5 Shkurt, 2021 - 1:07 pm
Nga Rrahman Paçarizi
Kam frikë se në mbrëmjen e 14 shkurtit festa do të na zihet në grykë dhe bashkë me krizën eventuale institucionale do ta përjetojmë një krizë më të rëndë – krizën shëndetësore në përmasa apokaliptike për një vend kaq të vogël, kaq të varfër e kaq të lodhur nga gjithçka.
Liderët politikë i kemi pa në ditën e tyre të parë e të dytë të fushatës në mesin e turmave pafund të njerëzve. I kemi pa në fushata ku premtohet jetë më e mirë, u premtohet sundim i ligjit. Dhe, jeta më e mirë u premtohet në ambiente ku ata mund të infektohen me virusin vdekjeprurës, potencialisht duke mos arritë me e pritë përmbushjen e premtimeve për jetë më të mirë. U premtohet sundim I ligjit, duke e shkelë atë me të dyja këmbët. Në Kosovë ende janë në fuqi masat me të cilat ndalohet mbledhja e grupeve të mëdha të njerëzve, qytetarët obligohen të bartin maska dhe ta ruajnë distancën, si dhe ka kufizim të lëvizjes në orar të caktuar e nuk lejohen dasmat e ahengjet në ambiente të mbyllura dhe më pjesëmarrje të madhe të njerëzve. Qysh me besu se i kanë seriozisht frazat për sundimin e ligjit, pra?!
Në fund të fundit, me çfarë të drejte e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve? Mund të thonë se ata dalin vullnetarisht. Mos bëni hajgare!
Pse pati nevojë me dalë Ambasada Britanike me na këshillu që të mos e rrezikojmë shëndetin e qytetarëve? Pse ankoheshin a thua kur menjëherë pas luftës organizata të ndryshme na mësonin se misri, gruri e hardhia u mbjellkan në tokë dhe që lopa paska katër këmbë. A s’i paskemi meritu edhe një herë këto njësi mësimore? Shumë madje, madje edhe shpesh.
Partitë politike prandaj, duhet t’i ndërpresin menjëherë tubimet vdekjeprurëse dhe t’u premtojnë qytetarëve më shumë shtretër, personel shëndetësor e terapi anticovid pas 14 shkurtit e ndoshta edhe më herët.
Ju që i doni aq shumë qytetarët-votues, duajini pakëz më pak e mos i vritni me tejdoza dashurie – mësohuni me deshtë me masë e jo deri në vdekje! Mos synoni me udhëheqë një shtet me qytetarë shëndetrrënuar.
Nëse duket që e kam me Vetëvendosjen, e keni gabim – e kam me të gjithë papërjashtim. Partitë e tjera nuk janë më të përgjegjshme se VV, por nuk po arrijnë të mbledhin aq njerëz. Sa për rahmet nuk e kishin lanë keq. / KultPlus.com