5 Maj, 2020 - 7:00 pm
Shkruan: Arben I. Kastrati
Në kohën e depresionit të madh kombëtar, kur lexoja për personalitete që i linin pasurinë shtetit, ose artistë të vlerësuar që i linin veprat e tyre trashëgim shtetit, mbushesha me habi?! Si mund ti dhurohej shtetit?! Kuptimin e pakuptimësive të tilla, e kërkova ndër vite.
Shtetet kishin bërë shumë për individualitet e tyre. Ju kishin dhënë mundësi. Ju kishin dhënë mbështetje. Ju kishin dhënë siguri. Dhurimi i trashëgimive, ishin falenderimet që individët e arritur, kishin për shtetet e tyre përkatëse.
Shtetin ku rroja, e trajtoja si shtet armik, sepse rroja i poshtëruar për shkak të identitetit tim kombëtar. Shteti ku rroja, ishte sinonim i dhunës së përhershme ndaj përkatësisë sime kombëtare. Prandaj, kisha indiferencë të përhershme ndaj shtetit ku rroja. Për mua, shteti nuk kishte rëndësi. Rëndësi kishte kombi.
Rrethanat në të cilat rroja, më bënin të besoja që të pasurit shtet, ishte një pamundësi e madhe. Shkëputja nga shteti ku rroja, ishte një pamundësi e madhe, gjithashtu.
Trajtimi me turp që na bënte shteti, na mbushte me urrejtje. Shteti ishte një e keqe, jeta brenda së cilit ishte e pashmangshme. Zhbërja e shtetit ishte qëllim. Bërja e sërishme e shtetit (të dëshirueshëm), ishte qëllim, edhe më i madh.
Vite më pas, edhe pse shteti në të cilin rroj ka ndryshuar, qasja ime ndaj shtetit mbetet, si që moti. Trajtimi që më bënë shteti, që tentoj ta dua, e bënë qenësinë time të ofenduar. Mënyra e funksionimit, bënë që indiferenca qytetare ndaj shtetit të rritet. Shkëputja e marëdhënies me shtetin është shndërruar në qëllim. Sic është shndërruar në qëllim, nevoja për të ndërtuar pavarësi individuale, brenda shtetit. Sepse shteti është shndërruar në keqbërësin më të madh.
Prandaj, nuk di asnjë shqiptarë të pasur apo artistë të pasur me vepra, ti ketë lënë pasurinë, trashëgimi shtetit. Dhurimi i trashëgimisë, shtetit të së sotmes, do të ishte pakuptimësia më e pakuptimtë. Ky shtet i së sotmes, me trajtimin që na bënë, na mbush me turp të shumfishtë: si qytetarë, si artistë dhe si shtetas.
Nuk dua asgjë nga shteti, dhe nuk i jap gjë shtetit. As nuk dua të identifikohem me shtetin. Ky shtet i së sotmes, nuk më ka dhënë asgjë, përpos dhimbjes. Dhemb, dhe dhemb shumë, që identiteti ynë, kombëtar dhe shtetëror, trajtohet nga bota mbarë, i një vendi të kriminalizuar. Kudo, trajtohemi me turp, se ashtu na identifikon shteti.
Trajtimi me turp, nuk ka për t’na u ndarë, përderi sa koncepti për shtetin të ndërrojë. Deri atëherë, nuk kemi për ti dhënë por vetëm kemi për t’i marr shtetit, mundësisht, edhe shtetësinë.