30 Prill, 2019 - 1:56 pm
Nga Jeta Dedja
Një status Facebook-u i javës së kaluar u bë shkas të sinkronizoja orën sot me Shqipërinë për të ndjekur show-n “Në kurthin e Piter Panit” me një fije shprese se do të ishte përmirësuar. Doja të shihja djalin e vogël që është bërë personazh rrjetesh sociale. E quajnë Xhejzon por e thërrasin “Taramele” meqenëse fëmija nuk artikulon qartë bashkëtingëlloren K. Hulumtova ndërkohë edhe në Youtube dhe gjeta se Xhejzon është shprehur se nuk i pëlqen ta thërrasin kështu por prezantuesja i kërkon ta pranojë këtë epitet meqenëse karamelet janë të ëmbla. Dhe Xhejzoni i vogël bie dakord ta thërrasin Taramele. (normalisht i mituri bindet lehtë nga një figurë publike që ai simpatizon). Qeshnin me këtë fakt, që prej prezantueses e deri tek një pjesë e madhe e audiencës. Jam e bindur siç jam unë kritike ka edhe të tjerë që nuk e miratojnë talljen apo bullizimin edhe kur ato na shiten si humor apo normalitet skenik. Përveç mënyrës jokorrekte të konceptimit të tij në aspektin psiko-edukativ në këtë program ka disa sjellje publike që nuk qëndrojnë dhe që për mendimin tim nuk duhet të përforcohen më tutje.
Të evidentosh dikë prej një problemi artikulimi (qoftë ai edhe i përkohshëm si rasti në fjalë për shkak të moshës së vogël) e t’i ngjisës epitete, etiketime, etj nuk është e pranueshme jo vetëm në publik, por edhe në mjedise më të ngushta private. Është njëlloj sikur t’i thuash një personi që nuk sheh mjaftueshëm qorr, një tjetri që ka ende të pazhvilluar një kockë të këmbës-çalaman apo topall, etj shembuj.
Të diferencosh një fëmijë mes të tjerëve nuk është e pranueshme. Fëmijët e tjerë nuk ndihen mirë kur dikush trajtohet si “star” në mes të skenës, apo merr vëmendje të veçantë prej prezantueses dhe të të ftuarit, ndërkohë që fëmijët e tjerë janë veç një panel i ulur në stol në pritje të artikulimit të pyetjeve. Ka mënyra të tjera për t’i dhënë hapësirë televizive dhe për ta inkurajuar talentin e një fëmije, pa cënuar ndjenjat e fëmijëve të tjerë dhe pa shfokusuar objektivin e programit sipas luhatjeve emocionale të çastit. Është sikur të mbash me hatër një nxënës, ta bësh senator klase, t’i vësh 10 me yll, vetëm sepse i ngacmon ndjenjat zyshës pasi i kujton diçka nga fëmijëria e saj për shembull.
Të shkosh në shtëpinë e një fëmije të varfër thjesht për t’i thënë botës se sa i varfër është nuk është e pranueshme. Nuk e dinë këta njerëz publikë se edhe varfëria ka dinjitet?? Nëse vërtet kanë ndjenja dhe qëllime bamirësie, le të ndihmojnë pa bujë, ta bëjnë të mirën dhe ta hedhin në det siç thotë populli, por këta pa e bërë akoma marrin kamerat me vete. “E bëj këtë se kam vendosur t’i rregulloj jetën Tarameles”-thotë prezantuesja. Vras mendjen se ç’do të thotë me shprehjen “rregulloj jetën”? Çfarë ka jeta e sapo nisur e vogëlushit? Familja nuk ka forcë të kundërshtojë, varfëria të bën të kafshosh gjuhën me shpresë se ia vlen sakrifica për fëmijën. E justifikuar do të ishte nëse fokusi i emisionit që në krye të herës do të kishte ndihmën ndaj familjeve në nevojë
Të bësh emision me fëmijë, duhet që qendra e programit të jenë fëmijët, dhe programi të jetë për fëmijët. Por programi i TV Klan i përdor fëmijët në funksion të të rriturve të ftuar. Përmes naivitetit fëminor synojnë të sjellin në një plan tjetër persona publikë, të trukojnë imazhet e tyre me tonalitetet e buta të fëmijëve. Por kjo të dashur organizatorë është e papranueshme. Ju abuzoni me mendimet, emocionet dhe historitë jetësore të këtyre fëmijëve haptazi dhe askush nuk ju thotë gjë.
Në këtë emision me fëmijë, unë nuk arrita të gjej asnjë element të qenësishëm në funksion të edukimit të fëmijëve, të edukimit me baza shkencore e kam fjalën, se edukim rruge gjen kudo. Apo edhe argëtimit sipas moshës së tyre, apo informimit gjithashtu. Tre shtyllat e supozuara të detyrave të medias në këtë emision nuk i shoh të ngritura në funksion të fëmijëve, por në funksion të rritjes së audiencës a klikimeve.
Ju do thoni kanë faj prindërit, po të shkretët kanë kaq pak mundësira për t’i angazhuar fëmijët e tyre në media dhe arte saqë pranojnë atë që u serviret. Diku do duhet të dalin fëmijët e talentuar, ndryshe si do zbulohen këngëtarët, aktorët, gazetarët e ardhshëm?
Miku im regjisori Jani Tane ka kaluar një jetë në Televizionin Shqiptar në departamentin e fëmijëve dhe për të do të ishte e pakonceptueshme të nxirrte në ekran një shoë të pakonsultuar me specialistët e edukimit, ku të paktën skenari është përgatitur nga ta. Të merresh me fëmijë nuk mjafton vetëm mendimi se ti di të flasësh me fëmijët, apo se ti je nënë dhe i kupton sjelljet e fëmijëve apo se ke lexuar 2 libra mbi psikologjinë e fëmijës. Duhet ose të jesh fëmijë ose të jesh i mirëtrajnuar për komunikimin me ta që të drejtosh e të marrësh përsipër një emision me fëmijë dhe për fëmijë.
Kanadaja është vendi që mban rekord për programet e fëmijëve, madje dhe shumë filma që po bëjnë xhiron e botës për parashkollorët janë prodhuar në Kanada. Kjo sepse shtylla rreth së cilës producentët kanadezë ndërtojnë një program për fëmijë është edukimi. Të nënrenditura gjen argëtimin, informimin. Nuk ka programe të mos përcjellin mesazhet e qyetarisë së mirë, produktivitetit, respektit e dinjitetit për njeriun, mjedisin, kafshët dhe gjithçka rrethon. Kur një emision për fëmijë shkon drejt minutave të fundit, titrat që shoqërojnë planet përfundimtare nuk kanë të mbaruar nga armata e konsulentëve.
Kjo nuk ndodh në programet shqiptare. Grupi realizues është i kufizuar në punonjësit definitivë të televizionit dhe aty mbaron si kreativiteti ashtu edhe vizioni. Prandaj gjasat janë të shumta për të patur Piter Pan të frustruar, Uendi budallaqe apo kapiten Gremç mizor e pa fantazi. /KultPlus.com