5 Dhjetor, 2018 - 8:46 am
Nga Alma Nikolli
Kur isha e vogël më kanë kënduar nina-nana. Jo shumë herë besoj, se ne fëmijët e asaj kohe sikur kemi qenë më të bindur nga natyra, edhe ndaj gjumit. Kjo ka qenë e vetmja muzikë live që kam dëgjuar asokohe. As çifteli që ishte traditë në veri nuk dëgjohej më në shtëpi. Babai qysh fëmijë s’ia pati lëviz më telat. Pasi i vdiq i ati, nuk pati më kohë me lujt me nota, as me lujt ma fare.
Në 8-vjeçare (s’ka qenë 9 ende) kam mësuar çdo notë, në fusha, në vija, e poshtë pentagramit. Kemi kënduar “Himnin e lumturisë”, së Bethovenit, e di ende fjalë për fjalë. Apo “La donna mobile” të Pavarotit.
Këndonim edhe këngë partizane. Jehonte zëri i gjithë klasës. Vraponte nëpër korridore e hynte në një orë matematike dhe zbuste ikset e ipsilonet në dërrasat e zeza që atëherë kanë qenë të zeza.
Mësuesja e muzikës ishte aq e mirë sa nuk besoj të ketë dalë nga programi mësimor, kur ishte puna për të dëgjuar tingullin e lahutës a të çiftelisë në shkollë. Me siguri nuk ka qenë aspak në program që ne të dëgjonim lahutë a çifteli.
Në gjimnaz mbaron qejfi; s’ka më muzikë. E në asnjë aktivitet kulturor nuk na kujtoi më njeri se çfarë kemi vlera shqiptare. Edhe nëse e kanë bërë s’ditën të na e ngulisin në mendje.
Kur kishte fushatë partia në pushtet s’linin mësuese pa detyruar të shkonte në miting… e mësueset mundoheshin të mos linin nxënës pa marrë me vete për të tundur flamuj rozë a blu… Kurse atë të kuqin, atë shqiptarin kurrë s’na detyruan ta valëvisim.
Në fakultet e master, s’bëhet më as Gjuhë Shqipe. Nuk kam çfarë të them për lahutë e çifteli.
Në televizon e keni parë vetë ç’bëhet.
Na kafene po e po.
Edhe në vende turistike malore që kanë pasur traditë çifteli e lahutë, nëpër shumë lokale këto instrumente janë si librat, sa për zbukurim se në sfond dëgjon këngë italiane.
Këto ditë si kurrë më parë ndihem në faj që nuk kam dëgjuar kurrë lahutë “live”… Ia drejtova gishtin vetes, fundja.
Megjithatë, tani e tutje do të na quajnë mëkatarë po ta bëjmë…, se është tingull i serbit…