16 Korrik, 2019 - 12:16 am
Ndue Ukaj
Duke mos ditur ose duke mos dashur të flasim për vlerat e lirisë, tash e njëzet vite flasim e zihemi si gjelat për vlerat e luftës. Dhe kemi “harruar” se lufta bëhet për të fituar lirinë, që është thelbi i ekzistencës njerëzore dhe vlerë sublime për të cilën luftohet.
Duke e orientuar debatin drejt vlerave të luftës, kemi “harruar” të flasim për vlerat e jashtëzakonshme dhe frytdhënëse të lirisë, vlera këto që të japin krah për t’u zhvilluar dhe emancipuar si kombet e përparuara.
Duke orientuar debatin kah vlerat e luftës, ne nuk kemi ndikuar dhe ndihmuar për ta kuptuar të kaluarën, por e kemi ndihmuar hegjemoninë e politike dhe diskursin e mjerë politik, që te lufta ka gjetë lopën patriotike për ta mjelë dhe për të udhëheqë në emër të saj.
Për fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, kjo lopë patriotike ende nuk është shterp, sepse, në momentin që do të mbetet shterp, atëherë do të fillojë një epokë e re, ku politika do të përkthehet me terma zhvillimorë dhe atmosfera publike do të dominohet nga vlerat e lirisë, që janë përparimi, dija, paqja dhe mirëqenia.
Përsa kohë nuk flasim për vlerat e lirisë, do të jemi peng të luftës dhe narracionit rreth saj. Vetëm atëherë kur t’i kuptojmë vlerat e lirisë, vlerat e luftës do t’i kemi të qarta dhe nuk do të zihemi përditë si gjelat. /KultPlus.com