4 Tetor, 2019 - 3:15 pm
Jo rastësisht, gjatë përurimit të librit, u shfaq filmimi me pamjet e fundit të shkrimtarit e diplomatit, ndërsa kishte ndërruar jetë në hotelin “Winthrop” të New York-ut. Sipas studiuesit, njëherazi drejtor i Institutit “Lumo Skëndo”, Uran Butka, motivet e vdekjes së Mid’hat Frashërit mbeten ende të pasqaruara, madje ai u shpreh se do t’u kërkojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ekspertizën.
Ajo që ka thelluar bindjen e historianit për të shtruar variantin e vrasjes, është zbulimi së fundmi i një dokumenti në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Sipas Butkës, në vdekjen e Mid’hatit kanë gisht agjentët e Komitetit për Sigurinë Shtetërore të ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas mjekut ligjor, shkak i vdekjes ishte infarkti, Butka: Varianti i vrasjes dhe dyshimet tek agjentët e KGB-së Studiuesi Uran Butka, njëherazi drejtor i Institutit “Lumo Skëndo”, para fjalës së tij, kërkoi një minutë heshtje në nderim të kujtimit të figurës shumëdimensionale, Mid’hat Frashërit. Më tej, ai solli në vëmendje udhëtimin e Frashërit nga Parisi në Londër gjatë muajit shtator të vitit 1949, ku edhe shpalli komitetin “Shqipëria e lirë”.
Programin e kësaj qeverie demokratike në emigracion, ashtu siç edhe studiuesi tregon, Mid’hat Frashëri do ta prezantonte edhe gjatë një interviste për BBC, ku do të pritej nga kryetari i komitetit “Europa e Lirë”, Jozef Grei, dhe zëvendëssekretari i Shtetit Thomson. Butka vë theksin te fjala e diplomatit shqiptar, ku ceket “lufta” për rrëzimin e diktaturës, që vendi ynë të prekë demokracinë e ku “Shqipëria e lirë” do të jepte kontributin e saj. “Shpresojmë t’i japim zemër popullit shqiptar në rezistencën kundër tiranisë komuniste dhe të ndihmojmë për të organizuar shqiptarët në këtë luftë për demokraci”, pati thënë asokohe Frashëri për BBC.
Më tej, Butka tregon se si Mid’hat Frashëri, në një gjendje të mirë shëndetësore e plot vullnet e plane në të mirë të Shqipërisë, ndahet nga jeta në rrethana ende të paqarta. “Aleatët anglo-amerikanë caktuan selinë e komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ dhe të kryetarit Mid’hat Frashëri në New York. U vendos në hotelin ‘Winthrop’. Ishte shëndoshë e mirë dhe e nisi mbarë punën, sipas programit që paraqiti në BBC. Mirëpo, për fat të keq, më 3 tetor 1949, ora 9:25, vdiq papritur. Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në ato çaste, Telhat Karagjozit, dhe sipas ekspertizës të atypëratyshme të mjekut ligjor, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit. Ekziston edhe një variant i vrasjes (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaçeve apo gazit nëpërmjet agjentëve të KGB-së)”, tha Butka.
Sipas tij, disa nga dyshimet bien mbi agjentin e dyfishtë Kim Philby, i cili mund të ketë vepruar në bashkëpunim me KGB-në. Një fakt ky që përforcohet edhe nga një dokument, të cilin studiuesi e ka zbuluar së fundmi.
“Kim Philby, agjenti dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur ishte shpallur komiteti ‘Shqipëria e lirë’, ndërkohë që ishte nisur në atë kohë për në SHBA, mendohet se mund të ketë vepruar bashkë me agjentët e fshehtë të KGB-së, mbi Mid’hat Frashërin për ta asgjësuar, ashtu siç kishin vepruar edhe mbi disa personalitete të tjera antikomuniste të Lindjes, si Stefan Bandera, Lev Rebet, Georg Markov. Në mbështetje të këtij varianti është edhe një dokument i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, që e kam zbuluar tash së voni, ku shkruhet: ‘Në Amerikë është kolonia jonë më e madhe dhe qëllimi imediat i organizatorëve të këtij komiteti, veç zhurmës me radio e shtyp kundër qeverisë sonë, është që të shkëputë koloninë shqiptare të Amerikës dhe ta lidhë me reaksionin… Të merret në shqyrtim dhe të caktohet me hollësi një politikë e jona aktive ndaj kolonisë së Amerikës. Të studiohet një e nga një çdo person dhe të bëhet diferencimi. Mid’hat Frashëri nuk e fut dot këmbën kollaj në koloni. Po kështu edhe të tjerët. Po këto duhen bërë sa më parë”, tregon studiuesi. Historiani shton më tej se, trupi i Mid’hat Frashërit në emër të komitetit “Shqipëria e lirë” do të varrosej në varrezat “Ferncliff” të New York-ut, me një varr të thjeshtë në mes të barit.
HOMAZHET
Para përurimit të vëllimit të katërt të veprës së Mid’hat Frashërit, e cila sjell si risi përshtypjet e udhëtimit të Mid’hat Frashërit në gjithë hapësirën shqiptare dhe atë europiane, u mbajtën homazhe pranë monumentit të tij në Liqenin Artificial. Historiani Uran Butka u shpreh se kthimi në atdhe i eshtrave të Mid’hat Frashërit ishte akti më madhor i kryer nga qeveria dhe shteti shqiptar. “Ceremonitë e përcjelljes në New York dhe e pritjes në Tiranë qenë madhështore. Ai tashmë prehet pranë vëllezërve Frashëri dhe Konicës, në një vend të lartë e të gjelbëruar, nga ku donte të shikonte Shqipërinë e lirë dhe shqiptarët në gëzimet dhe hidhërimet e tyre”, u shpreh historiani. Butka zgjodhi solli më tej në vëmendje shprehjen profetike të Mid’hat Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejat mes tyre”. /Panorama /KultPlus.com