15 Tetor, 2018 - 3:00 pm
Shkruan: Donjeta Elshani
Po fillon viti i ri akademik, e Prishtina mbushet me studenta, të rij e të reja që vijnë me i ba andrrat e tyne realitet.
Ndoshta nja prej periudhave ma të mira të jetës asht koha e studimeve — ani pse ty shpesh ka me t’u dokë që po ngulfatesh, edhe mezi pret me i kry provimet, se secili provim të doket si dhimbtë e madhe edhe e padurueshme dhambi.
Ti që vjen prej jashtë Prishtinës që në ditët e para ke me u përballë me rrugët e panjoftuna. Ato kanë me të ba me u ndi pasigurtë në nji qytet që në shikim të parë të jep ndjenjë të huej e të ftohtë. Por ky qytet shum shpejt ka me qenë shpija jote, e siguria jote.
Dy javët e para unë s’pata guxu me ndërru rrugë. E merrsha busin 1-sh prej banesës në Fushë-Kosovë, e shkojsha deri te FShMN-ja, e përskaj Bibliotekës Kombëtare ecsha deri te Fakulteti Juridik. (Qët rrugë ma pat rekomandu baba.) Qyteza jeme ish kaq afër kryeqytetit, sa ish dashtë edhe unë me i dijtë ma mirë rrugët, por ja që nuk i dijsha.
Qebesa, Prishtina nuk asht qaq e madhe sa të doket në fillim. Ti që je vendas e din këtë.
Të thonë mbasandej se në fakultet nuk ka shoqni të vërtetë. Rrenë asht kjo! Nëse je pak me fat, e pak njeri i drejtë, gjasshëm gjatë studimeve ke me kriju shoqni që ka me të përcjellë tanë jetën, e ka me t’u ba familje.
Me qata njerëz, me qat shoqni, ke me u shty me orë për nji pyetje. Ama pikërisht qata njerëz kanë me të shty me me studiu me rrajë laminë që ti e ke zgjedhë.
Ke me keshë e me kajtë bashkë me ta gjatë atyne viteve. Me kriju qaq kujtime të mira, sa ke me u lutë për nji kerr të kohës me e u kthy mbrapa veç edhe njiherë.
Provimet ta bijnë stresin. E ta bijnë edhe qefin me ba qef. Bash në qat periudhë të flehet ma shumë, të dilet ma shum, edhe filmat të kqyren ma shum. Për me i ndihmu vetes, lexo përditë kapak. Asht pak klishe ky send, se krejt thonë qështu, por qëkjo metodë njime të ndihmon shum.
Studioje shumicën e landëve. Mundohu me i mësu mirë qato që po t’ofrohen, por lexo hala ma shum se që të kërkohet. Fatkeqësisht, sistemi ynë nuk asht ma i miri i mundshëm, e këtij vendi nuk i intereson me nxjerrë kuadro të mira, por veç numra. Por ti mos e zen veten për numër.
Asht në rregull mos me dijtë. S’prish punë me gabu. S’bahet nami me u përgjigje keq. Kurrgja s’asht e përkryeme. Ti je kah mëson, dhe ke me mësu tanë jetën.
Mos harro që profesionin nuk e mëson në fakultet. Imtësitë harrohen. Por kjo s’të ban joprofesional ose jo të mirë.
Mos u tut me ra prej provimit, as me e refuzu nji notë, nëse ti mendon se din ma shum. Veç mbaje mend, nota s’kallxon se kush je ti, as kush ke me qenë ti në t’ardhmen.
Ka me ndodhë që ke me mësu e s’ke me mbërri rezultatin që e ke dashtë. Ke me u dëshpëru. Por në rregull asht edhe kjo.
Ka me ndodhë që nuk ke mësu, ose ke mësu shum pak, por ke me mbërri rezultat fort të mirë. Thjesht ke me pasë fat me pyetjet. Ke me u gëzu shum, e qaq ke me u ndi në faj pse s’e ke mësu mirë landën.
Mos kopjo. Asht hajni. Hile! Ndaj vetes dhe ndaj atyne që kanë mësu dhe nuk kopjojnë. Veç pse asistenti nuk vjen me ta nënshkru cepin e testit, e me të shti në listë të zezë, s’domethanë që nuk të ka pa, që të tjerët nuk e dijnë se ti po vjedh, e që kolegët e profesionistat nesër kanë me hangër foren tande. Kur ti e lyp, rrethi din me ta ba rrafsh. Edhe qaq fort sa ti nuk e vëren hiç.
Mos mëso përmendsh. Ose të paktën, mos e ba shprehi.
Kurrë, ama kurrë mos thuj, nuk po e mësoj qët temë se nuk bjen. Të paktën mos e thuj, e në daç, mos e mëso. Se gjithë të bjen bash qajo temë në provim, e madje të bjen ma së shumti pikë.
Keshni pak ma shum. Definitivisht, periudha e studimeve nuk asht koha kur duhet me e marrë jetën fort seriozisht. (Por pak seriozisht gjithsesi).