“Tutori” i Mimoza Ahmetit, një ndër romanet më të pazakontë në plejadën e letërsisë bashkëkohore shqipe

29 Mars, 2019 - 12:30 pm

Bujar Meholli

Romani Tutori i Mimoza Ahmetit, është njëri nga më interesantët në letërsinë bashkëkohore shqipe, në të cilin kemi të bëjmë me individin në qendër, që është çdoherë i rrethuar nga dëshirat e shumta për ta definuar dhe gjetur zgjedhjen e duhur në dashuri.

Mënyra se si i qaset kësaj proze autorja Ahmeti, që nis në vitin 1994 dhe përfundon në vitin 2017, është krejt e veçantë. Ajo zgjedh një rrëfim ndryshe për romanin e saj, pra, ndryshe nga rrëfimet me të cilat jemi mësuar gjer më tani. Te proza e Mimoza Ahmetit, hasim në një rrëfim, që i përngjason do të thoshim anarkisë, te i cili ndeshemi me iluzionin e prozës autoreferenciale e poashtu edhe me rrëfimin spontan që i vihet përballë, kaosit të jetës sociale e politike.

Në këtë roman, e kemi të vështirë që t’i hasim elementet e fiksionit, sepse letërsia e Ahmetit është krejt perceptive çka bën, që personazhet pjesëmarrëse qofshin nga kultura apo nga jeta e rëndomtë, të bëhen miks, duke e bërë kështu të vështirë dallimin në mes të reales dhe ireales.  

Në thelb kemi heroinën grua si personazh kryesor, rreth së cilës vërtiten ngjarjet; romani është i shkruar në veten e parë, ku heroina e tij i rrëfen të gjitha përsiatjet e saj përgjatë këtyre faqeve që të mbërthejnë.

Pasqyrimi i jetës së provincës, prej nga është ajo, bëhet me nota të gjalla, autentike, ku jepet jeta e përditshme me thjeshtësitë e saj; më pas narrativa e romanit bëhet shumë më komplekse, dhe teksti më i dendur.

Autorja Ahmeti, ngulmon në stilin e saj, si mungesë stili. Pra, stil “pa stil”. Në këtë mënyrë ajo arrin të prodhoi një prozë që të grish – me natyrën e saj sa narrative aq edhe eseistike, ku zotëron ekzistimi brenda temës.

Tutori, a mund të merret vetëm si roman dashurie, kur kihet parasysh se gruaja flirton me dy burrat e saj të dashur? Mbase edhe po! Mirëpo, te ky roman hasim dendur edhe ide të tjera, si fjala vjen këtë pasazh filozofik:

Dhe vërtet, para se shkojmë kësaj bote pyesim: a ishim ndonjëherë në të?

Dhe, ashtu siç ishim njerëz të përkohshëm, folëm vetëm gjëra të përkohshme, edhe pse zotëruam iluzionin madhështorë të përjetësisë.

Po flas si të isha njeri i vdekur. Por sigurisht si të gjithë të gjallët, ata që hyjnë në një botë të bërë prej të tjerësh.[1]

apo

Ishte njësoj si me babain tim ateist. Kur isha e vogël ai papushim më thoshte se Zoti nuk ekziston, se ishte një shpikje për të mbajtur të shtypur njerëzit.[2]

Me pikëpyetje si këto, përballemi edhe në disa raste të tjera brenda tekstit, e lirisht mund të themi se këtij romani mund t’i mveshim epitetin “roman filozofiko-erotik”.

Ndjenjat e forta erotike, nëpër faza dhe forma të ndryshme na paraqiten me një finesë të jashtëzakonshme nga Ahmeti. Shpërthimi i shqisave rinore, e gjithçka tjetër në prozën e saj ngjanë krejt natyrshëm.

Dashuria te Tutori, nuk është po e njëjta me të cilën jemi mësuar të ndeshemi në poezi e prozë tradicionale; këtu dashuria paraqitet në përmasa tjera, ajo e mbërthen individin të tërin dhe e shpie nëpër vise të çuditshme – pra, te ai prodhohen vargje të pafundme transformimesh.

Në këtë sens, është dashuria platonike ajo që shtrihet dendur në romanin e Mimoza Ahmetit, në kuadër të së cilës tregohen edhe përvojat erotike.

Siç rrëfen vetë autorja, ajo është kujdesur që në historizmin dhe jetëgjatësinë e veprave, të përfshihen egoja dhe individualiteti i saj, pa e sulmuar a diskriminuar tjetrin, pa krijuar avantazh apo revansh ndaj tjetrit, por përfshirje të tij.

Mendoj që në mënyrë gati-gati intuitive dhe të pandërgjegjshme, kohët e fundit kujdesem që uni im të ketë një dimension social, që të jetë sa më universal, sa më i gjerë”.[3]

Subjekti bashkëkohor i romanit, pra, është antihistorik, po ashtu antirrëfimtar – kështu bëhet përjashtimi i vendit dhe autorja na thirr që t’i shpëtojmë historisë.

Duke i pasë parasysh këto elemente të Tutorit, vijmë te konkluzioni se ai, në fakt largohet nga romani i madh, duke anuar kah anti-romani.

Në qendër të tij, pra, kemi gruan që është vazhdimisht në luftë me trazimin e saj të brendshëm, nga raporti që ka me dy burrat, Fjodorin, të dashurin e vërtetë dhe Leon, të dashurin imagjinar.

Si një njohëse e hatashme e psikikës femërore, Ahmeti, krijon një botë misterioze, me elemente dhe përceptime surreale, të pafundme, me lloj-lloj shqetësimesh dhe kërkimesh në personazhin e kësaj gruaje – që bëhet e rrallë në letërsinë shqipe, duke na kujtuar heroinën e romanit Dashnori të shkrimtares franceze, Margerit Dyras.

Pra siç e thamë, tendenca kryesore e këtij romani është që të jetë universal dhe i gjithëkohshëm, prandaj themi se është një ndër romanet më të pazakontë dhe më të arrirë njëkohësisht, në plejadën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

(Autori është student në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe dhe botohet për herë të pare). / KultPlus.com



Të ngjajshme