11 Mars, 2018 - 8:55 pm
Shkruan Sarandë Selimi.
Produksionet e mëdha botërore bëjnë gara se cili nga ta do ta prodhojë një film që flet për figurat e mëdha botërore e kombëtare. Ata, bashkë me regjisorët mundohen të gjejnë një nga aktorët më adekuat për të nxjerrë, nëse jo 100%, të paktën 90% të figurës për të cilën bëhet fjalë. Kjo gjë së fundmi po diskutohet edhe në Kosovë.
Një tentativë interesante ishte kjo e fundit që prodhoi një debat kulturor, ku rëndësi iu dha edhe nga mediet e tjera që kulturën e kanë të fundit në kronikat e tyre ose hiq.
Film për Adem Jasharin, tha që do të bëjë regjisori kosovar Luan Kryeziu. Ky nuk ishte lajmi. Lajmi ishte se kinse aktori kroat Rade Serbedzija, ka pranuar ta jetësojë përmes filmit, figurën e madhe historike të Kosovës, Adem Jasharin.
Në këtë mes, regjisori Kryeziu kishte thënë se ai nuk e pranon Serbedzijan për ta luajtur rolin e Adem Jasharit, dhe se ky i fundit , sipas Luan Kryeziut ka kërkuar nëpërmjet Enver Petrovcit, që të luaj në këtë film. Por, edhe pse pat zhurmë në mediet kosovare dhe në ato serbe, vet Enver Petrovci nuk ka dalë me një deklaratë që të qartësonte, se ku ka ngelë e vërteta.
I pari, doli Rade Serbedzija me një reagim ku e quajti Kryeziun një gënjeshtar. Pas kësaj i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeziut, duke e porositur aktorin që të bëhej njëherë njeri, sepse, sipas tij qenka mbet edhe më tutje serb, edhe përkundër karrierës së tij ndërkombëtare.
Më tha e të thash. Projektet filmike me figura të mëdha të vendit janë kthyer në debate të mëdha, duke përdorë më shumë emrat për marketingun e filmave të tyre, se sa koncentrimin në vet bërjen e filmit.
Në anën tjetër, kultura në Kosovë vazhdon të mbetet në birën e fundit të kavallit, dhe ende nuk ka një buxhet të kënaqshëm për ta bërë një film të mirë, e aq më pak, një film për Adem Jasharin – një figurë e madhe jo vetëm për kosovarët, po për gjithë kombin shqiptarë.
Nuk vonoi shumë dhe pas Adem Jasharit, nisën fjalët edhe për një film të radhës për shkrimtarin e letrave shqipe, i cili është shkrimtari i vetëm shqiptar që i lakohet emri edhe për çmimin Nobel, Ismail Kadarenë. U tha se do të bëhet film për rininë e Kadaresë, përmes një fotografie të publikuar nga regjisori Ben Apolloni. Apolloni tha se aktorin e ka tashmë. Ibër Deari është aktori që do të duhej ta luante këtë rol, por sa mjafton ta gjesh një aktor që vetëm i ngjason Ismail Kadaresë, apo do të duhet të merren parasysh se janë edhe shumë faktorë, deri në realizimin e filmave me figura të mëdha.
Është e dhimbshme që në secilin cep të Kosovës ka një rrëfim për tu treguar për botën, e kjo nuk po bëhet. Po ashtu është edhe më shumë e dhimbshme që ende nuk kemi një projekt filmik me të cilin do të mburreshim e t’i tregojmë botës për vlerat tona.
Them lirshëm që me dhjetëra projekte kanë kaluar për tu subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe ende rezultojnë në letër. Filmi nuk bëhet nëpër kafeteritë e Prishtinës, Tiranës e Shkupit. Filmi bëhet në sheshxhirim. Është e vërtetë që nuk ka mjete të mjaftueshme të ndara nga Qeveria e Kosovës, por, ato që i keni shfrytëzoni që të paktën një film i mirë në vit të del nga kjo Kosovë e cila ka shumë për të thënë.
E ju regjisorë të dashur që pretendoni filma me këto figura të mëdha, do të duhej që të kishit punuar në sigurimin e produksioneve të mëdha, në sigurimin e fondeve të mëdha, në thirrjen për një konkurs të pranimit të dhjetëra skenarëve po për temat që do të donit t’i trajtoni, e krejt në fund të fillonit të bëni promocionin, edhe atë me një modesti të thellë, në mënyrë që krejt këto projekte mos të tingëllojnë si promovim i vetvetes, por si një qëllim i juaji që njëmend po dëshironi të lëni gjurmë të kinematografisë kosovare.
Tash e shumë vite, jemi dëshmitarë të një fenomeni shumë të çuditshëm të kinematografisë kosovare, më shumë bëhet zhurmë para fillimit të bërjes së filmit, se sa kur fillon, dhe aq më pak kur përfundon filmi.
Sikur kam përshtypjen, se kur filmi fillon të qarkullojë nëpër festivale, e ndjej se mbylleni në guaskën tuaj, që nuk ngjan fare me krekosjen e fillimit.
Natyrisht, në këtë gjykim ka përjashtime, por të gjithë e dimë, se zhurma të mëdha rreth një projekti, vetëm sa e dëmtojnë projektin.
Andaj, nëse njëmend e keni për të bërë film me figura të mëdha, do të besojmë vetëm kur të na vërtetoni që keni një produksioni gjigant pas vetës, një organizim super të mirë, dhe e fundit fare, po më e rëndësishmja, kur e argumentoni se keni pas vetës dhjetëra filma të suksesshëm që i kanë qarë festivalet botërore, mirëpo festivalet e mirëfillta, e jo ato që ndajnë çmime pa asnjë kriter./ KultPlus.com