientimi seksual
Si subkulturë mund të përmendim edhe minoritetet seksuale (homoseksualët, lezbiket, biseksualët, transseksualët). Merren si subkulturë pasi që orientimi i tyre seksual ndryshon nga norma e shoqërisë.
Transgjinorë janë ata persona që e ndryshojnë gjininë nga ajo që e kanë pasur të përcaktuar pas lindjes. Transseksualiteti arrihet me anë të asistencës kirurgjikale. Ka gra trans dhe burra trans. Transgjinorë nuk do të thotë vetëm ndërrimi i gjinisë me ndërhyrje kirurgjikale por përfshinë edhe një pjesë të atyre që nuk ndihen plotësisht femra ose plotësisht meshkuj duke e shprehur këtë me anë të veshjes.
Biseksualiteti nënkupton tërheqje seksuale ndaj të dy gjinive. Përmendet shpesh që biseksualët përfundojnë duke u bërë “homoseksualë” ose ata janë “gjysmë homo” dhe “gjysmë hetero” fakte këto që nuk qëndrojnë sipas këtij komuniteti.
Homoseksualiteti është tërheqje seksuale mes anëtarëve të të njëjtit seks. Çështja e orientimit seksual ende nuk është zbuluar saktësisht nga shkencëtarët dhe nuk konsiderohet si zgjedhje. Biseksualiteti nënkupton tërheqje seksuale ndaj të dy gjinive.
Çështja e orientimit seksual ende nuk është zbuluar saktësisht nga shkencëtarët dhe nuk konsiderohet si zgjedhje, thuhet se mund të ndodh natyrshëm te këta persona. Homoseksualiteti nuk është sëmundje dhe nuk kërkon trajnim edhe pse ka të atillë që për shkakt të paragjykimeve, kanë kërkuar trajtim, por që nuk është diçka që mund të ndryshohet. Momenti kur individi e pranon edhe publikisht orientimin e tij seksual njihet ndryshe edhe me termin “Dalja nga Sirtari”.
Homoseksualiteti nuk dihet nëse është i trashëguar apo jo, mirëpo një gjë e dimë sigurt që diskriminimi, paragjykimi dhe ofendimi i këtyre personave dënohet me ligj.
Shoqata amerikane e psikiatrisë kundërshton çdo trajtim psikiatrik, si “riparues” ose “ konvertues” që bazohet mbi hamendësimin se homoseksualiteti në vetvete është çrregullim mendor, ose mbi hamendësime të mëparshme se pacienti duhet të ndërroj orientimin e tij/saj seksual
Një fakt mjaft i rëndësishëm dhe i nevojshëm është informimi dhe edukimi mbi orientimin seksual. Të kesh orientim të ndryshëm seksual nga të tjerët nuk e ul vlerën si individ dhe nuk duhet të të mohohen të drejtat. Ata kanë të drejtën të martohen dhe të krijojnë familje në forma të ndryshme.
Subkultura dhe grupet etnike
Subkulturë në vendin tonë janë edhe komunitetet e ndryshme me vlerat dhe veçantitë e tyre. Në Kosovë ekziston një diversitet i komuniteteve të tilla si: komuniteti serb, komuniteti turk, komuniteti boshnjak, komuniteti romë, komuniteti ashkali, komuniteti egjiptas dhe komuniteti goran.
Komuniteti serb, pjesa më e madhe e tyre jetojnë në komunat me shumicë serbe si: Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe një pjesë në Mitrovicën e Veriut. Ky komunitet i përket besimit të krishterë ortodoks dhe e flasin gjuhën serbe.
Komuniteti turk jetojnë kryesisht në komunat Prizren, Mitrovicë dhe Istog. Flasin një dialekt lokal të turqishtes dhe janë aktiv në të gjitha aspektet e jetës kulturore, sociale dhe politike në shoqërinë kosovare.
Komuniteti boshnjak jetojnë në disa zona të qytetit të Prizrenit. I takojnë besimit mysliman, gjuha e tyre është boshnjakishtja.
Komuniteti romë gjurmon rrënjët e veta që nga shteti indian i Rajasthan. Romët jetojnë në shumë qytete të Kosovës. Flasin gjuhën e tyre amtare dhe një pjesë e madhe i përkasin besimit mysliman.
Komuniteti ashkali gjenden kryesisht në Fushë Kosovë por edhe në komuna tjera. Ata e flasin shqipen si gjuhë amtare. I takojnë kryesisht besimit mysliman.
Pjesëtarë të komunitetit romë dhe ashkali që paraqesin subkulturë në vendin tonë shpesh ndodhë që shfaqen si lypës në trafik duke kërkuar lëmoshë. Këtë e bëjnë në forma të ndryshme si duke kënduar rrugëve dhe shesheve të qytetit ose edhe duke shfaqur talentin e tyre në instrumente të ndryshme si vegla me perkursion, tarabuke, tupane, vegla frymore: syrla, bizhinca etj. Si dukuri tjetër e veçantë e këtyre dy komuniteteve është edhe martesa e hershme, janë të shumta rastet kur pjesëtarë të këtyre komuniteteve martohen në moshë të mitur nga prindërit e tyre. Ka raste të ndryshme kur shoqëria ka paragjykime për këto komunitete duke i përqeshur për sjelljet, veprimet, gjuhën e rrugës (theksi, nazaliteti).
Komuniteti egjiptas bën pjesë në disa qytete si: Gjakovë, Istog, Klinë, Pejë etj. Vijnë nga Egjipti dhe i përkasin kryesisht fesë myslimane. Një pjesë e konsiderueshme e flasin shqipen si gjuhë mëmë.
Komuniteti goran janë të përqendruar kryesisht në Dragash. Shpeshherë i bashkojnë me komunitetin boshnjak. Komuniteti goran është komunitet islamik sllavo-folës. Flasin gjuhën gorane, që mund të kuptohet nga folësit serbë, kroatë dhe boshnjakë.
Subkultura dhe gjuha e të rinjve
Gjuha e të rinjve është një strategji e komunikimit mes të rinjëve që nuk dëshirojnë të kuptohen nga masa. Nuk flitet gjatë gjithë kohës por vetëm në raste të caktuara. Kjo gjuhë realizohet duke i kthyer mbrapsht fjalët ose duke krijuar variacione të ngjashme. Ndonëse përmban goxha fjalë të terminologjisë së hajnave ajo nuk është gjuhë e kantit, është më e gjerë se aq. Nuk mund të cilësohet si zhargon është më e afërt me slengun.
Disa prej këtyre shtrembërimeve apo përmbysjeve të këtyre fjalëve janë: op-po, lliset-sillet, lofim-folim, ishmi- shihmi, u llaka- u kalla, thupe-puthe, lladup- budall, ragica-cigare, leqi-qeli, jomshe- mshoj( ka kuptimin e vjedhjes), rapet-paret, tamuxhi- maxhupi, som u leç- mos u çel, riçke rome-kqyre more, bal, balicë etj.
Repistët si subkulturë
Repistët janë një grup i këngëtarëve të muzikës hip-hop që në tekstet e tyre paraqesin probleme të përditshme dhe një revoltë të madhe pakënaqësie. Në Kosovë ndër grupet e para të rep artistëve ishin: NR, Ritmi i rrugës, Hija e Jetës, Etno Engjujt, Tingulli 3, 2po2 etj. Fillimisht tekstet e tyre ishin në gjuhën angleze por me kalimin e kohës filluan të reponin edhe në gjuhën shqipe.
Përveç temave sociale ata i dhanë rëndësi edhe jetës luksoze dhe ironisë e sarkazmës ndaj çdo gjëje. Mund t’i quajmë si subkulturë për shkak të risive që kanë sjellë në vendin tonë në krahasim me muzikën që jemi mësuar ta dëgjojmë.
Në kuadër të kësaj, kohëve të fundit në vendin tonë është bërë aktual edhe trendi i repereve femra, dukuri kjo e cila nuk është se ka qenë shumë e përhapur më herët te ne. Numri i tyre po shtohet dita ditës duke krijuar kështu konkurrenca dhe debate të shumta në këtë sferë.
Në përmbyllje
Përfundimisht, me nocionin subkulturë shprehet veçantia kulturore e shoqërisë. Një lloj i subkulturës me specifika të veta ndikon mbi kulturën dominante, ajo nuk bën ndryshime të mëdha, por sjell risi në fusha të ndryshme.
Me anë të kësaj arrijmë në përfundim se veprimi i subkulturës është pozitiv dhe kontribuon për zhvillim të mëtutjeshëm të kulturës dominonte, që ndryshe njihet si Kultura K.
(Autorja është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës shqipe)