30 Maj, 2019 - 12:00 pm
Vepra “Testamenti” e Sabri Hamitit, përmban shkrime kritike për letërsinë shqipe të bëra viteve të fundit. Shkrimet e kësaj vepre autori i ndan në tri pjesë: 1. Lirika shqipe, 2. Leksione dhe 3. Testamenti. Brenda këtyre cikleve autori përmbledh shkrimet e tij duke filluar nga P. Bogdani, Jeronim De Rada,Naim Frashëri, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Esad Mekuli, Azem Shkreli (Të gjitha këto në pjesën me titull të përbashkët Lirika Shqiper). Ndërkaq, në pjesën me titull të përbashkët: Leksione, autori bën fjalë për shkrimet dhe veprat për Skënderbeun. Ndër të tjera këtu Sabri Hamiti merret me veprat e Marin Barletit, Frang Bardhit, Jeronim De Radës, Naim e Sami Frashërit, Ndre Mjedjes, Ernest Koliqit, Beqir Musliut, Gjergj Fishtës, Çajupit, Xanonit, Et`hem Haxhiademit, Ismail Kadaresë, Bilal Xhaferrit etj. Këtu përfshihen edhe shkrime për autorë e vepra të tjera të letërsisë shqipe, vepra këto që i trajton Sabri Hamiti në shkrimet e veta edhe më parë.
Në pjesën e tretë të kapitullit “Testamenti”, prej nga e merr titullin edhe libri, Sabri Hamiti, si thekson vetë në parathënien e librit bëhet shënjimi i të dhënave letrare në këtë kohë, autorë, vepra, stile, indivdualitete, formacione, të gjitha në një sistem të lidhur për të krijuar raportin e komunikimit të tërësishëm letrar brenda sistemit të letërsisë nacionale.
Mund të thuhet se shkrimet e përfshira në këtë vepër me ide e procedime letrare lidhen domosdoshmërisht në një sistem me librat pararendës: “Bioletra”, “Tema-tologjia”, “Albanizma” dhe “Utopia letrare. E veçanta e shkrimeve të tij për letërsinë është analiza, interpretimi, vlerësimi, por edhe ligjësimi përgjithësues në fund. Në këtë mënyrë ai krijon rend vlerash, të cilin e bën pas analizash e interpretimesh, pas rileximesh për të dëshmuar se veprat që merr në shqyrtim u qëndrojnë kohëve, janë përtej shijeve e modave kalimtare. Rexhep Ismajli për veprën e Sabri Hamitit ka thënë: “Sabri Hamiti ka ardhur me frymëzimin dhe talentin e interesave të ndryshme nga të tjerët. Ka manifestuar prirje për poezi dhe talent që nuk është shteruar kurrë. Studimet për letërsi i ka marrë ndryshe nga të tjerët”. Ndërkaq Akademik Ali Aliu e ka cilësuar S.Hamitin si shkrimtar me peshë të veçantë në letërsinë kombëtare për faktin se është studiues dhe historian i letërsisë shqipe, poet e prozator dhe dramaturg.
Duke folur për letërsinë moderne përgjithësisht studiuesi Sabri Hamiti vë në dukje se modernizmi në art thekson vetitë e fenomeneve që janë bashkëkohore, që tejkalojnë traditën dhe sjellin risi. Prandaj përgjithësisht në letërsi modernizmi përdor mjete të reja artistike, kërkon forma të reja artistike dhe struktura të reja.
Në pjesën e tretë të kësaj vepre me titull Testamenti S.Hamiti ka përfshirë punimet e shkurtra, por koncize dhe në formë rezymesh të studimeve të tij të mëhershme për këto probleme letrare për letërsinë filobiblike, letërsinë romantike shqiptare për të arritur te letërsia moderne.
Letërsia moderne është “një formacion letrar mbasromantik, që zotron gjysmën e parë të shekullit XX me dy periudha apo me dy breza krijuesish, paramoderne (autorët që nisin botimet mbas vitit 1900) e moderne (autorët që nisin botimet në vitet `20)”. Duke definuar letërsinë moderne në përgjithësi po edhe atë shqiptare S. Hamiti përfundon se në letërsinë moderne artikulimi letrar nuk mbështetet më në subjektivitet e himnizim, por në individualitet e në referenca, duke prodhuar më fort stile individuale e jo stil të formacionit, pra një letërsi me zotërim kritik. Autori këtë nismë të letërsisë moderne shqiptare e lidh me vitin e botimit të revistës së mirënjohur “Albania” të Faik Konicës duke konstatuar se në këtë formacion letrare zhvillohen të gjitha format e letërsisë: poezi, prozë, dramë kritikë letrare.
Në vazhdim S. Hamiti përmend autorët dhe veprat e tyre si nismëtarë të kësaj letërsi te shqiptarët dhe fillon me Çajupin për të vazhduar mandej me Fishtën, Asdrenin, Konicën, Nolin, Mid`hat Frashërin. Në veprat e të gjithë këtyre autorëve S. Hamiti gjen elemente të letërsisë moderne dhe i vë në dukje ato më karakteristioket. Po e zëmë te Çajupi “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, “Pas vdekjes”, “Baba Tomori”, Baba Musa lakuriq”. Te Gjergj Fishta dallon epin nacional “Lahuta e Malcis”, por edhe vepra të tjera të këtij autori, por edhe shqyrtimet e problemeve estetike dhe të kombit shqiptar. Edhe në vepra të tjera, në dramaturgji, në tragjeditë e tij, në melodramat etj., të Fishtës S. Hamiti gjen elemente të rëndësishme të letërsisë moderne për të vazhduar mandej me veprën e Asdrenit. Faik Konicën e karakterizon si nismëtar të modelit kritik letrar shqip. Po meritë e veçantë e Faik Konicës përmendet edhe botimi i “Albanisë”, revistë kjo ku u botuan shumë shkrime të kësaj kohe nga fusha e kritikës dhe eseistike duke i promovuar shkrimtarët e brezit të vet. Madje S. Hamiti thotë se Faik Konica u bë themelues i kritikës së artikulimit subjektiv madje sprovoi ta bëjë edhe teoretizimin e saj. Po autori thekson gjithashtu se Konica provoi pendën e tij edhe në proza poetike dhe ato alegorike. Fan Noli shfrytëzoi në veprën e tij tematikat që lidheshin me figurat biblike të përthyera me ngjarjet e kohës, të botës së tij dhe tëbotës shqiptare në përgjithësi. L.Poradeci trajtoi tema të rinisë: dashuria, flijimi, përjetësi dhe në strukturën e tij tematike mbizotëron metafora. Ndryshe nga Poradeci, Ernest Koliqi harmonizoi temat shqiptare me stilet e epokës në poezi e veçanërisht në prozë.
Autori Sabri Hamiti duke kaluar nga autori te autori tjetër të kësaj periudhe, nga vepra në vepër jep shkurtimisht karakteristikat themelore të tyre, veçoritë dhe vlerat e tyre dhe në këtë mënyrë na e jep një pasqyrë të fillimeve dhe të zhvillimit të letërsisë moderne shqipe. P.sh. për E.Haxhiademin autori thotë se u bë i njohur duke trajtuar tema lirike të tragjedisë në stilin klasicist në strukturë dhe formë
Një vend të veçantë në këtë studim zënë edhe autorët si: Lasgushi, Koliqi, Haxhi-ademi, Kuteli, Migjeni, Spasse, Musine Kokalari etj. S. Hamiti shkruan mandej për individualizimin stilistik të autorëve që kalon përtej formave letrare e gjinive, për artikulimin përfundimtar të poezisë moderne, zotërimin e metaforës e të librit poetik, realizimin estetik të tregimit modern, pikësimin e dramës neoklasike, tregimet e lidhura dhe lindjen e romanit social e me tezë, opinionet moderne për letërsinë shqipe e të huaj, revistat me pikëpamje të përdalluara letrare etj.
Autori merr në shqyrtim veprat e autorëve që me veçoritë e tyre plotësojnë kriterin për t`u radhitur në grupin e veprave që i përkasin letërsisë moderne shqipe. Prandaj është e arsyeshme të theksohet se në këtë kohë jeta intelektuale dhe kulturore shqiptare kishte arritur nivelin e zhvillimit të vet, kurse letërsia moderne shqipe ishte bërë pjesë e kësaj jete. Kjo periudhë qe një lloj kohe e artë që solli një lulëzim edhe ë jetës letrare, por qe tepër e shkurtë në hije të katastrofës që do të ndërpriste dhe do të shfaroste gati tërë prodhimtarinë letrare dhe kulturore për afro gjysmë shekulli.
Duke shkruar për letërsinë moderne dhe veçoritë e saj Sabri Hamiti thekson ndër të tjera se letërsia moderne e fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe e fillimit të shekullit njëzet lidhet me fenomenet e bashkëkohësisë duke tejkaluar traditën për të krijuar forma të reja me ndieshmëri të re. Pra kjo letërsi moderne shqipe nis në agun e shekullit njëzet dhe kryesisht lidhet me autorët që vijnë pas Naimit, sepse autorët e kësaj periudhe kërkojnë krijimin e individualitetit të vet letrar duke krijuar forma të reja letrare, stil të ri dhe ndieshmëri që lidhet me bashkëkohësinë.
Këto veçori të letërsisë moderne shqipe Sabri Hamiti i gjen në veprat e autorëve që i merr në shqyrtim në pjesën e tretë me titull Testamenti në librin që gjithashtu mban këtë titull, botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
(Drita Rrahmani Aliu , Studente e Masterit ne Universitetin e Prishtines.)